Deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u përjashtua me 60 ditë nga Kuvendi pasi mori dokumentin sekret të marrëveshjes së kredisë më SHBA dhe u largua me vrap.
Por, i ftuar në studion e News24, Shehaj tha se dokumenti sekret nuk doli jashtë ambienteve të Kuvendit, ndërsa theksoi se nuk ka kryer asnjë krim.
Shehaj u shpreh se çdo ditë janë në luftë dhe se ai kërkon të drejtat e tij në Kuvend, duke nënvizuar se edhe dokumenti që ai mori është e drejtë e tij si deputet.
“Ne jemi në luftë, në luftë të përditshme, në luftë me të drejtën e fjalës, në luftë edhe për të hyrë në Kuvend. Të marrësh apo edhe të rrëmbesh një të drejtë është krim? Nëse po, unë kam kryer një krim dhe do ta bëj. Unë ftoj shqiptarët që të rrëmbejnë të drejtat e tyre”, tha Shehaj.
Ai tha se qeveria kërkon deputetë kukulla “që të flasin kur të dojë Rama dhe Balla”.
“Po luftoj kundër padrejtësive dhe po rrëmbej të drejtat e mia dhe për të nxjerrë zbuluar aferat. Këta duan deputetë kukulla, që rrinë aty dhe vendos Balla e Rama kur të flasin. Është e drejta ime të njihesha me atë dokument dhe të kisha kohë të mjaftueshëm për ta lexuar, informuar dhe për ta votuar. Këta e trajtojnë parlamentin si paçavure”, tha deputeti Shehaj.
© Panorama.al












