Prokuroria: Të konfiskohen tri kompanitë e Prudentinos

Apr 7, 2011 | 11:18

Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkon gjykatës konfiskimin e tri kompanive të biznesit, të sekuestruara gjatë hetimit pasuror ndaj shtetasit italian Albino Prudentino dhe djalit të tij, Angelo Prudentino.Kërkesa e Prokurorisë është dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, me argumentin se zotëruesi i një pjesë të aksioneve të tri kompanive të regjistruara në Shqipëri, është Albino Prudentino, i dyshuar si njëri nga krerët e organizatës kriminale italiane “Sacra Corona Unita”. Në kërkesën e depozituar dje në Gjykatën për Krimet e Rënda, Prokuroria radhit edhe pesë emra të tjerë, dy italianë e tre shqiptarë, të cilët figurojnë bashkaksionerë me Prudentinon. Kjo kërkesë e Prokurorisë për Krimet e Rënda është bërë në bazë të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, i njohur ndryshe si ligji “Antimafia”. Albino Prudentino u ekstradua drejt Italisë nëpërmjet aeroportit të Rinasit, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Vlorës në 11 janar 2011. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se bëhet fjalë për kërkesën për konfiskim të aktivitetit të shoqërive “Bet Plus”, “Casino Italia” dhe “Beting System Albania”. Në lidhje me shoqërinë “Bet Plus”, Prokuroria për Krimet e Rënda kërkon konfiskimin, jo vetëm të aktivitetit, por edhe të kapitaleve, të drejtave të saj, si edhe të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të regjistruara në emër të këtij subjekti në vendin tonë. Mësohet se në këtë shoqëri kanë kapital e aksione edhe shtetasit Francesko Fornelli, Giuseppe Palma dhe Ventigjar Kaçi. Sipas burimeve, Angelo Prudentino në këtë shoqëri zotëron 90 mijë aksione, me përqindje në kapital 4500 dhe kontribut në para 90 milionë. Ndërkohë, në shoqërinë “Casino Italia”, e kërkuar për konfiskim, Angelo Prudentino zotëron 60 për qind kontribute dhe 50 përqind pjesëmarrje. Po sipas Prokurorisë, në shoqërinë “Beting System Albania”, aksione zotëron edhe biznesmeni shqiptar Ervis Gjeçaj, kunati i ministres së Integrimit Majlinda Bregu. Ai ka shumat 5 mijë aksione dhe përqindje kapitali 5 mijë. Në të njëjtin biznes, italiani Giuseppe Palma zotëron numrin e aksioneve 3 mijë dhe kontribut në para 60 milionë. Në të njëjtën shoqëri figuron aksioner edhe shtetasi shqiptar Gani Baku.
Hetimet për Prudentinon

Ervis Gjeçaj, ortak tek “Betting System Albania”

Shtetasi italian Albino Prudentino u arrestua më 29 shtator 2010 në qytetin e Vlorës. Ai kishte marrë me qira dy katet e para të një pallati luksoz në zonën e Ujit të Ftohtë, ku kishte vendosur bizneset e tij, një restorant, një pastiçeri në katin e parë dhe një sallë lojërash fati në katin e dytë. Shtetasi italian akuzohej në Itali për kontrabandë cigaresh, për grabitje dhe trafik droge, në kuadër të aktivitetit mafioz nga “Sacra Corona Unita”. Prudentino ishte shpallur në kërkim me urdhër të gjykatës italiane më 21 shtator 2010, ndërkohë që Interpoli gjurmoi vendndodhjen e tij e më pas në bashkëpunim me policinë shqiptare, realizoi arrestimin në Vlorë. Për rreth dy muaj, Prudentino u mbajt në paraburgimin shqiptar dhe ndaj tij filloi hetimi për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Dyshimi kryesor ishte se kapitalet me të cilat ai kishte krijuar kompanitë në Shqipëri, kishin si origjinë financiare fitimet e veprimtarisë kriminale mafioze në Itali. Nisur nga ky fakt, një ditë pas arrestimit, Albino Prudentino shiti aksionet e tij në kompaninë “Betting System Albania”. Ky veprim u bë shkak për nisjen e hetimeve të Prokurorisë, ndaj shtetasit italian dhe bashkaksionerëve të tij shqiptarë.

Ekstradimi

Pasi u mbajt dy muaj në dispozicion të drejtësisë shqiptare, Albino Prudentino u ekstradua në Itali në fillim të këtij viti. Për dy muaj me radhë, Prudentino u hetua nga Prokuroria e Vlorës, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas, u vendos që ai të ekstradohej në Itali, duke qenë se krimet për të cilat ai akuzohej atje, ishin më të rënda sesa veprat penale që dyshohej se ishin kryer prej tij në Shqipëri. Shtetasi italian Prudentino, por edhe partnerët shqiptarë të djalit të tij në biznes, kanë deklaruar se aktivitetet e tyre nuk kanë të bëjnë me kryerjen e ndonjë vepre penale. Pas ekstradimit të Prudentinos në Itali, dosja penale me akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale” u transferua për hetim në Prokurorinë e Tiranës.

Kërkesa për konfiskim

Kompanitë
“Bet Plus”
“Casino Italia”
“Beting System Albania”

1. “Bet Plus”,
Angelo Prudentino, 90 mijë aksione, 90 milionë lekë
2. “Casino Italia”,
Angelo Prudentino, 60 për qind
kontribute, 50 për qind pjesëmarrje.
3. “Betting System Albania”,
Ervis Gjeçaj, 5 mijë aksione,
përqindje kapital 5 mijë
Giuseppe Palma, 3 mijë aksione,
kontribut në para 60 milionë
Gani Baku, aksioner.

© Panorama.al

Te lidhura