
Deputeti socialist, Fatmir Xhindi, që u vra dy vjet më parë, do të përjetësohet me një bust që u vendos dje në qendër të qytetit të Roskovecit.Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, veç familjarëve, ishin të pranishëm edhe kryesocialisti Edi Rama, deputetë të opozitës, krerët e partive të koalicionit “Aleanca për të ardhmen” dhe dhjetëra qytetarë. Rama, bashkë me djalin e deputetit të vrarë, Anduel Xhindi, zbuluan bustin e bronztë kushtuar figurës dhe veprës së Fatmir Xhindit. Ceremonia e zhvilluar dje në Roskovec përkonte me ditëlindjen e 52-të të tij. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, deputeti socialist Namik Dokle, përveç vlerave dhe meritave të deputetit të vrarë Fatmir Xhindi, kërkoi zbardhjen e kësaj ngjarjeje. “Ti ishe më i ndershmi i të gjithë njerëzve, miku ynë. Gëzoje respektin e të gjithëve ne. I përkisje atij grupi deputetësh të thjeshtë dhe të ndershëm që pabesisht u vra nga një dorë gjakatare dhe gjaku yt duket sikur na thërret ne që jemi të vonuar për të gjetur fajtorët”, u shpreh Dokle. Kryesocialisti nuk ka preferuar të mbajë fjalim para qytetarëve të pranishëm me rastin e vendosjes së këtij busti në mes të qytetit. Por ai u premtoi familjarëve se do të kërkojnë që të zbardhet nga shteti dhe Prokuroria ky krim i shëmtuar. Anduel Xhindi, djali i deputetit të vrarë, falënderoi gjatë fjalës së tij nismëtarët e këtij akti që vlerësuan meritat dhe veprën e babait të tij. “Falënderoj popullin e Roskovecit që gjithnjë e ka respektuar babanë tim dhe sidomos bordin e nismëtarëve të këtij evenimenti për përjetësimin e figurës së tij. Ne si familje jemi shumë të indinjuar, pasi ka 2 vjet që qeveria hesht dhe nuk nxjerr në dritë fajtorët. Ndërsa kërkesave tona të vazhdueshme për të shkuar te Kryeministri, Presidenti dhe Kryeprokurorja i janë përgjigjur me heshtje totale. Kërkojmë që të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje, pasi shteti po na vret edhe më shumë me heshtjen e tij”, u shpreh Anduel Xhindi. Ndërsa kryetarja e PS-së në Roskovec, Majlinda Bufi, i bëri apel kryeprokurores dhe deri te Presidenti për zbardhjen e kësaj vrasjeje. “Le të jetë ky monument një simbol i kujtesës për të gjithë qytetarët, jo vetëm për veprën që la deputeti i vrarë Fatmir Xhindi, por edhe për të kujtuar strukturat shtetërore për të vendosur në vend drejtësinë”,- u shpreh Bufi.
Busti i Xhindit
Bustin e bronztë të deputetit të tri legjislaturave, vrarë më 2 maj të vitit 2009, e realizoi skulptori fierak Haxhi Kalluci. Ky memorial, është nismë dhe financim i gjithë banorëve të Roskovecit, në mënyrë vullnetare. Rreth 5 milionë lekë të vjetër ka qenë shuma e mbledhur nga populli i Roskovecit në shenjë mirënjohjeje për emrin e mirë dhe veprën e deputetit socialist Xhindi.
Rama mbjell pemë në Tiranë
Kreu socialist ka vijuar fushatën e tij elektorale me mbjellje pemësh në disa rrugë të kryeqytetit. Nisma e Bashkisë së Tiranës, “një pemë, një qytetar”, ka vijuar në katër rrugë të rëndësishme të Tiranës, si rruga “Siri Kodra”, blloku “Komuna e Parisit”, rruga “Ana Komnina” dhe Unaza e Vjetër nga rreth-rrotullimi i Zogut të Zi deri te Bërryli. “Këto janë projekte që kërkojnë durim, që kërkojnë, pjesëmarrje, që kërkojnë bashkëpunim dhe falë këtij bashkëpunimi me komunitetet, ne po i transformojmë lagjet e Tiranës dhe do i transformojmë të tëra si kjo lagje, sepse sot për sot, kjo është ajo që ne mund të bëjmë, të transformojmë kryeqytetin, të transformojmë lagjet, rrugët, hapësirat publike, ndërkohë që duke shkuar përpara do të transformojmë edhe jetën sociale të vendit”, u shpreh Rama.
Roskovec/Majlinda Rama
© Panorama.al











