PS: Emra fiktivë në listat e zgjedhësve

Apr 1, 2011 | 13:15

Socialistët kërkuan dje sërish nga njësitë bashkiake që drejtohen nga maxhoranca informacion rreth regjistrimeve të ditëve të fundit. Deputetët socialistë të qytetit të Tiranës, Ilir Gjoni, Sajmir Tahiri dhe kandidati për këshilltar i Bashkisë, Ervin Bushati, ishin në disa prej njësive bashkiake. Ata e akuzuan maxhorancën se po kërkon të manipulojë zgjedhjet e 8 majit përmes listave zgjedhore. Në Njësinë Nr. 3, Ilir Gjoni vuri në dukje ekzistencën e të paktën 5 mijë qytetarëve, të cilët në listë nuk kanë asnjë adresë. “Ne kemi evidentuar në një listë prej 34 mijë votuesish, 5200 banorë që nuk kanë kod adrese. Për ne është e pajustifikueshme si veprim administrativ, që merr më shumë ngarkesë nga fakti që po hyjmë në zgjedhje. Nuk gjejmë asnjë mënyrë identifikimi për ta”, u shpreh Gjoni. Në Njësinë Nr. 8, Ervin Bushati kërkoi të informohet për ndryshimet e bëra në lista pas datës 8 mars, kohë kur sipas Kodit Zgjedhor nuk lejohen më regjistrime të reja, përveç disa rasteve të veçanta. Sipas socialistëve, kjo listë nuk serviret pikërisht për shkak të manipulimeve që po kërkohen të bëhen në të. “Sot, në panik të madh, pushteti i Berishës i trembet një përballjeje masive me elektoratin që nuk e duron dot më pushtetin e tij”, u shpreh Bushati. Ndërsa deputeti Saimir Tahiri ishte në Njësinë Nr. 6, në Kombinat, ku depozitoi një kërkesë zyrtare për të marrë listat e zgjedhësve, ndërsa mbështetej nga qindra votues të kësaj zone.
Gjithashtu, ankesa nga opozita vijnë dhe nga bashki të tjera të djathta jashtë kryeqytetit. Valbona Tula, kryetarja e KZAZ-së Nr. 40 në Shkodër, rreshtoi dje disa nga mangësitë e hasura gjer tani, fakte këto që për socialistët shkodranë përbëjnë një premisë për manipulim të zgjedhjeve të 8 majit. “Në këto lista rezultojnë rreth 35 000 zgjedhës të regjistruar, të cilëve u mungon kodi i banesës dhe, sipas Tulës, ky veprim është bërë qëllimisht për të shmangur votuesin e majtë”. “Një problem tjetër i kontestuar nga socialistët shkodranë ka të bëjë me një numër të konsiderueshëm qendrash votimi, ku sipas tyre, në rreth 47 nga 97 të tilla, rezulton që numri i votuesve është më i madh se 1000, duke qenë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor”, u shpreh kryetarja e KZAZ-së së Shkodrës.

5232 votues
në Njësinë Bashkiake Nr. 8 figurojnë pa kod adrese, nga 34 mijë banorë që ka Njësia. Në zgjedhjet e 2009-s votuan 17-18 mijë

© Panorama.al

Te lidhura