PS i merr komisionerin PBDNJ

Apr 15, 2011 | 10:50

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë në mbledhjen e sotme vendimin për caktimin e partive që do të propozojnë numë-ruesit në grupet e numërimit të votave për zgjedhjet e 8 majit.Sipas Kodit Zgjedhor, grupet e numërimit përbëhen nga katër anëtarë, ku dy prej të cilëve propozohen nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Në të njëjtën kohë, ligji zgjedhor parashikon që dy anëtarët e tjerë propozohen nga forca e dytë më e madhe e koalicionit të djathtë dhe forca e dytë e koalicionit të majtë, me kushtin që ato të kenë fituar minimalisht dy deputetë në zgjedhje. Sipas këtij përcaktimi të Kodit, Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë forca e tretë politike që do të propozojë një anëtar të grupeve të numërimit të votave. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është forca me më shumë deputetë pas PS-së nga e majta, por ajo nuk ka fituar minimalisht dy deputetë. “Nga lista e partive të shumicës parlamentare është vetëm Partia Lëvizja Socialiste për Integrim që plotëson kriteret e këtij neni dhe rrjedhimisht kjo parti do të propozojë anëtarin e tretë të grupeve të numërimit të votave”, thuhet në relacionin e vendit që do të miratojë sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Duke qenë se në listën e partive politike të opozitës parlamentare nuk ka parti që të plotësojë kërkesat e nenit 96 pika 1, për analogji të pikës 1, germa a, të nenit 29, të Kodit Zgjedhor, për arritjen e baraspeshimit politik shumicë-opozitë, e drejta për propozimin e anëtarit të katërt të grupeve të numërimit të votave për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011, i përket Partisë Socialiste të Shqipërisë”. Kodi parashikon në nenin 95 të tij se 66 KZAZ-të në të gjithë vendin marrin vendim për të ngritur grupet e numërimit të votave dy ditë para zgjedhjeve. “Një grup numërimi numëron jo më pak se 5 qendra votimi dhe jo më shumë se 10 qendra votimi. Në përfundim të këtij procesi, grupi i numërimit zëvendësohet nga grupi tjetër i numërimit, sipas pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja përcakton me akt normativ kriteret për numrin e grupeve të numërimit për çdo vend të numërimit të votave, mënyrën e organizimit të punës, ndarjen e detyrave midis anëtarëve të grupit të numërimit dhe rregullat për radhën e veprimeve”, thuhet më tej në kodin Zgjedhor.
Fletët e votimit
Në mbledhjen e paradites së djeshme, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genci Gjonçaj, kërkoi informacion mbi tenderin që do të bëjë ky institucion për fletën e votimit. “Kam mëse 11 ditë që i kam kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një informacion lidhur me tenderimin e fletës së votimit dhe materialeve zgjedhore. E kam bërë me shkrim kërkesën. Unë ende skam marrë përgjigje”, u shpreh Gjonçaj. Nga ana e tij, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha se përgjigjja për këtë rast do të jepet sipas afateve që parashikon ligji. Në të njëjtën kohë përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, kërkoi dje nga ky institucion të marrë informacion për presionet që po u bën policia mbështetësve të PS-së në Bulqizë. “Në Bulqizë prej disa ditësh janë instaluar forca policore të ardhura nga Dibra. Ju mund të kërkoni shpjegime nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit pse këto forca janë instaluar në qytet, pse segmente të caktuara të tyre bëjnë presion te anëtarët dhe simpatizantët e PS-së, pse ushtrohen kontrolle vetëm në makinat ku janë vendosur postera të PS-së?” tha Gjonçaj.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura