Rama: Demonstratë e madhe më 8 maj

Apr 21, 2011 | 10:49

Kreu socialist çeli dje fushatën zgjedhore në Shkodër, ku prezantoi kandidatin e koalicionit të majtë, Genc Uruçi.Kryetari i opozitës, Edi Rama, i ftoi banorët e Shkodrës që më 8 maj të marrin pjesë masivisht në atë që ai e ka quajtur demonstrata e madhe. “8 maji të jetë dita e demonstratës së madhe. Më 8 maj ta nxjerrim Shqipërinë nga papunësia”, u shpreh Rama. Më pas, lideri i opozitës hodhi akuza ndaj “oborrit të kusarisë”, që sipas tij po mban peng Shqipërinë dhe shqiptarët. “Mrekullia ekonomike është vetëm në oborrin e Saliut. Të dalim nga qorrsokaku i Saliut dhe Jozefinës. Është koha të rivendosim sistemin demokratik”, u shpreh Rama. Kreu socialist u shpreh se banorët e Shkodrës, ashtu si e gjithë Shqipëria, më 8 maj, me votën e tyre duhet të kontribuojnë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kurthi i papunësisë. “Mrekullia ekonomike ekziston vetëm në oborrin e Saliut, ndërkohë që dyqanet po falimentojnë, Shqipërinë e kapur kusaria. Në vend ka një milion të papunë, të cilët janë akuzë për pushtetin. 8 maji është dita e demonstrimit të madh. Ne duhet ta nxjerrim Shqipërinë nga kurthi i papunësisë” u shpreh Rama.
Nën moton ‘E vetmja rrugë’, kreu socialist theksoi faktin se Partia Socialiste është e vetmja rrugë për të çliruar vendin dhe qytetin verior nga pushteti, i cili e ka mashtruar dhe tradhtuar. “Rruga e Saliut dhe Jozefinës është vetëm për interesat e tyre. Saliu tallet kur thotë mrekulli ekonomike për qytetin e Shkodrës, pasi është e turpshme që Shkodra të përmbytet. Shkodranët janë të tradhtuar nga Saliu dhe Jozefina. Ndaj, vota e 8 majit është dita ku secili nga ne duhet të respektojë idealet e vërteta”, theksoi Rama.
Projekti
Gjatë paradites së djeshme, kryetari i Bashkisë së kryeqytetit prezantoi projektin e lumit të Tiranës. Bashkë me nënkryetaren e Bashkisë, Albana Dhimitri dhe administratorin e saj, Dritan Agolli, Rama ka paraqitur vizionin e kësaj bashkie për të transformuar një zonë aktualisht periferike në kryeqytetit. Duke iu referuar projektit të lumit të Tiranës, Rama tha se “këtu ballafaqohen dy alternativa diametralisht të ndryshme për të nesërmen, dy alternativa diametralisht të ndryshme për rrugën që duhet të ndjekim drejt së ardhmes, dy alternativa diametralisht të ndryshme për qasjen ndaj potencialeve natyrore dhe njerëzore të zhvillimit”.

Berat, benzinë zyrës elektorale
Persona ende të paidentifikuar tentuan t’i vinin zjarrin zyrës elektorale të kandidatit të Partisë Socialiste, Fadil Nasufi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 të së martës. “Personat kanë gjetur momentin kur përfaqësuesit e PS-së janë larguar nga zyra që ndodhet në qendër të lagjes ‘Kushtrimi'”, bënë të ditur burime nga PS-ja e Beratit. Mësohet se autorët kanë spërkatur në fillim me benzinë derën dhe pasi i kanë vënë zjarrin, janë larguar pa lënë asnjë gjurmë. Kandidati demokrat, Ilir Beçolli, e dënoi aktin duke u distancuar dhe kërkuar që drejtësia të gjejë autorët.

Braçe: Basha gënjen për taksat
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i vijoi dje akuzat ndaj kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Basha, lidhur me taksat bashkiake. “Lulzim Basha ka tri javë që po u thotë biznesmenëve të vegjël se paguajnë 82 taksa në Tiranë. Lulzim Basha gënjen përsëri. Kjo është ‘faturë arkëtimi’ e taksave të llogaritura si detyrim fiskal për kompaninë ‘Tirana Publishing House’, nën administrimin e shtetasit Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës dhe shefi i shtabit të fushatës së tij. Për vitin 2010 janë vetëm 3 taksa me vlerë 32 120 lekë, ose 2676 lekë në muaj”, tha Braçe.

 

Shkodër/Ridvan Dibra

© Panorama.al

Te lidhura