Rama: 8 maji, votë proteste për të larguar Saliun

Apr 8, 2011 | 12:03
Kryetari i PS, Edi Rama, me bashkëshorten Linda, dje gjatë hapjes së fushatës së PS

Koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” hapi dje zyrtarisht fushatën zgjedhore. Në një ceremoni ku merrnin pjesë kandidatët e koalicionit në të gjitha bashkitë dhe komunat, Edi Rama, i cili shoqërohej dje nga bashkëshortja Linda, të cilën e cilësoi gjysma e tij më e mirë, kërkoi votën e qytetarëve si ndëshkim ndaj qeverisë së kusarisë siç e përcaktoi ai.Në podium u ngjitën njëri pas tjetrit qytetarë, ekspertë, aleatët e PS, kandidatë për kryetarë bashkish, të cilët kërkuan votën e qytetarëve kundër qeverisë aktuale dhe kryeministrit Berisha. Ra në sy mungesa e themeluesve të PS, Servet Pëllumbi, por edhe e ish-Presidentit Rexhep Meidani. Dje mungonte dhe kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, i cili nuk ka qenë prezent as në seancën e Parlamentit. Përveç Ramës, asnjë përfaqësues i Partisë Socialiste nuk foli dje në podium, në nisje të fushatës zyrtare. Gjatë një ceremonie që zgjati rreth 4 orë, me sloganin “E vetmja rrugë”, kryesocialisti adresoi problematikën tek qeveria, ndërsa Bashkia sipas tij ka sjellë ndryshimet rrënjësore në kryeqytet. Nuk munguan në këtë ceremoni dhe filmimet nga ngjarjet e 21 janarit, por dhe videoja e përgjimit e Priftit me Metën.
Rama
Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti u fokusua më shumë tek aspekti politik i këtyre zgjedhjeve, duke e cilësuar votën e 8 majit si votën kundër qeverisë. “Qeveria largohet vetëm përmes votës së protestës. 8 maji është njëkohësisht një votë besimi për kandidatët tanë dhe një votë proteste ndaj pushtetit që vret e na thotë vrasës. Vjedh e na thotë hajdutë. Gënjen e na thotë gënjeshtarë. Vota është e vetmja mundësi që keni për të mos e lënë të keqen të dalë nga çdo kontroll dhe t’ju bëjë edhe më keq se një ditë më parë”, u shpreh Rama, duke ftuar qytetarët të votojnë kundër qeverisë aktuale. Sipas tij, 8 maji do të jetë një ditë vendimtare për të ardhmen e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, për fatin e demokracisë e të drejtësisë në këtë vend, për nivelin e jetesës së çdo qytetari të Tiranës e të gjithë Shqipërisë. Kryesocialisti paralajmëroi se nëse preket vota e qytetarëve si në 28 qershor, atëherë ai do t’i bëjë thirrje popullit të largojë qeverinë. “Ne e dimë mirë në çfarë zgjedhjesh të rrezikuara po hyjmë, por edhe Saliu me Ilirin duhet ta mësojnë sot se çfarë rrezikojnë po prekën votën në 8 maj: Jo më një lëvizje qytetare për hapjen e kutive, po një lëvizje të re demokratike që do ta udhëheqim pa asnjë ngurrim duke i bërë thirrje popullit hapur, qartë, troç, që të dëbojë qeverinë njësoj siç dëbohen regjimet që ndalojnë demokracinë të bëjë punën e saj”, u shpreh kryesocialisti. I rreptë në fjalën e tij, Rama paralajmëroi dhe përfaqësuesit e policisë që të mos bëjnë presion ndaj qytetarëve. “Nuk do të harrojmë asnjë drejtues policie apo asnjë drejtor drejtorie në shtet, kudo qoftë nëpër Shqipëri, që do të bëjë presionin më të vogël mbi qoftë edhe një votues të aleancës sonë”. “Kurse, sa për disa drejtorë që kanë filluar të ofrojnë lekë në këmbim të votave, si kandidatë apo mbështetës të Saliut e të Ilirit, i siguroj se do të jenë subjekte të procesit të transparencës që do të bëjmë, me të ardhur në qeveri. Për të gjitha pasuritë e grabitura. Për të gjitha koncesionet e paligjshme. Për të gjitha privatizimet e korruptuara”, u shpreh Rama. Kreu socialist u bëri thirrje qytetarëve të shprehen me votë, si e vetmja armë që kanë ndaj pushtetit. “Vota është e vetmja armë që keni për të marrë hak për plumbat e 21 janarit, për të marrë hak për ata që u vranë në Gërdec nga pushteti apo që vriten përditë rrugëve nga mungesa e shtetit, për të marrë hak për veten e për të gjithë ata si ju që vriten përditë në ëndrrat e shpresat e tyre dhe janë vetëm, pa shtet e përkrahje, përballë varfërisë, papunësisë, padrejtësisë”, u shpreh Rama. Ashtu si dhe Gramoz Ruçi pak ditë më parë, Rama u kërkoi qytetarëve të mos ngurrojnë pa ua marrë paratë atyre që u ofrojnë për votë. “Kusarët e votave të dy vjetëve më parë kanë filluar të trokasin dyerve për vota me lekët e pushtetit të vjedhur e me kërcënimet e shtetit të kapur. Paratë merruani, janë tuajat, votën mos ua jepni kurrë! Vota është e vetmja fuqi që keni për të nxjerrë nga jeta juaj të keqen që rrit përditë çmimet e faturave të jetës së përditshme, që ju ka lënë pa punë e pa përkujdesje, që ju kërcënon me bukën e gojës për të vazhduar t’ju marrë shpirtin bashkë me dinjitetin”, u shpreh Rama.
Aleatët
Kryesocialisti, gjatë fjalës së tij, ka hequr kufirin mes aleatëve të rinj dhe të vjetër. Ai tha se e pranoi rikandidimin si një detyrim ndaj qytetarëve të Tiranës, ndërsa u shpreh se në krah të tij janë shumë qytetarë të djathtë, por kundër pushtetit aktual. Nuk është rastësi që sot këtu janë njerëz që deri dje ishin në krahun tjetër të rrugës pas një rezistence të gjatë në burgjet e ferrit komunist. Ata s’janë bërë sigurisht socialistë, as të majtë. Nuk kanë ndryshuar bindjet e tyre të djathta dhe as janë në një mendje me ne për qasjen ndaj disa problemeve. Por, janë këtu sepse nuk negociojnë lirinë e tyre, të drejtat e tyre, dinjitetin e tyre. Nuk është rastësi as që sot ne kandidojmë në Njësinë 8 të Tiranës një Vorps, pinjoll i një familjeje që vjen në rrugën e Aleancës për të Ardhmen nga rruga e mundimshme e shumë familjeve autoktone, me pronarë të vjetër e të përndjekur që vazhdojnë të shkelen në të drejtën e pronës”, u shpreh Rama. Ai kërkoi një front të bashkuar “pa dallim feje, krahine e ideje”.

