Rama: Rrugën në Tiranë e kemi gjetur

Apr 7, 2011 | 12:15

Kreu i Bashkisë së Tiranës vazhdoi dje takimet e tij në rrugët e Tiranës.Rama ishte në Njësinë Nr.9, ku ka biseduar me banorët dhe u ka shpjeguar atyre pse duhet ta votojnë atë më 8 maj. Kryesocialisti e kërkoi votën e qytetarëve duke e vlerësuar si votën për të ardhmen e Tiranës dhe zgjidhjen e problemeve. Sipas Ramës, duke i dhënë votën PS-së, qytetarët do të çrrënjosin nga mendja komunizmin me përmbysjen e regjimit të Saliut. “Duke votuar për mua dhe për ne, do t’i bëni një shërbim edhe PD-së, se do të çlirohet nga ai që i bërtiste atij të shkretit në gjyq: ‘Vareni në litar! Vareni në litar!’ dhe që sot derdh lot krokodili për ata që i ka varur në litar, i ka vrarë e i ka futur nëpër burgje. Ai komunizmi që nuk mund dot të çrrënjoset nga mendja nëse nuk çrrënjoset Saliu nga pushteti”, u shpreh Rama. Kreu i Bashkisë nuk la pa përdorur dhe ironinë përmes një barcalete, duke paralajmëruar se do të rrëzojë Berishën nëse prek votën në Tiranë. “Saliu, Bushi dhe Berluskoni ishin në një avion dhe piloti thotë që mbaroi karburanti, por një parashutë kam. Si t’ia bëjmë? Ta hedhim në votë, thotë Saliu. Mirë, i thonë këta dy të tjerët. Votohet dhe fiton Saliu, merr parashutën dhe hidhet. I thotë Bushi Berluskonit: Ore si fitoi ky? Berluskoni thotë: Mirë që fitoi, po ku i gjeti 40 vota ky, ne tre veta ishim. Më 8 maj do ta hedhim nga avioni pa parashutë po e preku votën”, tha Rama.
Në takimet me banorët, Rama ka marrë dhe vlerësimet e tyre për punët e bëra nga Bashkia e Tiranës. “Faleminderit për rrugët që na bëre, faleminderit për dritat”, u shpreh një pensioniste gjatë bashkëbisedimit, ndërsa Rama theksoi: “Më 8 maj votën, që të vazhdojmë të bëjmë rrugë, të vazhdojmë të vëmë drita, të vazhdojmë të mbjellim pemë”. Ndër të tjera, gjatë takimit me banorë të saj njësie, Rama tha se “duhet të marrim në dorë fatin e vendit. Tiranën e kemi në rrugën e dukur, se e kemi gjetur rrugën në Tiranë, puna është të fusim Shqipërinë në rrugën e mbarë”. Kërkesa e Ramës për këta banorë ishte: “Duhet të votoni PS që Këshillin Bashkiak të mos e kontrollojë më Saliu dhe të mos e bllokojë më Iliri për interesat e depozitës dhe të pozitës”.

PS sot çel fushatën

Partia socialiste do të hapë fushatën e saj zyrtare sot, një muaj para zgjedhjeve të 8 majit. Në Pallatin e Kongreseve, në orën 17:00, do të prezantohen kandidatët e Aleancës për të Ardhmen, përmes një ceremonie që pritet të jetë ndryshe nga të tjerat. Edhe pse ka nisur të prezantojë disa nga kandidatët socialistë në disa bashki, si në Durrës, Korçë
dhe në Njësinë Nr.1 në Tiranë, Rama do të bëjë
hapjen zyrtare të fushatës së tij.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura