Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera evropiane, po përballet me një nga transformimet më të rëndësishme demografike të dekadave të fundit. Por rasti shqiptar ka një veçori që nuk mund të anashkalohet: jemi një vend me një popullsi të vogël, të reduktuar ndjeshëm nga emigracioni, me lindshmëri të ulët, plakje progresive dhe humbje të vazhdueshme të të rinjve. Prandaj, debati mbi emigracionin dhe imigracionin nuk mund të zhvillohet sikur Shqipëria të ishte Italia, Gjermania apo Turqia. Italia ka rreth 59 milionë banorë, Gjermania mbi 80 milionë dhe Turqia mbi 85 milionë. Shqipëria ka një peshë demografike shumë më të vogël dhe për rrjedhojë, edhe ndryshime numerikisht modeste mund të prodhojnë efekte proporcionalisht shumë më të mëdha mbi strukturën e popullsisë. Këtu fillon shqetësimi im.
Problemi nuk është vetëm kush vjen, por kush po ikën
Diskutimi publik për emigracionin në Shqipëri shpesh fillon nga pyetja e gabuar: sa të huaj po vijnë?
Pyetja e parë duhet të jetë tjetër: pse po largohen shqiptarët?
Nëse një vend humbet vazhdimisht të rinj, studentë, profesionistë, familje dhe njerëz në moshë pune e riprodhuese, ndërkohë që kërkon fuqi punëtore nga jashtë për të mbushur boshllëqet që krijohen, atëherë nuk kemi thjesht një fenomen migrator. Kemi një transformim strukturor të shoqërisë.
Paradoksi shqiptar është pikërisht këtu: në vend që të ndërtojmë kushtet ekonomike, sociale dhe institucionale që shqiptarët të kenë arsye për të qëndruar, rrezikojmë të normalizojmë largimin e tyre dhe ta kompensojmë mungesën e fuqisë punëtore përmes imigracionit. Nga këndvështrimi ekonomik, kjo mund të duket një zgjidhje pragmatike afatshkurtër. Nga këndvështrimi sociologjik dhe demografik, megjithatë, pyetja është shumë më e ndërlikuar: a mund të zëvendësohet një popullsi që largohet vetëm duke importuar fuqi punëtore?
Një shoqëri nuk është thjesht treg pune.
Shqipëria nuk duhet të bëhet vendi ku shqiptarët nuk shohin më të ardhmen. Problemi bëhet edhe më serioz kur emigracioni prek kryesisht grup-moshat e reja. Humbja e një 25 apo 30-vjeçari nuk përfaqëson vetëm një person më pak në statistikat e popullsisë. Do të thotë potencialisht një punonjës më pak, një profesionist më pak, një prind i ardhshëm më pak, më pak kontribute në sistemin e pensioneve dhe një familje që mund të ndërtojë jetën e saj jashtë vendit. Prandaj ndikimi i emigracionit shumëfishohet ndër breza. Në të njëjtën kohë, nëse imigracioni drejt Shqipërisë përbëhet kryesisht nga persona të rinj dhe në moshë pune, atëherë me kalimin e viteve ndryshimi nuk do të jetë vetëm ekonomik. Ai mund të bëhet demografik, social, kulturor dhe territorial. Kjo nuk është arsye për të demonizuar imigracionin. Është arsye për të kërkuar një politikë demografike që Shqipëria ende nuk e ka artikuluar qartë.
Integrimi nuk ndodh vetvetiu
Një tjetër gabim është të mendojmë se tregu i punës mund të sjellë mijëra njerëz nga shoqëri të ndryshme dhe integrimi do të ndodhë automatikisht. Nuk ndodh kështu. Integrimi kërkon institucione, politika gjuhësore, shkollë, akses në shërbime, njohje të normave shoqërore, respekt të ligjit, ndërveprim me komunitetin pritës dhe një model të qartë të përfshirjes sociale. Përvoja e shumë vendeve evropiane tregon se diversiteti, kur menaxhohet mirë, mund të jetë burim ekonomik dhe kulturor. Por tregon gjithashtu se integrimi i dobët mund të prodhojë segregim rezidencial, pabarazi, margjinalizim, tensione identitare dhe komunitete që jetojnë pranë njëri-tjetrit pa ndërtuar domosdoshmërish një hapësirë të përbashkët shoqërore. Shqipëria duhet të pyesë veten nëse institucionet e saj janë të përgatitura për një transformim të tillë.
PO IDENTITETI?
Këtu duhet të kemi kurajën të hapim edhe një debat që shpesh shmanget nga frika se mos interpretohet gabimisht: çfarë ndodh me identitetin e një vendi të vogël kur popullsia e tij zvogëlohet me shpejtësi dhe struktura demografike ndryshon? Identiteti kombëtar nuk është një objekt i ngrirë dhe as nuk ka ekzistuar ndonjëherë jashtë ndryshimeve historike. Shoqëritë ndryshojnë, kulturat ndërveprojnë dhe migracioni është pjesë e historisë njerëzore. Por kjo nuk do të thotë se çdo transformim demografik duhet konsideruar automatikisht i parëndësishëm. Gjuha shqipe, kujtesa historike, traditat, mënyrat e socializmit, lidhja me territorin dhe ndjenja e përkatësisë transmetohen ndër breza. Kur dobësohet vazhdimësia demografike e një shoqërie, çështja e identitetit bëhet edhe çështje e riprodhimit social dhe kulturor. Prandaj është legjitime të pyesim: deri në çfarë mase mund të ndryshojë struktura demografike e Shqipërisë pa ndryshuar thellësisht edhe mënyrën se si shoqëria shqiptare riprodhon identitetin e saj? Kjo pyetje nuk drejtohet kundër askujt që vjen në Shqipëri. Drejtohet ndaj një shteti që duhet të dijë se çfarë politike demografike, migratore dhe integruese po ndërton. Nuk mund të importojmë popullsi ndërsa eksportojmë të rinjtë tanë. Kjo është kontradikta që duhet vendosur në qendër të debatit. Nëse ndërmarrjet nuk gjejnë punëtorë, përgjigjja nuk mund të jetë vetëm: sillni punëtorë nga jashtë.
