Tre të rinj, mes të cilëve edhe një femër mbetën të plagosur dje me armë zjarri.Ngjarja ndodhi në superstradën Kavajë-Durrës, teksa autorët e ngjarjes i kanë ndjekur me shpejtësi me makinë, madje duke i goditur disa herë nga pas, me qëllim që t’i nxirrnin ata nga rruga. Burime të policisë bënë të ditur se ngjarja ndodhi në aksin rrugor Kavajë-Durrës, ku mbetën të plagosur Redion Balliu dhe Erald Mustafa, që të dy 26 vjeç, si dhe Fjoralba Fetaliu, 20 vjeçe. “Tre personat e mësipërm kanë qenë duke udhëtuar me mjetin tip ‘Volksvagen Golf’ me targa gjermane DVWAX 111. Mjeti është provokuar për të dalë nga rruga, ndërsa më pas kur kanë rënë në një kanal, ata janë qëlluar disa herë me armë zjarri”, bëri të ditur policia.
Sipas burimeve spitalore, 20-vjeçarja Fjoralba Fetaliu është plagosur në këmbë, si dhe në kurriz, në afërsi të shtyllës kurrizore. Dy djemtë që ndodheshin me të në makinë kanë marrë plagë nga armët e zjarrit në kokë dhe trup. Mësohet se Erald Mustafa dhe Redion Balliu janë aktualisht në gjendje kome. Ndërsa 20-vjecarja, e cila është në gjendje më të mirë shëndetësore, ka dhënë disa hollësi për rrethanat si është shkaktuar aksidenti, dalja e makinës dhe të shtënat. Policia e Kavajës i ka kërkuar policisë së Durrësit bashkëpunim, për të gjetur shkaqet mbi një konflikt të mundshëm që kanë pasur të rinjtë, duke ndjekur pikërisht pistën e hakmarrjes.
“Fillimisht automjeti ka devijuar nga rruga, duke përfunduar në kanal, ndërsa më pas janë qëlluar nga persona ende të paidentifikuar me armë zjarri. Autorët kanë qenë duke e ndjekur makinën me të cilin po udhëtonin tre të rinjtë dhe i kanë goditur me mjetin e tyre, duke i hedhur në kanal. Më pas janë afruar dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre”, bënë të ditur burime nga policia e Kavajës. Pas ngjarjes, autorët e saj janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa në vend mbërritën forca të shumta të policisë së Kavajës dhe të Durrësit. Ata janë sinjalizuar nga drejtues të tjerë të mjeteve, të cilët janë bërë dëshmitarë të ndjekjes hap pas hapi të njëri mjet nga tjetri, e deri në aksidentin e viktimave të cilët ranë në kanal. Burime nga policia bënë të ditur se të plagosurit Redion Balliu dhe Erald Mustafa njihen si persona me precedentë. Ata madje ishin shpallur në kërkim nga policia e Durrësit, për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”. Të njëjtat burime bënë të ditur se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje. Dy të plagosurve që ndodhen në sallën e reanimacionit iu është prerë edhe fleta e arrestit nga policia e Durrësit.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