Premtimet e PS: Objektivi ynë për Tiranën e vitit 2020

Nënkryetarë të Ba-shkisë së Tiranës bënë dje një bilanc të punës së kësaj bashkie që nga viti 2000, kur Edi Rama erdhi në pushtet.Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri, dy ish-nënkryetarët, aktualisht deputetë të Parlamentit, Eduart Shalsi dhe Mimi Kodheli, por dhe Maklen Misha prezantuan disa nga punët më të mira të Bashkisë së Tiranës. Në skenë 6 podiume, secili prej tyre me nga një shkronjë të madhe përpara: T I R A N A dhe në sfond një foto e madhe e Tiranës, krenaria e Bashkisë së Tiranës, ku tregoheshin hapësirat e gjelbëruara sërish, të dy skarpateve të lumit të Lanës. Prezantimi u shoqërua me imazhe filmike, ku folësit kanë bërë paralelizma të gjendjes si ka qenë Tirana dhe përmirësimet e realizuara sipas tyre, nën drejtimin e kryetarit aktual Edi Rama. Kodheli theksoi se janë 3 projekte politike për Tiranën të quajtur “Tirana, kryeqytet”, “Tirana Europiane” dhe “Tirana, qyteti im”. Shalsi theksoi se me votën e 8 majit të gjithë qytetarët e Kinostudios, Kombinatit do t’i japin vetes transport të ri publik, pasi do të ketë një Këshill Bashkiak që do të punojë për qytetarët. Në përpjekje për të pasqyruar dhe politikat sociale të bashkisë, organizatorët prezantuan një zonjë tetraplegjike, e cila vlerësoi interesin e bashkisë për individët me aftësi të kufizuara. “Prania ime këtu tregon gatishmëri dhe transparencë për t’u përballur edhe me kërkesat tona nga Bashkia e Tiranës. Sot, Bashkia po realizon një projekt të plotë për përshtatjen e të gjithë kryqëzimeve të qytetit me elementë të standardit bashkëkohor për individët me aftësi të kufizuara”, u shpreh e sëmura tetraplegjike. Nënkryetarja e Bashkisë, Dhimitri, bëri publike dhe ambiciet e Bashkisë për të ardhmen dhe të asaj që e quajti “Tirana 2020”.
Sipas saj, Tirana do të marrë një gjallërim të madh të biznesit, duke krijuar kështu dhe 200 mijë vende të reja pune. Projektet e reja të Tiranës do të oforojë më shumë linja publike autobusësh, me një linjë tramvaji, por dhe me hapjen e disa qendrave dytësore urbane dhe ndërtimin e shumë parkimeve.

Barsaleta

Kreu socialist nuk la pa përdorur dhe humorin, dje gjatë fjalës së tij. Pas një ndërprerjeje që pati në promter fjalimi i tij, Rama u mundua ta mbulonte këtë me një anekdotë, të cilën e lidhi me politikën ndaj kundërshtarit. “Shpikja më e madhe që është bërë në Shqipëri, sipas Ramës, është një doktor, të cilit i luten 1 milion të papunë për punë”, u shpreh Rama, duke ironizuar kundërshtarin e tij politik, Sali Berisha.

Kolona zanore

Opozita e bashkuar në “Aleanca për të ardhmen” në ceremoninë e djeshme të hapjes së fushatës zgjedhore, kishte zgjedhur tingujt e “What a Wonderful World” nga Louis Armstrong, e cila shoqëronte folësit në podiumin e Pallatit të Kongreseve. Të rinjtë e shumtë, prezentë dje në këtë ceremoni, kanë mbështetur fjalimet e rastit, ndërsa salla e Kongreseve ishte transformuar në formën e pasarelës nga kalonin folësit dhe kandidatët.

Premtimet

Objektivi për Tiranën e vitit 2020
.    Çdo qytetar të ketë 7 metra katrorë gjelbërim
.    13 linja transporti urban dhe 290 autobusë të standardeve europiane
.    88 kilometra korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik
54 korsi për biçikletat
.    6 linja shërbimi me tramvaj për Tiranën
.    6 parkime rajonale dhe 8 parkime nëntokësore pranë qendrës
.    30 parkime të lëvizshme në blloqet e banimit me sistemin “Karta e Banorit”
.    Zhvillimi i 14 qendrave dytësore urbane, hapjen e qendrave të reja të banimit
.    60% e familjeve do të kenë mundësi të blejnë shtëpinë e tyre me të ardhurat e tyre
.    200 mijë vende të reja pune deri më 2020
.   17 shkolla të reja, plotësimi i nevojave për kopshte, ngritja e kampusit të ri Universitar
.    Krijimi dhe përmirësimi i poliklinikave dhe spitalit bashkiak
.    Pas 8 majit fillojnë nga puna për 1000 apartamente të reja për të pastrehët

Arritjet e bashkisë
.    Vetëm 6 lekë për çdo 100 lekë të shpenzuara shkojnë për të paguar punonjësit e administratës së Bashkisë
.    Biznesi i vogël i paguan 150000 lekë të reja në vit Bashkisë, ndërsa qeverisë qendrore i paguan plot 600000 lekë të reja në vit
.    Taksat për një familje në kryeqytet sot vetëm 550 lekë në muaj
.    Familja kryeqytetase paguan vetëm tri taksa për bashkinë: taksa e ndërtesës, taksa e përkohshme e gjelbër dhe tarifa e pastrimit Vetëm 2% e të ardhurave mujore
.    Qeveria qendrore ka përfituar rreth 270 milionë euro taksa nga ndërtimet në Tirane
.    4 qendra sociale për fëmijët dhe familjet, ku kanë përfituar 2000 fëmijë
.    2 qendra sociale për individë me aftësitë të kufizuara
.    2 qendra sociale për të moshuar, 1 qendër sociale për të rinj
.    33 shkolla të rindërtuara, 7 shkolla të reja, 50000 metra katrorë terrene sportive, 44 shkolla të Tiranës sot kane sistemin e mbrojtjes qendrore
.    33 nxënës për klasë në shkollat 8-vjeçare. Me planin në veprim, vitet në vijim nxënësit do arrijnë në 30 për klasë.
.    Gjelbërimi për banor 4.7 metra katrorë
.    55000 pemë të reja të mbjella
.    Për pak ditë një park i ri prej 50000 metrash katrorë tek Fusha e Aviacionit
.    2.7 milionë metra katrorë rrugë të shtruara në Tiranë
.    Nga 75 pika ndriçimi në vitin 2000, sot kemi 13301 pika ndriçimi në të gjithë Tiranën
.    10 linja të transportit urban. 90% i qytetit i mbuluar me transport urban. Së shpejti, 100% e Tiranës do të jetë e mbuluar nga transporti urban.
.    170 autobusë të rinj me ajër të kondicionuar dhe kamera sigurie tek të gjithë

Hervin Çuli, në krah të Ramës

Regjisori i njohur, Hervin Çuli, dje ishte në krah të Edi Ramës e bëri thirrje për ta votuar atë. Çuli tregoi dje nga podiumi i ceremonisë hapëse metamorfozën e tij në politikë. “Unë jam nga ata që shpreson se gjërat do të ndryshojnë. 6 vjet më parë pranova ftesën për të kontribuar tek KOP-i i Partisë Demokratike. Por Berisha nuk e donte KOP-in për të ndryshuar vendin, por si makijazh të fytyrës dhe trupit të tij të shëmtuar”, u shpreh Çuli. Duke ironizuar takimin e Lulzim Bashës me 31 intelektualët, Çuli tha se “Luli dha leksione jo para intelektualëve, por para kandidatëve për Këshillin Bashkiak të PD-së”.

Nikolla, ish e përndjekur politike

Kryetarja e Njësisë bashkiake Nr.1, Lindita Nikolli, kërkoi dje vota dhe nga shtresa e ish të përndjekurve politikë dhe të persekutuarve, si pjesë e kësaj kategorie sociale. Nikolli u shpreh se ajo dhe prindërit e saj kanë qenë të persekutuar dhe të internuar, duke e bashkuar historinë e saj me persekutimin e një tjetër qytetareje, po me emrin Lindita. Nikolla tha se në 8 maj, vota e socialistëve do të jetë një votë kundër regjimit aktual si vota që rrëzoi sistemin komunist. Nikolla rikandidon për një mandat të ri me koalicionin “Aleanca për të Ardhmen”në Njësinë  bashkiake Nr.1, ku në krah ka dhe Partinë e Punës së Reformuar, me kryetar Marko Dajti.

Një ish-pronar, kandidat i PS

Sadi Vorpsi, kandidati i Partisë Socialiste për Njësinë bashkiake Nr. 8, vjen nga një familje e vjetër dhe tradicionale tiranase. Familja Vorpsi njihet tashmë si pronare e madhe pronash në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij dje në çeljen zyrtare të fushatës së koalicionit opozitar, Vorpsi e nis me fjalën: Mirë se erdhët në Tiranë! Ai kërkoi vota nga të majtë dhe të djathtë, nga ish- pronarë dhe ish të persekutuar, për të rrëzuar pushtetin aktual. Sadi Vorpsi ishte kandidatura e minutës së fundit, e gjetur nga selia rozë për të kandiduar në një zonë tradicionale të tiranasve të vjetër, ndërsa dhe ai vetë dje nuk e fshehu entuziazmin e këtij kandidimi.

Bashkëshortja e Aleks Nikës

Para nisjes së fjalës së Ramës, selia rozë shfaqi pamjet e 21 janarit dhe viktimat e tij. E veja e Aleks Nikës nga Lezha, ishte dje e pranishme para pjesëmarrësve në Pallatin e Kongreseve. Pa e fshehur dhimbjen për humbjen e bashkëshortit, Rajmonda Nika kërkoi nxjerrjen e përgjegjësve të 21 janarit para drejtësisë. “Babai i fëmijëve të mi s’kishte bërë asgjë, thjesht protestoi për një jetë më të mirë. Jam këtu sot për të kërkuar edhe njëherë drejtësi, që vrasësit të dalin para drejtësisë. Ai u vra nga armët e Gardës së Republikës”, u shpreh ajo. Në ceremoninë e përcjelljes së Nikës, Rama dhe deputetët socialistë ishin në shtëpinë e tij.

