Tërmet me magnitudë 7.1 ballë godet Japoninë, mbi 50 të plagosur dhe dëme të mëdha në infrastrukturë

Jul 28, 2026 | 14:34

Të paktën 50 persona kanë mbetur të plagosur pas një tërmeti të fortë me magnitudë 7.1 ballë që goditi Japoninë jugperëndimore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe ndërprerje të gjera të energjisë elektrike.

termet japoni

Sipas autoriteteve japoneze, lëkundjet u regjistruan në prefekturën Kumamoto, në ishullin Kyushu, rreth orës 16:27 sipas kohës lokale. Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) njoftoi se tërmeti arriti nivelin maksimal 7 në shkallën “shindo”, që mat intensitetin e dridhjeve në sipërfaqe.

Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, deklaroi se situata është ende në vlerësim, por konfirmoi praninë e të plagosurve, ndërprerjeve të energjisë dhe zjarreve në disa zona. “U bëj thirrje qytetarëve të marrin masa për sigurinë e tyre dhe të strehohen në vende të sigurta,” u shpreh ajo.

Transmetuesi shtetëror NHK raportoi se një spital në zonë ka pranuar mbi 50 të plagosur, ndërsa të paktën 10 banesa janë shembur, me disa persona të bllokuar brenda. Të plagosur u raportuan edhe mes pasagjerëve të një treni me shpejtësi të lartë.

Pamjet e transmetuara nga mediat lokale tregojnë ndërtesa të rrënuara, rrugë të çara dhe një tren mallrash të dalë nga shinat. Një shpërthim i raportuar në një qendër tregtare ka shkaktuar bllokimin e disa personave brenda saj.

Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e më shumë se 150 mijë banorëve në zonat e prekura. Fillimisht u lëshua një paralajmërim për cunami me valë deri në një metër, por më pas ai u anulua.

Nga tërmeti janë prekur edhe shërbimet bazë. Rreth 45 mijë familje mbetën pa energji elektrike në prefekturën Kumamoto. Kompanitë e telekomunikacionit raportuan ndërprerje të rrjetit celular, ndërsa trafiku ajror dhe hekurudhor u pezullua përkohësisht. Aeroporti i Kumamotos mbylli pistën, ndërsa linjat hekurudhore, përfshirë trenat e shpejtësisë së lartë, ndaluan operimin.

Rregullatori bërthamor japonez bëri të ditur se nuk janë konstatuar probleme në termocentralet bërthamore në rajon, ndërsa reaktorët vijojnë të funksionojnë normalisht.

© Panorama.al

Te lidhura