“PS nuk është parti e përsosur” – Rama në Fier: Por jemi forca e interesit kombëtar! Kërkojmë fitoren për të vulosur Rilindjen e Shqipërisë si zonjë në sallonin e BE-së

May 7, 2025 | 21:04

Kryeministri Edi Rama mbylli sot fushatën elektorale në qytetin e Fierit.

fier rama

Rama kërkoi votën për një mandat tjetër për të përmbushur misionin e tij të Shqipërisë në BE.

Kryeministri theksoi se PS nuk është një parti e përsosur, por mbetet e vetmja forcë e interesit kombëtar.

Rama shtoi se PS kërkon përmbushjen e amanetit të Skënderbeut dhe rilindësve.

Rama: I drejtohem barrës suaj të madhe, si kryeqyteti i socialistëve. I drejtohem përgjegjësisë suaj të madhe si qendra e gravitetit të partisë sonë. Nga ku duhet të shpërndahet në gjithë Shqipërisë fryma e papërmbajtshme e një fitoreje të paparë deri më sot. Sepse PS mund të ketë bërë shumë gabime qysh në lindjen e saj. Nuk ka qenë e përsosur, por PS ka dy gjëra që asnjë parti tjetër nuk i thotë dot se i ka.

Partia më e madhe e shqiptarëve, e dyta kjo parti qysh se ka hedhur hapin e parë në jetë nuk e ka cenuar kurrë interesin kombëtar. Kjo është forca e interesit kombëtar, është forca më kuqezi e Shqipërisë. Ka misionin ta mbajë në krahë Shqipëri dhe ta ngjisë në majën ku ne do shlyejmë  amanetin e të parëve tanë. Do vëmë në vend amanetin e rilindasve që e lanë të shkruar se dielli për shqiptarët lind atje ku perëndon.

Edhe atë thirrjen që u shpërnda në gjithë anët e Shqipërisë E duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Na ka rënë ne kjo përgjegjësi. Ju ka rënë kryeqytetarëve socialist të jeni lokomotiva e fitores së madhe. Kjo është një fitore për të përmbushur një mision. Nuk është fitore për një tjetër qeveri, por për të vulosur Rilindjen e Shqipërisë si zonjë në sallonin e madh të Evropës së bashkuar.

© Panorama.al

Te lidhura