Opozita ka hedhur dje gjatë seancës parlamentare dyshimet e saj se marrëveshja me koncesionarin për pullat e sigurisë për ilaçet po favorizon kompaninë, që të rrisë fitimet e saj.Ndërkaq, jo pak është diskutuar mbi efektin që do të ketë në çmim futja e këtij sistemi të ri kontrolli përmes pullës së dyfishtë. Deputetët e mazhorancës kanë mbrojtur ndryshimin në ligjin për barnat, kurse ministri i Financave, Ridvan Bode, ka argumentuar se efekti i këtij ndryshimi në çmimin e ilaçeve do të jetë shumë i vogël dhe do të përballohet nga prodhuesit ose zinxhiri i shpërndarjes. “Ne kemi pasur dhe më herët pulla, por pulla e dyfishtë do të ketë një kosto jo shumë të lartë, ose më saktë, me shifra do ketë një kosto 0.8 lekë për njësi të tregtueshme, jo për aspirinë, por për një pako aspirina dhe këtë rritje e përballon rrjeti i shpërndarjes dhe prodhimit”, u shpreh Bode. Jo kaq të sigurt për mosndryshimin e çmimit janë shprehur deputetët e Partisë Socialistë, të cilët kanë marrë si shembull vendosjen e TVSH-së 10 për qind për barnat, çka rriti menjëherë çmimet po 10 për qind. “Kur vumë TVSH-në tek barnat, ju thatë që nuk do kishte rritje çmimi pas studimeve që kishin kryer ekspertët tuaj. Po ja që u rritën çmimet me 10 për qind. Kjo është një kuti amoksicilinë që përdoret goxha në Shqipëri, çmimi në Itali në euro është 3.6 euro, çmimi i vënë nga Qendra e Barnave është 720 lekë. Ky bar nuk ka pse të kushtojë në Shqipëri 40 për qind më shumë se në Itali”, tha deputeti Ilir Beqja. Një tjetër pikë me të cilën është mbrojtur ndryshimi në ligjin për barnat nga mazhoranca, ka qenë kontrolli i imtësishëm që do t’i bëhet sistemit farmaceutik në vend dhe kjo sipas tyre do të rrisë edhe cilësinë e barnave. “Janë 7 elementë të dukshëm dhe 14 të padukshëm në pullat e sigurisë, të cilat mund të shihen vetëm përmes detektorëve të inspektorëve të kontrollit. Kjo do të rrisë cilësinë. Ndërkaq, një pikë tjetër që do të favorizohet është ajo e skemës së rimbursimit të ilaçeve, ku tashmë përmes kontrollit do të identifikohet qartë dhe do të përfitojnë nga skema ata që vërtet duhet dhe do shmangen abuzimet”, tha ministri Bode. Mazhoranca dhe opozita janë përplasur në deklarata lidhur me sistemin farmaceutik në vend dhe sistemin shëndetësor në përgjithësi, duke fajësuar njëra-tjetrën për periudhat e tyre të qeverisjes. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, kundërshtoi deklaratën e deputetit të PD-së, Flamur Noka, i cili akuzoi opozitën se në kohën e saj spitalet ishin një mejhane e vërtetë. “U tha që në 2005 i gjetëm spitalet mejhane. Po mejhane janë ende sot dhe nuk kanë asnjë lloj përmirësimi, për aq kohë sa Kryeministri i vendit apo ministri i Shëndetësisë për të kryer ndonjë ndërhyrje të lehtë apo thjesht për të marrë një shërbim, i drejtohen spitaleve private”, tha Braçe. Në fund të seancës, projektligji pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, u miratua me votat e mazhorancës.
DEBATI NE PARLAMENT
Tritan Shehu: Futja e pullës së dyfishtë ka një bazë të rëndësishme në rritjen e cilësisë. Identifikimi i barit nga prodhuesi tek pacienti; Ky është një hap para dhe në përputhje me standardet që ne kërkojmë për sistemin farmaceutik shqiptar.
Ilir Beqja: Zoti Shehu tha që është gjë shumë e mirë. Po, është gjë shumë e mirë, por nuk duhet të vinte SIPCA dhe të na tregonte pullën e dyfishtë. Erdhi SIPCA që na mësoi ne shqiptarëve që duhet pullë e dyfishtë, po pse? Se do të ketë më shumë para në kontratën e vet. Këtu është arsyeja. Praktikisht, pajtohem me elementët përfitues teknikë, por përsëris, pse sot. Pse sot? Edhe doktor Falmuri (Flamur Noka) e di që SIPCA e kërkoi. Doktor Flamuri që prej disa vitesh në Komisionin e Ekonomisë pse nuk ka folur për këtë pullë të dyfishtë, por erdhi SIPCA dhe vendosëm pullë të dyfishtë?
Flamur Noka: Ky projektligj është produkt i objektivave të kësaj qeverie. I luftës për të luftuar informalitetin në këtë treg të dominuar nga kontrabanda. Është luftë për të rritur cilësinë dhe shmangur evazionin. ISKSH ka mundësi të kontrollojë çdo recetë që u jepet pacientëve në gjithë territorin e Shqipërisë. Shmangien totale dhe ka zero shans për të bërë me kontrabandë, siç është bërë rëndom në kohën tuaj. Kontrollon barnat nëpër pikat doganore.
Erion Braçe: E nderuar zonjë, nuk e di në keni pasur në vëmendje faktin që ka tre ditë që mediat sjellin para syve Emiljanon. Një fëmijë i mitur që vuan nga një sëmundje e rëndë dhe që vjen vërdallë me të atin, sepse në atë qendër spitalore nuk shërbehen ilaçet që ta bëjnë dhimbjen më të lehtë. Ky shtet nuk i gjendet qytetarit.
Ridvan Bode: Pullat do të kenë 7 elementë të dukshëm të cilësisë dhe 14 të padukshëm, duke filluar nga emri i produktit, doza e produktit, identifikuesi i produktit, emri i prodhuesit, identifikuesi i prodhuesit, numri i pjesës ose ngarkesës, sasia e importuar me këtë numër, pjesë e kësaj ngarkese që ka ardhur në Shqipëri, data e skadimit, data e prodhimit, çmimi i produktit, numri dhe data e certifikatës së regjistrimit etj.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











