Rama-Berisha, gjyq më 5 maj

Apr 19, 2011 | 11:34

Vetëm tri ditë para zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011, kreu i opozitës, Edi Rama, dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, do të “përballen” në Gjykatën e Lartë.Gjykata e Lartë deklaroi dje se më 5 maj do të fillojë shqyrtimin e një kërkesë të bërë nga kreu i opozitës, Edi Rama, i cili ka kundërshtuar një vendim të Prokurorisë së Përgjithshme. Rama ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal ndaj kreut të qeverisë, Berisha, për akuzat e “shpifjes dhe fyerjes për shkak të detyrës” do të shqyrtohet në 5 maj. Ndërprerja e seancës së djeshme në Gjykatën e Lartë dhe caktimi i një date të re, u bë për t’i lënë kohë Gjykatës për të verifikuar dokumentacionet në lidhje me datat e kryerjes së veprimeve të palëve. Bëhet fjalë për saktësimin e datave kur pala paditëse, në këtë rast Edi Rama, ka marrë dijeni për vendimin e Prokurorisë, datën e depozitimit të ankimit në Gjykatën e Lartë si edhe data e regjistrimit të këtij ankimi. Gjykata tha dje se ka paqartësi në datën e depozitimit të ankimit në Gjykatën e Lartë, pasi një veprim i tillë duhet të bëhet brenda afateve. Gjykata shfaqi dyshime se mund të ishin shkelur afatet kohore të ankimit, që në rastet e kundërshtimit të vendimeve të Prokurorisë është 5 ditë pas shpalljes së vendimit. Në nëntor të vitit të kaluar Prokuroria e Përgjithshme vendosi të mos fillojë procedim penal ndaj Berishës, procedim i kërkuar nga kryeopozitari Rama.
SEANCA
Seanca e djeshme, ku pritej të vendosej “fati” i ankimit të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, zgjati vetëm pak minuta. Vetë liderët Edi Rama dhe Sali Berisha nuk ishin të pranishëm në seanca. Ata përfaqësoheshin nga mbrojtësit e tyre ligjorë, përkatësisht, avokatët Agim Hysi dhe Arjan Salahu për kallëzuesin Rama dhe avokatja Erinda Ballanca, për të kallëzuarin Berisha. Relatori i çështjes, gjyqtari Gani Dizdari, tha dje se vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme për pushimin e fillimit të procedimit penal ndaj liderit Berisha është marrë në datë 18 nëntor 2010. Një ditë më vonë, Prokuroria kishte bërë një shkresë për njoftimin e “palës tjetër”, në këtë rast Rama. “Nuk rezulton se ka marrë njoftim kallëzuesi”, relatoi gjykata. Në këtë moment ndërhyri përfaqësuesi i Prokurorisë në seancë, prokurori Alfred Progonati, i cili tha se njoftimi i Ramës mbi vendimin e akuzës ishte bërë përmes postës. Por sipas akteve të paraqitura para gjykatës, rezultonte se ankimi ishte regjistruar në datën 26 nëntor 2010 në Gjykatën e Lartë. “Afati i ankimit ndaj vendimeve të Prokurorisë është 5 ditë. Këtu kanë kaluar shtatë”, tha relatori i seancës. Përfaqësuesi i Prokurorisë tha se fakti i nisjes së njoftimit mund të vërtetohej me librin e dorëzimit. Mbrojtësi ligjor i Ramës, avokati Salahu, u shpreh se ai dhe klienti i tij kishin marrë dijeni në 22 nëntor 2010 në lidhje me vendimin dhe se në datë 24 nëntor kanë depozituar ankim në Gjykatën e Lartë. “Për shkak të verifikimit të dokumentacionit, seanca shtyhet për në datën 5 maj ora 10:00”, u shpreh më pas Kolegji.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura