PS: Berisha na vodhi fletën e votimit

Apr 8, 2011 | 11:04

Partia Socialiste ka reaguar dje ndaj vendimit të marrë nga KQZ-ja, e cila i hoqi Edi Ramës siglën e PS-së në fletën e votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.Sekretari për çështjet ligjore në selinë rozë, Fatmir Xhafaj, tha se ky vendim është në shkelje të Kodit Zgjedhor, duke bërë përgjegjës Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e Komisionit, Arben Ristani. “Vendimi për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë dhe për anëtarë të Këshillit është marrë në shkelje të hapur dhe flagrante të ligjit, duke shkelur edhe vendimin e vetë KQZ-së, të marrë përpara disa ditësh mbi modelin dhe formën e fletës së votimit. Deri këtu arriti jo veç shkelja e ligjit, por edhe paturpësia morale e Sali Berishës sa, për të deformuar pozicionin e opozitës dhe të PS në fletën e votimit, urdhëroi ushtarin e tij në KQZ të deformojë edhe vetë gjuhën shqipe. Sali Berisha bëri dje vjedhjen e radhës. Vodhi fletën e votimit”, u shpreh Xhafaj. Sipas tij, vendimi i fundit i KQZ-së është shumë i rrezikshëm për procesin zgjedhor, ndërsa institucioni i administrimit të zgjedhjeve është vënë në shërbim të qeverisë. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se vendimi për të hequr siglën e PS-së pranë emrit të Ramës destabilizon procesin zgjedhor. “Kjo lloj vendimmarrje i shërben destabilitetit të procesit zgjedhor, tensionimit të klimës zgjedhore dhe përbën një cenim të rëndë të standardeve zgjedhore, çka mund të prodhojë edhe një rezultat të papranueshëm”, theksoi më tej Xhafaj. Zyrtari i lartë i Partisë Socialiste në komunikimin me mediat i bëri thirrje kolegjit zgjedhor të rrëzojë vendimin e PS-së. “Në këtë pragfushatë ne i bëjmë gjithashtu një apel të fortë Kolegjit Zgjedhor, që të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Ne u bëjmë thirrje gjyqtarëve të këtij kolegji që të reflektojnë shumë seriozisht në peshën e vendimmarrjes së tyre në respekt të ligjit, duke u distancuar nga individë që e kanë shitur drejtësinë me favoret e ngritjes në detyrë dhe përfitimet familjare dhe mbi të cilët rëndon dhe do të rëndojë gjatë turpi i drejtësisë së mohuar për votën e lirë e për të cilën u sakrifikuan edhe jetë njerëzish”, tha më tej Xhafaj. Në fund, ai theksoi se “Partia Socialiste hyn nesër në një garë të pabarabartë, por e qartë se do të luftojë për të mbrojtur çdo  votë, për të denoncuar çdo parregullsi në secilën votë, për të numëruar çdo votë, e gatshme të bëjë çdo lloj sakrificë e të ndërmarrë çdo lloj aksioni politik demokratik, për të mbrojtur lirinë e votës së qytetarit”.

Apeli

“Dëshirojmë të besojmë fort në paanësinë e tyre, në respekt të vlerave që mbartin dhe të standardeve që përfaqësojnë, duke shpresuar që opinionet dhe vlerësimet e tyre të mos u nënshtrohen presioneve të interesave të lotuara, ashtu sikurse ndodhi në një masë të konsiderueshme me vlerësimet e misionit të vëzhguesve afatgjatë të zgjedhjeve të 28 qershorit”, tha Xhafa.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura