Rama: “Skënderbej” do jetë spektakolar

Apr 29, 2011 | 9:51

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi dje punimet e bëra në sheshin “Skënderbej” dhe e cilësoi atë si një vepër spektakolare kur të përfundojë.Rama hyri në një nga tunelet e infrastrukturës nëntokësore të sheshit, nga ku do të kalojnë të gjitha instalimet hidrike dhe elektrike të tij, por dhe impiantet e shatërvanëve të sheshit. “Dëshiroj të theksoj se ky është një projekt shumë kompleks, shumë spektakolar, është edhe një projekt shumë i vështirë, është i pari i këtij lloji në vendin tonë, një projekt që realizohet në një hapësirë publike shumë strategjike për lëvizjen brenda për brenda qytetit dhe që kërkon, siç e thashë, një bashkëpunim e mirëkuptim të madh brenda të gjithë aktorëve dhe faktorëve, ku përfshihet si një faktor kryesor komuniteti dhe si aktor kryesor qytetari. Për herë të parë do të kemi një sistemim modern europian të kësaj infrastrukture në një hapësirë publike të kësaj natyre”, tha Rama. Sipas tij, sheshi kryesor i Tiranës i përket totalisht qytetarit. “Sot, me këtë projekt, ky shesh nuk ka më një orientim nga tribuna, nga udhëheqja, një orientim nga të pushtetshmit, por ka një orientim drejt qendrës së tij, drejt pikës qendrore të tij, duke e vendosur qytetarin në epiqendër të të gjithë projektit urbanistik dhe arkitektonik”, u shpreh Rama.
Durrës
Gjatë paradites së djeshme, Rama ishte dhe në Durrës, ku mori pjesë në prezantimin e programit të bashkiakut të këtij qyteti, Vangjush Dako. “Është i madh hendeku mes rrugës sonë dhe rrugës së Saliut. Është e thellë diferenca në krijimin e modeleve të zhvillimit. Detyrimi ynë parësor është ta shohim të nesërmen me forcën e pasionit. Kryeministri sorollatet në Shqipëri. Kryeministri është krenar për asfaltin e shtruar në bashki e komuna. Ky asfalt është detyrimi minimal, por ata nuk kanë model zhvillimi, as në nivel vendor, as kombëtar”, tha Rama. Sipas kryesocialistit, realiteti i koalicionit që ai përfaqëson nuk ka asnjë ngjashmëri me realitetet që tregon Saliu, siç tha ai, vetëm për të marrë votën.
Elbasan
Dje pasdite kreu socialist ishte në një nga lagjet periferike të qytetit të Elbasanit bashkë me kandidatin për këtë bashki, Qazim Sejdini. “Vota është një kapital, i cili investohet për të pasur jetë më të mirë, dhe ky kapital, kur investohet te njeriu i duhur, te forca e duhur politike, kthehet në një rezultat dhe është një investigim i suksesshëm. Sot çdo qytetar dhe qytetare në Elbasan, në qendër apo periferi, mund të shohë atë transformim që katër vjet më parë shumëkush nuk e ka menduar. Pamja e qytetit është transformuar nga një pamje dëshpëruese për shkak të keqqeverisjes për vite me radhë që e la qytetin si të braktisur, duke i hequr gjithçka nga shkëlqimi i traditës së vjetër”, u shpreh Rama. Duke folur për kandidatin e koalicionit të djathtë në këtë bashki, Durim Hushi, Rama e cilësoi atë një shkarravitës të vetvetes. “Ai pretendon që të kërkojë mbështetjen tuaj, pasi ka shkarravitur vetveten, të gjithë ata që ia kanë dhënë votën dhe e kanë çuar disa herë në Parlament për arsyet 100 për qind të kundërta me ato që ia kërkon votën përsëri”. Vota e Durimit është e hedhur kot, sepse nuk ka më durim, durimi ka sosur, dhe është koha për t’i thënë Saliut se s’ka Durim, dhe kurrë më me këtë politikë që rrotullohet e rrotullohet dhe ua ka bërë njerëzve jetën tamam si një cirk. Sot është koha për të vazhduar në rrugën që kemi hapur, dhe e vetmja rrugë është Qazim Sejdini, sepse në rrugën e Qazim Sejdinit ka vend për të gjithë, për socialistët dhe demokratët e zakonshëm”, u shpreh Rama.

Koçi: Beteja për Këshillin Bashkiak

Kryetari i PSV, Petro Koçi, zhvilloi një takim me kandidatët e PSV për anëtarë të Këshillit të Bashkisë Tiranë, të kryesuar nga socialisti Enver Reçi. “Aleanca për të Ardhmen, dhe sidomos PS-PSV, duhet të fitojnë shumicën në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Votat për socialistët e PSV për këshillat bashkiakë nuk i ndajnë, por i bashkojnë socialistët. Pas zgjedhjeve këshilltarët tanë do të jenë pjesë e grupeve të këshilltarëve të PS-së. Ka ardhur koha të nxjerrim mësim nga gabimet e kaluara të së majtës. Unë shpresoj që pas zgjedhjeve të bëhet bashkimi organizativ mes gjithë socialistëve”, u shpreh Koçi.

Gjinushi: Kolegji, vegël e KQZ

Kryetar socialdemokrat, Skënder Gjinushi, e cilësoi Kolegjin Zgjedhor si vegël të KQZ-së dhe qeverisë. Këtë koment Gjinushi e bëri pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të mos e regjistruar këtë forcë politike për Këshillin Bashkiak në qytetin e Shkodrës. “Kolegji po kthehet në një maskë të KQZ-së, komision i cili është kthyer në një kamikaze të Sali Berishës dhe deformimit të zgjedhjeve. Kolegji Zgjedhor merr urdhra politikë, është nën trysni politike. Ne i bëjmë thirrje të çlirohet, të mos bëhet pjesë e manipulimit dhe e shkeljes së barazisë së votës, e garës së ndershme”, u shpreh Gjinushi.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura