Partia Socialiste do të dërgojë në Kolegjin Zgjedhor dy vendime të marra pak ditë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, lidhur me ndryshimin e disa qendrave të votimit në Njësinë 4 dhe 9.Këtë e bëri të ditur dje përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, i cili i kërkoi administratës së KQZ-së që të zbardhë sa më shpejt vendimet për t’i dërguar brenda afatit pesëditor në Gjykatën Zgjedhore. Dy vendimet janë miratuar në mbledhjen e KQZ-së në 13 prill dhe dita e sotme është afati i fundit.
Qendrat e votimit
Partia Demokratike i kërkoi KQZ-së që të rikthejë në vendin e mëparshëm 2 qendra votimi, të cilat kryetari i Minibashkisë Nr. 9, i kishte nxjerrë jashtë territorit të tyre. “Në Minibashkinë Nr. 9, Qendra e Votimit Nr. 1959 ishte brenda territorit të zonës, e cila ishte në lokalin privat të Kalosh Matrazit. Në 2009-n u nda në dy qendra, që ishin brenda së njëjtës qendër banimi. Papritmas, dy qendrat kalojnë në territorin e një qendre tjetër votimi. Në këtë rast është shkelur Kodi Zgjedhor. Qëllimi ishte që qytetarët të mos dinë ku të shkojnë të votojnë. Ne kërkojmë që ato të kthehen aty ku kanë qenë”, tha Kosovrasti. Gjatë diskutimit të kësaj çështjeje, përfaqësuesit ligjorë të PS-së dhe tre anëtarët e KQZ-së u shprehën se kërkesa nuk mund të shqyrtohet nga KQZ-ja, pasi është jashtë kompetencës së saj. “Unë them që në thelb kjo është një kërkesë ankimore, sepse ankimon një vendim të pushtetit vendor. Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, nenit 124, që bën fjalë për ankimimet, ky kapitull i jep të drejtë KQZ-së që të shqyrtojë vetëm kërkesat ankimore që kanë lidhje me vendimmarrjen e KZAZ-ve. Kjo kërkesë, që në thelb është kërkesë ankimore, nuk është në kompetencë të KQZ-së për ta shqyrtuar”, tha Subashi. Në fund, KQZ-ja vendosi të pranojë kërkesën e PD-së dhe të rikthejë në vendin e mëparshëm 2 qendrat e votimit. Për sa i përket Njësisë 4, Partia Demokratike kërkoi që 7 qendra votimi, të cilave u ishte ndryshuar vendi, të ktheheshin në atë zonë ku ishin në 2009-n. Pas diskutimeve u vendos që kërkesa e PD-së të pranohet vetëm për katër qendra votimi, ndërsa tre të tjera do të qëndrojnë në vendndodhjen e re, me argumentin se për lëvizjen e tyre qytetarët janë informuar në kohë.
ADI SHKEMBI











