Gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, në fushatat elektorale për pushtetin lokal, kur flitet për sukseset apo problemet e pazgjidhura të bashkive e komunave, kanë mbizotëruar e vazhdojnë të mbizotërojnë temat dhe shqetësimet që lidhen kryesisht me transportin, infrastrukturën, cilësinë e ajrit, gjendjen e mjedisit dhe sipërfaqet e gjelbra, shkollat, kopshtet, çerdhet etj. Natyrisht që këto janë e do të mbeten problematikë e rëndësishme për çdo bashki e komunë edhe në të ardhmen, sepse ato lidhen ngushtë me atë që quhet “cilësi e jetës” dhe “standarde bazë shërbimesh për qytetarët”. Por, duke iu referuar dinamikës përcaktuese të zhvillimit të qytetit, duke u mbështetur në konceptet moderne, praktikat dhe eksperiencat bashkëkohore mbi fizionominë dhe përparësitë e drejtimit apo menaxhimit të qyteteve dhe qendrave të rëndësishme urbane, dallohet qartë një këndvështrim i ri: trajtimi i qytetit si një “organizëm ekonomik”. Mjafton t’i referohesh aktivitetit të mjaft bashkive të kryeqyteteve apo qyteteve kryesore europiane, amerikane, apo dhe më gjerë në vendet e zhvilluara të botës, mjafton të shikosh me kujdes website ku pasqyrohet aktiviteti i tyre që të kuptosh menjëherë se problematika “ekonomike dhe financiare”, se orientimi drejt “zhvillimit ekonomik të qytetit” etj., mbizotërojnë dukshëm. Duke parë informacionet publike që japin qytete të rëndësishme si Athina, Roma, Torino, Milano, Lubjana, Zagrebi, Parisi, Marseja, Montpelieri, Lisbona, Barcelona, Praga, Moska etj., gjen rëndom e me shumicë rubrika e zyra të specializuara për “aktivitete prodhuese”, “politika punësimi”, “formimi profesional”, “nxitjen e aktivitetit tregtar”, “të bësh biznes”, “fonde për nxitjen e biznesit”, “mbështetja për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, “transparenca e tregjeve dhe çmimet”, “edukimi ekonomik dhe financiar”, “financim projektesh zhvillimi” etj.
Ky këndvështrim dhe problematikë prioritare e tyre përputhet shumë edhe me faktin se pothuajse në të gjitha sondazhet apo anketimet që bëhen në qytetet e mëdha të Shqipërisë, përfshirë këtu Tiranën, Durrësin, Kukësin, Fierin, Vlorën, Elbasanin, Korçën apo Shkodrën, si prioritete kryesore të qytetarëve evidentohet “punësimi”, “nevoja për zhvillimin e biznesit”, “çmimet dhe fuqia blerëse”, sidomos e shtresave në nevojë, “sasia dhe niveli i taksave vendore”, “struktura e transportit dhe kostot e tij në funksion të aktivitetit ekonomik dhe vendit të punës”, “niveli i varfërisë” etj. Në këto zgjedhje lokale, ndoshta për herë të parë në kulturën elektorale shqiptare, në diskutimet dhe angazhimet e kandidatëve për kryetarë bashkish apo në mjaft raste dhe komunash, po fillon të futet dhe të jenë prezente shqetësimet dhe angazhimet për “rritjen e punësimit”, “mbështetjen e biznesit”, “rritjen e fuqisë blerëse dhe transparencën e çmimeve”, “reduktimi i varfërisë” etj., çka nënkupton një ecje në drejtimin bashkëkohor të konceptimit dhe menaxhimit të institucioneve kaq të rëndësishme e jetike për nivelin e jetesës së qytetarëve, siç janë bashkitë apo komunat.
Në këto kushte dhe sipas kësaj logjike, drejtimi dhe thelbi i menaxhimit të bashkive duhet të synojë maksimalisht: (1) një qytet që prodhon dhe rrit vazhdimisht kapacitetet ekonomiko-prodhuese të tij; (2) një qytet që punëson dhe stimulon vazhdimisht punësimin me instrumente fiskale e mbështetëse që ka në dispozicion; (3) një qytet që informon dhe orienton rregullisht (jo vetëm me iniciativa pilot apo aktivitete të përkohshme) qytetarët me zyra dhe shërbime të veçanta e të specializuara në përshtatje me tregun e punës; (4) një qytet që stimulon krijimin e bizneseve të reja dhe nxit e mbështet direkt e indirekt krijimin e të ardhurave të reja për aktivitetet prodhuese e shërbimet që janë në territorin e tij dhe ku janë angazhuar banorët e tij; (5) që ndihmon bizneset, komunitetet lokale apo qytetarët në hartime e financime projektesh zhvillimi për biznesin apo qytetin; (6) një qytet që krijon partneritet dhe garanci për kreditë apo financime të ndryshme, ku angazhohen bizneset dhe qytetarët e tij, përfshirë këtu dhe partneritetin dhe bashkëpunimin me bankat tregtare; (7) një qytet që bëhet gjerësisht pjesë e rrjeteve apo projekteve rajonale e ndërkombëtare për financimin e zhvillimit urban, iniciativave për zhvillimin e qëndrueshëm, për energjinë e rinovueshme etj.; (8) që ndërton dhe menaxhon me efektivitet një qendër kombëtare e ndërkombëtare panairesh, biznesi apo kulture në funksion të gjallërimit të jetës ekonomike të qytetit; (9) një qytet që bën çdo gjë për “thithjen” dhe organizimin e aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare të të gjitha llojeve duke shtuar të ardhurat, aktivitetet dhe punësimin e qytetit; (10) që i përdor pronat e bashkisë apo të komunës në funksion të shtimit të aktiviteteve ekonomike e financiare kombëtare e ndërkombëtare, etj.; (11) që vendos si një nga objektivat prioritarë të saj “reduktimin e varfërisë dhe barazinë sociale” duke u ndjerë çdo ditë e çdo muaj përgjegjëse për ecurinë e këtij treguesi.
Shkëlqimi apo dobësitë e zhvillimit ekonomik e financiar të qyteteve nuk mund të jenë vetëm në dorën e qeverive dhe pushteteve qendrore për grante apo investime të ndryshme, ashtu si qytetet dhe administrimi i tyre nuk mund të marrin dot atributet dhe kompetencat e qeverive qendrore, por në respekt të këtij konkluzioni, bashkitë dhe komunat duhet të “sillen” dhe ta ndërtojnë aktivitetin e tyre ekonomik e financiar si qeveri të mirëfillta lokale, me strategji e plane zhvillimi ekonomik e social, me buxhete vjetore e afatmesme, me objektiva të matshëm e të garantuar nga shërbimi statistikor, transparentë e lehtësisht të monitorueshëm si nga strukturat e bashkisë, ashtu dhe nga qytetarët. Angazhimet dhe objektivat e pambuluara dhe të garantuara me financimet e nevojshme janë vetëm një dëshirë e mirë e mbetur në letër. Logjika ekonomike apo financiare “e pastër” në drejtimin dhe funksionimin e qyteteve kërkon që çdo vit, çdo mandat, apo çdo fushatë elektorale në emër të qeverisjes së bashkisë, të gjitha objektivat dhe premtimet të kenë paralelisht dhe “kolonën” e mbulimit financiar të tyre. Çdo objektiv duhet të serviret së bashku me koston e tij si dhe me burimet financiare të garantimit të realizimit të tij. “Tradita” jonë, që premtimet e objektivat e zhvillimit jepen në variante maksimale e shpesh tepër “entuziaste”, ndërkohë që burimet financiare të mundshme apo dhe të garantuara të mbulimit të tyre ose nuk përmenden fare, ose përmenden në përgjithësi, duhet të braktiset, pasi kjo mënyrë veprimi ushqen retorikën militante dhe premtimet pa limit që bëhen nëpër fushata zgjedhore.
Gjithmonë duke iu referuar mënyrës se si funksionojnë e menaxhohen bashkitë e qyteteve të zhvilluara europiane, duket se është e domosdoshme të ndërtojnë më shumë dhe më cilësisht se deri tani indikatorë të qartë e të matshëm për çdo objektiv ekonomik, financiar apo social të bashkive e komunave dhe t’i pasqyrojnë ato në planet e zhvillimit, strukturën e të ardhurave dhe buxhetet e tyre, ndërkohë që edhe në strukturat organizative të tyre rekomandohet që të jenë sa më shumë prezente “zyrat apo departamentet” që dëshmojnë se bashkia/komuna e ndien veten maksimalisht përgjegjëse për “nivelin e zhvillimit ekonomik e social të qytetit”, “për punësimin dhe reduktimin e varfërisë”, “për cilësinë, qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e funksionimit të biznesit” etj. Kjo mund t’u japë fund më shpejt dhe debateve pa mbarim e mjaft të tensionuara nëpër këshilla bashkiakë e të komunave, se “çfarë është dhe çfarë nuk është prioritare”, debate që së bashku me vellon politike janë bërë shpesh shkak që të bllokohen për muaj e vite buxhetet e këtyre njësive. Një tentativë e bërë disa vite më parë në shumë bashki e komuna të vendit, në bashkëpunim me UNDP, USAID, etj., kryesisht në kuadrin e “Objektivave të mijëvjeçarit” dhe zhvillimin e qëndrueshëm ishte një përvojë pozitive për të futur kulturën e të punuarit dhe drejtuarit të njësive të pushtetit vendor me objektiva të qartë e të matshëm, me indikatorë cilësorë, me kosto reale për çdo projekt, me buxhete vjetore e afatmesme të ngjashme me ato të qeverisjes qendrore etj. Konsolidimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i kësaj eksperience dhe institucionalizimi i të punuarit në kuadrin dhe formatin që kërkojnë strategjitë e zhvillimit dhe buxhetet do të ishte një kontribut i vyer në qeverisjen cilësore të bashkive dhe komunave të vendit dhe do t’i jepte akoma më shumë sens konceptit të trajtimit dhe menaxhimit të qytetit si organizëm ekonomik.
© Panorama.al