Duhet pyetur përpara: pse nuk i gjejnë?
A janë pagat të pamjaftueshme? A janë kushtet e punës jo konkurruese? A mungon siguria sociale? A ka mospërputhje mes arsimit dhe tregut të punës? Pse një i ri shqiptar zgjedh të punojë në Itali apo Gjermani, ndërsa ekonomia shqiptare kërkon një punëtor nga një vend tjetër për vendin që ai ka lënë bosh?
Nëse nuk analizojmë këtë mekanizëm, imigracioni mund të shndërrohet nga instrument plotësues në një mënyrë për të shtyrë zgjidhjen e problemeve strukturore të ekonomisë shqiptare. Dhe kështu krijohet një cikël: paga dhe perspektiva të pamjaftueshme nxisin largimin; largimi krijon mungesë fuqie punëtore; mungesa kompensohet me fuqi punëtore nga jashtë; ndërsa shkaqet që shtynë shqiptarët të largohen mbeten të pandryshuara. Shqipëria ka nevojë për njerëz, por para së gjithash duhet të mos humbasë të vetët. Një politikë serioze nuk duhet të vendosë shqiptarët kundër të huajve. Duhet të bashkojë politikat e popullsisë, emigracionit, imigracionit, familjes, arsimit, punësimit dhe zhvillimit ekonomik në një strategji të vetme afatgjatë. Shqipëria ka nevojë për imigracion të rregullt dhe të kontrolluar aty ku ekonomia ka nevojë reale për të. Por paralelisht duhet të investojë shumë më tepër për të mbajtur të rinjtë, për të krijuar kushte për kthimin e diasporës, për të mbështetur familjet, për të rritur cilësinë e arsimit dhe për ta bërë punën në Shqipëri konkurruese me alternativën e emigrimit. Sepse pyetja më shqetësuese nuk është nëse Shqipëria do të bëhet më multikulturore. Në një botë të globalizuar, një shkallë më e madhe diversiteti është e pritshme.
Pyetja është tjetër: a po bëhet Shqipëria më multikulturore sepse po zhvillohet dhe po tërheq njerëz, apo sepse po zbrazet nga popullsia e saj dhe po zëvendëson boshllëqet që lë emigracioni? Janë dy procese krejt të ndryshme. Në rastin e parë kemi një shoqëri që rritet, ndërkombëtarizohet dhe tërheq kapital njerëzor. Në të dytin kemi një shoqëri që humbet një pjesë të popullsisë së saj dhe përpiqet të menaxhojë pasojat.
NJË DEBAT QË DUHET BËRË SOT
Nuk mendoj se duhet të kemi frikë të flasim për identitetin kombëtar. Duhet të kemi frikë ta përdorim atë kundër njerëzve, por po aq problematike do të ishte ta përjashtonim nga analiza sikur struktura demografike e një vendi të mos kishte lidhje me vazhdimësinë e tij kulturore dhe shoqërore. Në një vend të vogël si Shqipëria, emigracioni masiv, lindshmëria e ulët, plakja dhe rritja e imigracionit nuk janë katër fenomene të ndara. Janë pjesë të së njëjtës çështje: kush do të jetojë në Shqipëri dhe çfarë shoqërie do të jetë Shqipëria pas njëzet apo tridhjetë vjetësh? Kjo është arsyeja pse debati nuk duhet të reduktohet në “pro” apo “kundër” emigrantëve. Duhet të flasim për modelin e vendit. Një Shqipëri e hapur nuk duhet të jetë një Shqipëri që pranon si të pashmangshëm largimin e shqiptarëve. Një Shqipëri moderne nuk duhet të zgjedhë mes hapjes ndaj botës dhe ruajtjes së identitetit të saj. Sfida është t’i bëjë të dyja: të integrojë ata që vijnë dhe, mbi të gjitha, të krijojë kushtet që qytetarët e saj të mos e shohin largimin si të vetmen rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë. Sepse një vend mund të humbasë kapital njerëzor, mund të humbasë popullsi dhe, nëse ky proces vazhdon për breza, rrezikon të dobësojë edhe vazhdimësinë e vet sociale, kulturore dhe identitare. Pyetja që duhet të na shqetësojë sot nuk është vetëm sa njerëz do të ketë Shqipëria nesër, por kush do ta ndërtojë atë, kush do ta transmetojë gjuhën, kujtesën dhe përkatësinë e saj dhe çfarë do të thotë të jesh pjesë e shoqërisë shqiptare pas disa dekadash. Këto pyetje nuk kërkojnë frikë. Kërkojnë politikë, vizion dhe përgjegjësi.
Autori, sociolog dhe Profesor në UNINT, Romë
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












