Reforma (terr)itoriale

Jul 28, 2026 | 8:40

RAFAEL FLOQIRAFAEL FLOQI

Partia Socialiste ka para qitur katër variante për hartën e re territoriale. Në pamje të parë, duket si një menu e pasur reformash. Në thelb, dilema është më e thjeshtë: cilat bashki do të mbeten, cilat do të zhvishen nga kompetencat dhe cilat do të zhduken me termin elegant “konsolidim”. Përrenjasi e kuptoi përkthimin e këtij fjalori burokratik. Banorët protestuan kundër mundësisë që qyteti të humbasë statusin e bashkisë dhe të bashkohet me Librazhdin. Ata nuk duan të përshkojnë dhjetëra kilometra për një dokument dhe paralajmërojnë se largimi i institucioneve do ta përshpejtojë shpopullimin. Qeveria flet për efikasitet. Banorët flasin për distancë. Ekspertët matin kapacitetet. Qytetarët numërojnë kilometrat. Secili, me sa duket, ka hartën e vet.

VARIANTI I PARË: BASHKITË MBETEN, KOMPETENCAT UDHËTOJNË

Varianti i parë ruan 61 bashkitë dhe kufijtë e vitit 2014, por propozon “decentralizim asimetrik”. Funksionet bazë do t’i ushtrojnë të gjitha njësitë, ndërsa përgjegjësitë më të ndërlikuara do t’u jepen vetëm bashkive që konsiderohen të afta. Kështu, bashkia mund të vazhdojë të ekzistojë në tabelë, por jo domosdoshmërish në vendimmarrje. Mund të ketë kryetar, zyrë, flamur dhe vulë, ndërsa kompetencat mund t’i ushtrojë dikush tjetër. Një lloj pushteti vendor dekorativ: duket bukur në hartë dhe bezdis pak qeverinë qendrore.

VARIANTI I DYTË: SA MË E MADHE BASHKIA, AQ MË LARG QYTETARI

Skenari i dytë parashikon bashki më të mëdha dhe një konsolidim të thellë territorial. Më parë socialistët kishin përmendur një hartë me 36 bashki, tani numri nuk përcaktohet.

Ndoshta sepse është më e lehtë të diskutosh për “kapacitete institucionale” sesa t’u tregosh qyteteve se cilat do të fshihen nga harta. Avantazhi i shpallur është barazia funksionale. Të gjitha njësitë e reja do të kishin mundësi të kryenin të njëjtat detyra. Qytetari mund të jetë më larg sportelit, por të paktën sporteli do të jetë institucionalisht i barabartë me sportelet e tjera.

VARIANTI I TRETË: SHKRIRJE, POR ME MASË

Varianti i tretë propozon ndërhyrje vetëm në qarqe të caktuara. Njësitë me kapacitete të kufizuara do të bashkohen, ndërsa disa funksione do t’i kalojnë qeverisë qendrore, bashkëpunimit ndër bashkiak ose nivelit të dytë vendor. Formula është e njohur: një bashkie nuk i jepen burime të mjaftueshme, pastaj ajo vlerësohet si e paaftë dhe në fund shkrihet për mungesë kapacitetesh. Është si t’i presësh dikujt këmbët dhe më pas të hartosh një raport profesional ku konstaton se nuk di të ecë.

VARIANTI I KATËRT: HARTA NDRYSHON, NUMRI MBETET MISTER

Skenari i katërt propozon zvogëlimin e disa bashkive dhe kalimin e pjesëve të tyre te njësitë fqinje. Dokumenti nuk sqaron nëse numri i përgjithshëm i bashkive do të rritet apo do të ulet. Pra, dimë se do të ketë reformë, por jo çfarë rezultati do të prodhojë. Një paqartësi që në politikën shqiptare nuk përbën mangësi, përkundrazi, krijon hapësirën e nevojshme që kufijtë të përshtaten me nevojat e çastit.

NGA QARQE NË RAJONE: EMRI I RI I NJË PROBLEMI TË VJETËR

PS-ja propozon gjithashtu krijimin e rajoneve. Në skenarin e parë, 12 qarqet do të kthehen në 12 rajone, ndërsa bashkitë do të mbeten të pandryshuara. Ndryshon emërtimi dhe reforma fiton menjëherë tingull europian. Skenari tjetër e shoqëron krijimin e rajoneve me shkrirjen e bashkive që nuk kanë “performuar mirë”. Ende nuk dihet se kush do ta japë notën përfundimtare dhe nëse performanca do të matet me shërbimet, financat, popullsinë apo rezultatin zgjedhor.

NËNTË MUAJ PUNË, NJË AFAT I RI

Partia Socialiste nuk ka zgjedhur publikisht asnjërin variant, duke ia lënë vendimin Komisionit të Reformës Territoriale. Komisioni, pas nëntë muajsh pune, nuk arriti të prodhonte një propozim konsensual. Afati i 14 korrikut përfundoi dhe tani duhet shtyrë. Në këtë pikë, produkti më konkret i komisionit është nevoja për më shumë kohë. Nëse synohet që harta e re të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027, reforma duhet të përfundojë të paktën gjashtë muaj përpara tyre. Pikërisht këtu gjeografia administrative fillon të ngjajë çuditërisht me matematikën elektorale: çdo kufi i ri mund të ndryshojë jo vetëm institucionet, por edhe votat, mandatet, fondet dhe zonat e ndikimit. Përrenjasi është vetëm paralajmërimi i parë. Pas tij mund të reagojnë edhe qytete të tjera që rrezikojnë të humbasin administratën, investimet dhe përfaqësimin e drejtpërdrejtë. Në letër, Reforma Territoriale 2 synon ta afrojë pushtetin me qytetarin. Në terren, qytetari po pyet sa kilometra do t’i duhet të udhëtojë për ta gjetur pushtetin. Dhe ndërsa bashkitë mund të zvogëlohen, të bashkohen ose të shkrihen, një institucion duket se del gjithmonë më i madh nga çdo reformë: pushteti qendror.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura