Xhaferrllari kundër “Aleancës Kuq e Zi”: Deklarimi është vullnetar.
Gjykata Kushtetuese mori dje në shqyrtim kërkesën e tre gjyqtarëve për ndryshimet në masë të kombësisë në Jug dhe në Veri të vendit.Gjyqtarë të rrethit të Sarandës, Përmetit dhe Shkodrës kërkuan heqjen e deklarimit të kombësisë nga gjendja civile, pasi sipas tyre ajo bie ndesh me nenin 20 të Kushtetutës, ku thuhet se “kombësia e fëmijëve shkon në përputhje me kombësinë e prindërve”. Në argumentimin e saj para trupës së nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesja e qeverisë, Marsida Xhaferrllari, mbrojti idenë se ligji për Gjendjen civile është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk e cenon atë dhe kërkoi rrëzimin e kërkesës së gjyqtarëve. Ajo kërkoi që kombësia të mbetet pjesë e gjendjes civile. Xhaferrllari shprehu shqetësimin se nëse hiqet termi kombësi nga gjendja civile, çështja është se sa do të ndikojë kjo më pas në ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve. “Nëse e heqim kombësinë nga gjendja civile, nuk do mundim të regjistrojmë kombësinë e pakicave në territorin shqiptar. Atëherë, të gjitha shtetet e tjera, që janë shtete të kombeve që kanë pakicat e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, me shumë të drejtë mund të zbatojmë parimin e reciprocitetit, që është parimi më i njohur i së drejtës ndërkombëtare publike. Ata mund të adoptojnë rregullime të posaçme në legjislacion dhe të thonë se për hir të parimit të reciprocitetit, meqenëse Shqipëria nuk njeh kombësinë si element të gjendjes civile, atëherë edhe ne, kombasit shqiptarë, nuk do të pranojmë t’i regjistrojmë me kombësi shqiptare në gjendjen tonë civile. Pra kjo çështje duhet parë dhe në këtë këndvështrim, sa ndikon ajo në ruajtjen e identitet kombëtar të shqiptarëve”, u shpreh Xhaferrllari. Sipas saj, ky ligj mbron pakicat kombëtare dhe rregullon dhe padrejtësitë apo gabimet që janë bërë në të kaluarën. Gjyqtarët e konsiderojnë përfshirjen kombësisë në gjendjen civile si shkelje kushtetuese, pasi Kushtetuta nuk e përmend aspak kombësinë si nocion, por vetëm etninë, të cilën shtetasit e deklarojnë në gjendjen civile. “Deklarimi është vullnetar. Në momentin që pakicat kanë fituar statusin e tyre, mbetet në vullnetin e tyre të deklarohen. Nëse marrin kombësi shqiptare, ata nuk kanë statusin e pakicës dhe nuk e ndryshojnë dot më kombësinë. Ajo mbetet”, u shpreh Xhaferrllari. Një nga ankimuesit e ligjit, gjyqtari i Sarandës, Alltun Çela, e cilëson antikushtetues ligjin e gjendjes civile. “Në këndvështrimin e pretendimeve të parashtruara në kërkesë, kërkesa e ligjit me të cilën shtetasit detyrohen të deklarojnë kombësinë e tyre në aktin e lindjes si dhe mënyra që parashikon ligji për të ndryshuar kombësinë, vijnë në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese, sipas të cilave, shtetasit, pavarësisht se cilës pakicë kombëtare i përkasin, nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre qoftë kombëtare, etnike, gjuhësore apo letrare”, shprehet Çela në kërkesën e tij.
Padia
Kërkesa e kreut të Gjykatës së Sarandës mori shkas sipas tij, nga padia e Vasillaq Kocalenit dhe Vjoleta Kocaleni, të lindur në vitin 1980 dhe 1979. Ata kanë paditur Gjendjen Civile të Sarandës në fillim të këtij muaji me objekt: “Deklarimin e pavlefshëm të lindjeve në lidhje me përbërësin e kombësisë së paditësve, duke kryer ndryshimin e përbërësit të kombësisë në regjistrat e palëve të paditura nga ‘shqiptare’ në ‘greke’, duke qenë se është bërë në kundërshtim me ligjin dhe duke qenë se është dëshira jonë”. Në këtë pikë, Çela kërkon zgjidhjen nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Bashkëpunimi
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, dhe homologu i tij kosovar, Enver Hasani, nënshkruan pak ditë më parë në Tiranë marrëveshjen e “Bashkëpunimit reciprok dhe ndihmën e ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.” Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm për institucionalizimin dhe promovimin në vazhdimësi të marrëdhënieve të bashkëpunimit reciprok midis dy gjykatave kushtetuese, ndërsa prezentë ishin të dyja trupat e gjyqtarëve.
Argumentet ne Kushtetuese
Pretendimet e gjyqtarëve
. Kombësia nuk ka pse të deklarohet, siç pohohet në ligjin e Gjendjes Civile, pasi ajo merret si e mirëqenë
. Ligjin nr.10129, datë 11.05.2009 “Për Gjendjen Civile” , “elementi “Kombësi” është përcaktuar si element përbërës i gjendjes civile të një shtetasi shqiptar, duke detyruar në këtë mënyrë çdo shtetas që të deklarojë kombësinë e tij
. Në kundërshtim me përcaktimin e një dispozite kushtetuese, ligji “Për Gjendjen Civile” ka vendosur detyrimin që kombësia, si përkatësi etnike e një personi, të evidentohet në regjistrat e gjendjes civile
. Ligji krijon padrejtësi ndaj shtetasve të lindur para hyrjes në fuqi të tij dhe atyre që kanë lindur pas hyrjes në fuqi të tij, sa i takon deklarimit të kombësisë
Pretendimet e qeverisë
. Deklarimi i kombësisë për pakicat është vullnetar dhe krijon një tablo të qartë të identitetit kombëtar
. Ligji rregullon ato padrejtësi që i janë bërë pakicave gjatë regjistrimit të kombësisë së prindërve, gabime në regjistrim apo dhe detyrime për ta shprehur kombësinë
. Nga ana statistikore, deklarimi i kombësisë dhe i pakicave do të ndihmojë shtetin dhe qeverinë të përshtatë politikat e saj për këto komunitete me nevoja sociale
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











