Fejton
Nga THOMA GËLLÇI
Pas shumë vitesh qeverisjeje, zgjedhjesh, protestash, sondazhesh dhe emisionesh televizive, pushteti arriti më në fund të ndërtojë klasifikimin e plotë të popullit shqiptar.
Ndarja në të majtë dhe të djathtë u konsiderua e vjetruar. Ndarja në të pasur dhe të varfër u hoq, sepse krijonte shqetësime sociale. Edhe ndarja në të punësuar dhe të papunë u quajt e panevojshme, pasi shumë të punësuar jetojnë si të papunë dhe shumë të papunë figurojnë si të punësuar.
Prandaj u vendos që populli të ndahet zoologjikisht. Për këtë qëllim u ngrit Shtabi i Përbashkët për Studimin e Shpendëve Politikë, nën kryesimin e Taulant Ballës dhe Flamur Nokës.
Mbledhjen e parë e hapi Taulant Balla.
– Shokë dhe kundërshtarë, – tha ai, – duhet t’i japim fund paqartësisë. Populli duhet të dijë se çfarë shpendi është.
Flamur Noka kundërshtoi përdorimin e fjalës “shokë”, por pranoi pjesën tjetër të propozimit.
Pas kësaj, Shtabi filloi punën.
Kategoria e parë ishin flamingot.
Flamingot përfaqësojnë pjesën më të bukur të popullit. Ato dalin mirë në fotografi, krijojnë pamje turistike dhe mund të përdoren në fjalimet për Shqipërinë moderne. Qeveria thotë se me flamingot ka qenë gjithmonë në rregull. Protesta e tyre ishte e bukur, paqësore dhe me ngjyra.
Vetëm se, kur flamingot protestonin, kundër tyre u përdorën të gjitha bateritë e pushtetit. U quajtën agjentë iranianë, grekë, rusë, serbë, armiq të turizmit, sabotatorë të ekonomisë dhe njerëz që donin t’i prishnin Shqipërisë imazhin ndërkombëtar.
Por te shkuara, te harruara!
Pas flamingove u diskutua çështja e korbave dhe sorrave.
Korbat ndahen në dy grupe të mëdha: korbat demokratë që mendojnë se duhet të ikë Rama dhe të vijë Berisha dhe korbat socialistë që mendojnë që Berisha mund të rrijë sa kohë që është mbështetje për Ramën.
Sorrat janë më të rrezikshme. Ato janë edhe kundër qeverisë, edhe kundër opozitës. Nuk pranojnë të zgjedhin midis dy tufave të vjetra dhe kërkojnë që të ndryshojë gjithë mënyra si drejtohet vendi. Këta klasifikohen si rrezik kombëtar.
Më pas nisi debati për bufin e kënetës.
Sipas Edi Ramës, bufi i kënetës është Sali Berisha. Kjo krijoi një problem të madh shkencor, sepse disa anëtarë të shtabit mendonin se bufi është shpend i mençur, ndërsa të tjerë këmbëngulnin se, kur jeton në kënetë, humbet të gjitha cilësitë pozitive.
Taulant Balla lexoi përkufizimin zyrtar: “Bufi i kënetës është shpend që del kryesisht në mbrëmje, flet gjatë, sheh armiq gjithandej dhe pretendon se vetëm ai e njeh rrugën për të dalë nga këneta.”
Pas dy orësh diskutimi, shtabi vendosi që bufi i kënetës të ruajë statusin e tij të veçantë. Ai nuk futet as te flamingot, as te korbat dhe as te sorrat. Është një specie e vjetër politike, e cila ushqehet me kujtime, beteja historike, akuza, denoncime dhe rikthime të përhershme. Problemi i bufit është se e paraqet veten si kundërshtar të kënetës, megjithëse ka jetuar në të për dekada dhe njeh çdo cep të saj.
Pastaj erdhi radha e pulave.
Pulat janë kategoria më e madhe dhe më e dobishme e popullit. Ato nuk protestojnë, nuk bëjnë pyetje, nuk kërkojnë dorëheqje dhe nuk shqetësojnë rendin. Pula çohet në mëngjes, shkon në punë, paguan taksat, paguan energjinë, paguan ujin, paguan ilaçet, paguan shkollën e fëmijëve dhe në mbrëmje shikon në televizion se ekonomia po ecën shumë mirë. Ajo mund të mos ketë para, por nuk ngrihet. Mund të jetë e zemëruar, por hesht. Mund të mos besojë askënd, por ditën e zgjedhjeve shkon dhe voton njërin nga ata që njeh prej tridhjetë vjetësh.
Pula është kategoria më e mirë, sepse bën vezë. Ajo prodhon, paguan, ushqen sistemin dhe nuk kërkon as pjesë në fitim, as shpjegime. Edhe kur ia marrin vezët, ajo vazhdon të rrijë në kotec dhe shpreson që vitin tjetër t’i lënë të paktën njërën.
Shtabi miratoi menjëherë një program kombëtar për ruajtjen e qetësisë së pulave. Programi parashikon më shumë spektakle, më shumë debate televizive, më shumë koncerte dhe më pak informacion për mënyrën si shpenzohen paratë publike. Me propozim të Flamurit u shtua se pulave u lejohet që të kakarisin në qymez.
Pas pulave erdhi radha e gjelave.
Gjelat janë drejtorët, shefat, përgjegjësit, kryetarët e degëve, administratorët, këshilltarët dhe të gjithë ata që kanë një zyrë, një vulë dhe të paktën tre vartës. Gjithë ditën këndojnë për sukseset e qeverisë. Zgjohen herët jo për të punuar, por për të lajmëruar të tjerët se dita ka nisur falë tyre. Çdo gjel mendon se dielli lind sepse ai këndon. Kur ndryshon pushteti, gjeli mund të ndryshojë edhe këngën. Nuk ka rëndësi melodia, mjafton të ruajë kotecin, makinën, telefonin dhe vendin e parkimit.
Gjelat e administratës dallohen nga krehri i kuq, kostumi i errët dhe gatishmëria për të thënë “po, shef” para se shefi të ketë mbaruar fjalinë. Një drejtor rilindas këndon tri herë në ditë: në mëngjes për reformën, në drekë për rezultatet dhe në darkë për vizionin e udhëheqjes.
Papagajtë u klasifikuan si një kategori më vete. Papagajtë janë analistët, komentuesit, zëdhënësit që përsërisin të njëjtat fjali në çdo studio televizive. Ata nuk kanë nevojë të mendojnë. U mjafton të mësojnë disa shprehje: “reforma po ecën”, “opozita ka frikë nga drejtësia”, “qeveria është në panik”, “populli e dha përgjigjen”, “kjo protestë është e financuar” dhe “Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë”.
Papagalli socialist flet për sukseset e qeverisë. Papagalli demokrat flet për fundin e saj. Të dy ushqehen nga i njëjti ekran. Nëse ndërrojnë studio, nuk humbasin orientimin. Nëse ndërrojnë parti, duhet vetëm të mësojnë tekstin e ri.
Pëllumbat janë diplomatët dhe ndërkombëtarët. Ata vijnë me mesazhe paqeje, stabiliteti dhe dialogu. Ulen mbi çdo godinë qeveritare dhe lëshojnë deklarata të buta për rëndësinë e institucioneve. Pëllumbi ndërkombëtar shqetësohet shumë për demokracinë, por vetëm deri në pikën ku demokracia nuk prish stabilitetin. Kur populli proteston, pëllumbi kërkon qetësi. Kur qeveria abuzon, kërkon reforma. Kur opozita bën të njëjtën gjë, kërkon bashkëpunim. Ai fluturon nga një ambasadë në tjetrën dhe është gjithmonë i bindur se vendi po bën përparim, edhe kur qytetarët po largohen.
Skifterët janë investitorët strategjikë. Ata fluturojnë lart, shohin pronën publike nga larg dhe zbresin me shpejtësi mbi tokat, bregdetin, koncesionet, tenderët dhe fondet shtetërore. Skifteri nuk pret në radhë. Nuk plotëson formularë si pulat. Ai telefonon drejtpërdrejt gjelin përkatës dhe merr atë që kërkon. Për skifterët nuk përdoren etiketime fyese. Ata quhen motorë të zhvillimit.
Kanarinat janë artistët dhe figurat publike që ftohen të këndojnë në aktivitetet zyrtare. Ato këndojnë bukur, marrin duartrokitje dhe kujdesen që të mos e prishin atmosferën me pyetje për lirinë, varfërinë ose korrupsionin. Kur vendi ka probleme, kanarina shpjegon se arti duhet të qëndrojë larg politikës. Kur qeveria organizon koncert, arti afrohet menjëherë me politikën dhe faturën.
Gugashët janë deputetët e heshtur. Ata rrinë në sallën e Kuvendit, tundin kokën dhe shtypin butonin që u është caktuar. Nuk mbajnë fjalime, nuk kundërshtojnë dhe nuk dihet mirë çfarë mendojnë. Në fakt, kjo është arsyeja pse kanë bërë karrierë. Kur partia thotë “po”, gugashi shtyp “po”. Kur partia thotë “jo”, shtyp “jo”. Kur nuk e di çfarë duhet të shtypë, shikon gugashin pranë.
Qyqet janë politikanët që vendosin vezët e tyre në folenë e partive të tjera. Sot janë në një parti, nesër në një tjetër. Sot janë kundër qeverisë, nesër bëhen ministër. Sot akuzojnë sistemin, nesër marrin një zyrë brenda tij. Qyqja nuk ndërton asnjëherë folenë e vet. Pret që të tjerët t’ia ruajnë vendin.
Shqiponjat u diskutuan gjatë. Në teori, shqiponja është simboli kombëtar. Në praktikë, çdo politikan pretendon se është shqiponjë, ndërsa të tjerët i quan pula, korba ose sorra. Këtu gati sa nuk u prish mbledhja e shtabit, sepse si Flamuri, ashtu edhe Taulanti, deshën ta merrnin shqiponjën për vete. Por, me ndërhyrjen e anëtarëve të tjerë dhe me konsultimet që bënë me telefon me shefat përkatës, shtabi vendosi që shqiponja të përdoret vetëm në fushata elektorale, në ndeshje futbolli dhe në fjalime patriotike. Jashtë këtyre rasteve, përdorimi i saj konsiderohet i tepërt.
Në fund të mbledhjes lindi edhe pyetja më e vështirë:
– Po Edi Rama, ku futet?
Në sallë ra heshtja. Askush nuk guxonte ta fuste te pulat, sepse ato bëjnë vezë. Nuk mund të ishte gjel, sepse gjelat janë drejtorë dhe shefa që këndojnë për të. Nuk mund të ishte papagall, sepse papagajtë përsërisin fjalët e tij. Nuk mund të ishte as skifter, sepse skifterët marrin tenderët, lejet dhe pronat që ai ua jep.
Pas një konsultimi të shkurtër, shtabi vendosi:
Edi Rama është pallua.
Palloi është shpendi më i dukshëm i oborrit. Ai hap pendët, ecën ngadalë para kamerave dhe pret që të gjithë të admirojnë ngjyrat. Kur ka një problem, nuk e zgjidh, por hap pendët. Kur ka protestë, hap pendët. Kur ka skandal, hap pendët. Kur pyetet për pagat, pensionet, spitalet apo korrupsionin, ai shpjegon se sa të bukura janë pendët.
Palloi nuk këndon bukur, por kjo nuk e pengon të flasë gjatë. Ai mund të mbajë një fjalim për disa orë pa thënë asgjë që mund të përdoret si përgjigje konkrete. Çdo pyetje e nis në Tiranë, e çon në Bruksel, e kalon nga Athina, e lidh me Iranin, Rusinë, turizmin dhe flamingot, pastaj e mbyll me Sali Berishën.
Palloi e konsideron oborrin pronë të tij. Pulat duhet të bëjnë vezë, gjelat duhet të këndojnë, papagajtë duhet të përsërisin dhe kanarinat duhet të këndojnë në koncerte.
Kur ndonjë sorrë ose korb prish qetësinë, palloi nuk pyet pse proteston. Ai pyet kush e ka financuar, nga cili vend ka ardhur dhe pse nuk admiron pendët.
Për bufin e kënetës ka një vend të veçantë. Palloi e mban gjithmonë afër oborrit, sepse sa herë pulat mendojnë të dalin nga koteci, ai u tregon bufin dhe u thotë:
– Shikoni çfarë ju pret po të largohem unë.
Kështu, palloi dhe bufi zihen çdo ditë para kamerave, por kujdesen që oborri të mbetet i njëjtë. Njëri tremb pulat me tjetrin, ndërsa të dy vazhdojnë të jetojnë nga i njëjti sistem.
Në fund, shtabi e miratoi përkufizimin zyrtar: Edi Rama është palloi i madh i politikës shqiptare: shumë pendë, shumë ekran, shumë fjalë dhe asnjë përgjegjësi.
Anëtarët e komisionit morën frymë të lehtësuar.
– E mbaruam dhe këtë punë, – tha Taulanti.
– E mbaruam, – tha dhe Flamuri.
U ngritën të dy në këmbë. Shtrënguan duart me njëri-tjetrin dhe buzëqeshën përballë kamerave.
© Panorama.al












