Industria me fason do të punojë pa taksa doganore. Edhe pse akoma një vendim zyrtar, kreu i qeverisë e hapi mbledhjen e djeshme pikërisht me këtë lajm.Sipas Berishës, “qeveria vendos që tarifën doganore prej 12.5 për qind për mallrat e kësaj industrie ta bëjë zero”. Një ulje e ndjeshme kjo, premtim politik para fushatës elektorale të vitit 2009. Në këtë industri, kryesisht prodhimi i këpucëve dhe konfeksioneve të tjera, janë të punësuar më shumë se 100 mijë shqiptarë. Por përveç efektit elektoral të kësaj nisme, Berisha gjeti dje një tjetër arsye, globaliste, për marrjen e këtij vendimi. “Ndërkohë, revolucioni i jaseminëve i vendeve arabe, i cili përbën një zhvillim të madh për njerëzimin dhe lirinë e tij në tërësi, për kombin arab në veçanti, ka krijuar një situatë, në të cilën një numër i konsiderueshëm i pronarëve dhe sipërmarrësve që prodhonin në këto vende, dëshirojnë të vijnë në Shqipëri, duke e konsideruar atë si vendin me klimën më të përshtatshme për biznesin në Europën Juglindore. Kjo përbën një mundësi të madhe reale jo vetëm për fuqizimin e prodhimit, por edhe për punësimin e qytetarëve shqiptare dhe luftën me eficiencë ndaj papunësisë”. Në këtë mënyrë, duket se Shqipëria po shfrytëzon edhe efektet e para të zhvillimeve globale. Por efekti që do të japë kjo nismë në buxhet, është i madh. Berisha nuk e tha shifrën, por pranoi se buxheti i shtetit do të pësojë një rrudhje. “Nuk mund të themi se kjo nuk ka implikacione në buxhetin e shtetit”. Sipas Berishës, kjo mungesë pritet të kthehet me rritjen e punësimit, aktivitetit privat dhe konsumit e mirëqenies, si përfundim. “Rritja e eksporteve është qartësisht më e madhe, sesa rritja e importeve dhe në këtë mënyrë, ne po ecim me hapa të sigurt drejt ngushtimit gjithnjë e më të madh të kësaj disbalance. Dua të theksoj se Shqipëria mund të jetë i vetmi vend që në një hark kohor dyvjeçar arrin të dyfishojë eksportet e saj. Eksportet e vitit 2010-2011 do të jenë dy herë më të mëdha se ato të vitit 2008-20009, gjë përbën një arritje vërtetë shumë të madhe. Në rast se ky trend vazhdon, ekonomia shqiptare do të ketë një balancë tregtare të papërfillshme, më vonë edhe pozitive.”
12 per qind
ishte mesatarisht taksa doganore për prodhimet me fason. Pra, për prodhimet për rieksport. Sipas Berishës, kjo taksë do të bëhet zero dhe pritet të rrisë investimet e huaja në vend
Shtohet numri i punonjësve
Vetëm pak javë para zgjedhjeve lokale, qeveria ka rritur numrin e të punësuarve me kontratë. Sipas vendimit të djeshëm, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2011, në njësitë e qeverisjes qendrore, është 1265 veta. Në total, shtohen 95 punonjës shtesë. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi duhet të përballohen nga shpenzimet korrente të njësive të qeverisjes qendrore, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2011. Punonjësit do të jenë sezonalë, dhe pritet që në
fund të vitit të largohen sërish nga puna.
Korcë, 4 mijë m2 për myslimanët
Qeveria u ka dhënë dje myslimanëve të Korçës 4 mijë metra katrorë. Vendimi parashikon që një tokë shtetërore të kalojë për Myftininë e Korçës, si kompensim për tokat e tjera të zëna. “Kalimin në fondin e kompensimit fizik të truallit, pronë shtetërore, me sipërfaqe 4 mijë m², të ndodhur në Korçë, e cila vihet në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.” Kjo e fundit pas “verifikimit përfundimtar të pronësisë së truallit për fondin e mësipërm, e përdor atë për kompensimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Myftinia Korçë”.
400 subjekte
rreth 400 subjekte private janë të regjistruara se punojnë me fason në Shqipëri. Sipas të dhënave në këtë industri janë të punësuar mijëra të punësuar në të gjithë vendin. Lënda e parë për fasonistët vjen nga jashtë dhe prodhimi rieksportohet
NERTILA MAHO
© Panorama.al