Gjinushi: Të largojmë kusarët

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, në fjalën e tij ka akuzuar drejtuesit e Aleancës për Qytetarin për korrupsion. “Berisha me dorën e majtë dhe Meta me të djathtën janë bërë bashkë për të vjedhur me të dyja duart. Shqiptarët janë të bindur se korrupsioni ka vetëm një ngjyrë, atë të makutërisë. Prandaj më 8 maj qytetarët do votojnë për aleancën tonë. Banda qeveritare akuzon të majtën për korrupsion, por harron se të akuzuarit ndër vite sot i ka përkrah saj”, ka deklaruar Gjinushi. “Në 8 maj, tha Gjinushi, do ta bëjmë Berishën të kapërcejë ylberin dhe të largohet nga pushteti”.

Ngjela: Duhet votë masive

Kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, e cilësoi votën e 8 majit si një test kundër pushtetit aktual. Ai ka shprehur bindjen e tij se zgjedhjet e 8 majit do të shënojnë edhe fundin e “tiranisë” së qeverisë Berisha, i cili sipas tij synon të mbajë vendin në regres. “Këto zgjedhje do jenë testi ynë për moralin dhe fitorja jonë do të jetë fundi i tiranisë së Sali Berishës. Ky është një fund dhe unë për këtë jam i sigurt, ashtu si dhe ju. Ky pseudokryeministër synon të kërkojë një përçarje të pariparueshme të Shqipërisë dhe të mos lejojë zhvillimin ekonomik të saj”, u shpreh aleati i PS Spartak Ngjela.

Petro Koçi: Nuk kam sy e faqe të kritikoj Ramën

Kreu i PSV91, Petro Koçi, pjesë e koalicionit të majtë, në fjalën e tij bëri një apologji ndaj qëndrimit të mëparshëm ndaj kreut socialist. “Një qytetar më pyeti një ditë: Pse nuk e kritikon më Edi Ramën? Po ku kam sy e faqe unë të kritikoj miqtë e mi socialistë?! Po ku kam sy e faqe që të kritikoj unë Edi Ramën, që është kaq i suksesshëm në Tiranë?! Ne sot duhet të jemi më të bashkuar jo vetëm me Ruçin, por dhe me Ben Blushin, sepse kështu do të fitojmë”, u shpreh Koçi. Duke folur për zgjedhjet e 28 qershorit, Koçi tha që dhe pse ka qenë në koalicion me LSI-në ka bërë fushatë dhe për PS. “Në 2007 unë bëra fushatë dhe votova Edi Ramën. Në 2009, dhe pse isha në një grupim tjetër, unë bëja fushatë për të majtën dhe u thosha njerëzve të votonin nr 33”, u shpreh Koçi. Ai kërkoi votë të bashkuar kundër pushtetit të korruptuar sipas tij.

PS boton broshurën“Blloku i kusarisë”

PS boton broshurën “Blloku i kusarisë”

Broshura më e re e kompozuar dhe hartuar nga Partia Socialiste u shpërnda dje në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Selia rozë e cilëson maxhorancën aktuale qeverisëse si më të korruptuarën, ndërsa jep një seri aferash sipas PS të qeverisë, e cila shpërtheu zemërimin popullor në 21 janar. Libërthi nis me demonstratën e 21 janarit, e cila përfundoi me viktima, ndërsa rreshton 112 afera korruptive sipas socialistëve të qeverisë në vitet 2005-2011. Në skandalet e qeverisë Berisha, 2005-2011, socialistët nisin që me shkarkimet e administratës pas ardhjes në pushtet, me prishjen e Zogut të Zi, ngjarjen e Gërdecit, rrugën Durrës-Kukës, zgjedhjet e 2009, videopërgjimin e Dritan Priftit me Ilir Metën, duke e mbyllur me pasurinë e fëmijëve të kryeministrit Berisha.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura