Rama: Po u prek vota e 8 majit, revoltë e pandalshme

Apr 12, 2011 | 10:40
Rama dje tek Tregu Çam

Kryetari socialist, Edi Rama, prezantoi dje në Elbasan kandidatin e PS-së për këtë bashki, Qazim Sejdini.Ceremonia e çeljes së fushatës u zhvillua në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, ku Rama paralajmëroi kundërshtarin politik që të mos prekë votën e 8 majit. “Saliu me Ilirin dhe tërë shërbëtorët duhet ta mësojnë sot nga Elbasani se çfarë rrezikojnë nëse prekin votën e 8 majit. Nuk do të ketë më lëvizje qytetare, por revoltë qytetare të pandalshme, duke u kërkuar qytetarëve ta largojë qeverinë, siç largohen regjimet”, u shpreh Rama. Kryesocialisti iu referua dhe  incidenteve të fundit mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së, duke deklaruar se rruga e Partisë Socialiste është rruga ku asnjë polic të mos vihet nën urdhrat e pushtetit. “E dëgjuam sot kreun e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Shemsi Prençi, i cili tha se ka marrë urdhra nga Saliu që t’i shtypë socialistët me dhunë në Kamzë dhe Bathore. Unë e përshëndes për shuplakën publike që i dha pushtetit të Saliut dhe u them drejtuesve të marrin shembull nga ai e të mos përzihen në punët e pushtetit. Drejtuesit e Policisë të marrin shembullin e tij dhe atyre që janë në rrugë të gabuar u them t’i kthehen rrugës së drejtë”, nënvizoi Rama. Kreu i selisë rozë e akuzoi kryeministrin e vendit si shkaktarin e tragjedive të shqiptarëve, duke theksuar se vota e 8 majit do të jetë vota e hakmarrjes së popullit, për t’i thënë kurrë më pushtetit të kusarisë dhe vrasjes. “Saliu dje tha se ‘unë jam qytetar si ju dhe ju kryeministra si unë’. A ka tallje më të madhe!? Saliu i shiti llumin për naftë, u shkatërroi mushkëritë dhe u boshatisi xhepat shqiptarëve. ‘Unë, tha Saliu, jam qytetar si ju dhe ju kryeministra si unë’. Por, ndërkohë që tha se do të marrë makinë me qira për fushatë, nga ana tjetër fluturon me helikopter qytet më qytet. Saliu thotë se ‘jam qytetar si ju dhe ju kryeministra si unë’, por në fakt Saliu nuk është as qytetar dhe as kryeministër, sepse qytetarët nuk vjedhin dhe kryeministri nuk gënjen”. Duke folur për punën e bërë nga Bashkia e Elbasanit dhe kryetari i saj, Qazim Sejdini, Rama përmendi disa nga ndryshimet e bërë në këtë qytet. “Ndriçimi, shëtitorja para kalasë, këndet e lojërave, gjelbërimi, janë një realitet. Me këto investime Elbasani ka dalë në dritë mbi gërmadhat e djeshme”, tha Rama. Sipas tij, “PD-ja dhe koalicionin e saj i bashkon kusaria, ne na bashkon qytetaria”, ndërsa përshëndeti rikthimin e ish-deputetit Bukurosh Stafa në PS. Kreu socialist tha se vota është e arma e vetme e opozitës për t’i thënë kurrë më pushtetit në fuqi. “Vota popullore e mbrojtur sy për sy e dhëmb për dhëmb do t’i thotë kurrë më kësaj qeverie. Vota e 8 majit është vota e hakmarrjes e gjithsecilit për t’i thënë kurrë më vrasjeve, kurrë më vjedhjes, kurrë më një pushteti presioni dhe frike. Vota e 8 majit është vota për të marrë hak për plumbat e 21 janarit, për ata që u vranë në Gërdec dhe për ata që vriten çdo ditë”, u shpreh kryetari i PS-së, Edi Rama. Sipas tij, te vjedhja e votës fillon hapur braktisja e interesave kombëtare. “Vjedhja e votës është fillimi i të gjithë kësaj të keqeje, ndërsa rimarrja me votë është fundi i kësaj të keqeje. Vota e 8 majit është mundësia e gjithsecilit, kurrë më grabitje të pasurisë së popullit dhe pronave të tyre, kurrë më një drejtësi që nuk u jep qytetarëve të drejtën e ligjit. 8 maji është dita e një aleanca të madhe të së ardhmes. Është koha të shkojmë më tej, të shërojmë plagët e demokracisë, lirisë, drejtësisë”, tha Rama.

Idrizi: Nëse zgjedhjet janë për qytetarin, PD-PS të ndalin dhunën

Kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, çeli dje fushatën elektorale në Durrës, duke prezantuar kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferri. Me këtë rast, kreu i PDIU-së ka kërkuar votat e qytetarëve çamë në Durrës, ndërsa i bëri thirrje politikës shqiptare që t’i thotë “jo” dhunës dhe të ulë tensionet gjatë këtyre zgjedhjeve. “Ju vetë e keni vënë re se sa shumë dhunë ka prodhuar e po prodhon kjo fushatë. Kam drojë se, nëse vazhdohet kështu, do të ketë edhe më shumë dhunë. Partitë e mëdha i shikojnë këto zgjedhje si mundësia e fundit për të asgjësuar rivalin politik. Ne jemi kundër ekseseve që prodhojnë partitë e mëdha. Nga kjo tribunë ne u bëjmë thirrje atyre: Nëse është e vërtetë se këto zgjedhje janë për qytetarin, ndaloni dhunën! Të ballafaqohen alternativat, idetë dhe jo ushtritë elektorale. Të ulen flamujt e partive dhe të ngrihet flamuri i kombit. Ne jemi kundër ndarjes, sepse ne jemi pro bashkimit. Ne jemi për qytetarin. Ai është dhe duhet të jetë në qendër të politikës. Vini mbi gjithçka kombin, flamurin, historinë e lavdishme, të vjetër dhe të re. Ne konkurrojmë në këto zgjedhje pse ne duam të krijojmë fuqi. Fuqia krijohet prej votës suaj. Nëse ne në këto zgjedhje marrim shumë vota, do të dimë të kushtëzojmë politikën e madhe për t’iu kthyer interesit kombëtar”, deklaroi Idrizi. Sipas tij, PDIU është për qytetarin dhe për të krijuar një fuqi të re, për të kushtëzuar politikën e madhe që t’i kthehet interesit kombëtar. “Do t’ju lutesha të mendoheshit gjatë para se ta hidhnit votën këtë herë. Kjo votë nuk është politike, ndaj mendoni t’ia hidhni njeriut më të mirë. Kjo votë duhet të çojë në institucionet lokale, që janë afër jush, njerëzit më të mirë që duhet të bëjnë vepra për bashkësinë. Kjo votë nuk është për të ndarë luftën midis dy bajlozëve, por votë për shërbime më të mira, për ujësjellës, rrugë, shërbime sociale më të mira, për institucione më njerëzore”, tha kreu i PDIU-së.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura