Vllaznia ka bërë një tjetër “bis” në një fushë që për ta sezonin e kaluar ka qenë një mollë e ndaluar, vetëm se këtë vit gjërat kanë qenë krejt ndryshe. Tre pikët e marra ndaj bardhezinjve kanë pasur vlerë të dyfishtë për djemtë e Josës, sepse pikërisht nga rezultati përfundimtar i këtij takimi varej dukshëm dhe vendi i tretë në klasifikim. Për sulmuesin e Vllaznisë, Xhevahir Sukaj, kjo ka qenë fitorja më e vështirë që skuadra ka arritur gjatë këtij sezoni në transfertë. “Ka qenë një përballje e vështirë, e cila ka mbartur shumë emocione dhe për më tepër grintë nga të dyja skuadrat. Atmosfera në Laç nuk ka qenë aspak e favorshme për ne, pasi luhej fati i fundit për vendin e tretë. Megjithatë, personalisht kam qenë i bindur plotësisht se ekipi do të arrinte të triumfonte. Ne kemi treguar një shpirt të lartë gare deri në fund dhe për asnjë moment, edhe kur pësuam gol, nuk menduam se mund ta humbnim ndeshjen”, – është shprehur Sukaj.
Tirana – Tani shkodranët kanë një tjetër takim final për të mbrojtur dhe për të konsoliduar më tej pozitat e tyre në klasifikim. Një fitore ndaj Tiranës të mërkurën, do të thoshte qetësi totale për shkodranët deri në fundin e këtij sezoni. “Tani kemi një tjetër takim final me Tiranën, ku synimi i vetëm është marrja e pikëve të plota. Kemi hequr qafe Laçin dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me bardheblutë, në mënyrë që të mos kemi rivalë për vendin e tretë. Sigurisht që nuk do të jetë një përballje e lehtë dhe këtë e dimë mirë, aq më tepër që në fushën tonë mezi po marrim rezultate pozitive. Një fitore ndaj bardhebluve do të na bënte që në sfidat e tjera të luanim me qetësi”.
Golat – Një nga pengjet që i ka mbetur sulmuesit Sukaj në përballjen e fazës së dytë të zhvilluar në Shkodër, mes Vllaznisë dhe Tiranës, ka qenë mosshënimi i golit. Ai ka tronditur shtyllën në atë takim ku ka humbur edhe dy raste. Ndërsa tani, para këtij takimi, edhe pse Sukaj ende dëshiron të realizojë, prapëseprapë për të nuk ka shumë rëndësi se kush shënon, ai apo çdo lojtar tjetër i ekipit, mjafton që të merren tre pikët. “Po, është e vërtetë që, pas atij takimi me Tiranën, jam shprehur se do të jepja disa gola për një gol ndaj bardhebluve dhe se më ka mbetur peng që nuk arrita të shënoj. Këtë kërkoj natyrshëm ta bëj kësaj here. Megjithatë, pak rëndësi ka se kush realizon, mjafton që të fitojmë. Pas një fitoreje nuk do të ketë asnjë peng për mua edhe nëse nuk realizoj ndaj Tiranës”, – ka përfunduar sulmuesi Sukaj.
Vllaznia, kampionia e transfertave
Vllaznia mund të quhet pa frikë si ekipi kampion i deritanishëm për sa i përket fitoreve dhe pikëve të marra në transfertë. Madje, shkodranët kanë parakaluar dy skuadrat e vendeve të para, Skënderbeun dhe Flamurtarin, të cilat kanë respektivisht nga 5 fitore në transfertë. Kuqeblutë e Josës në takimet e luajtura jashtë fushe kanë fituar 6, kanë barazuar 4 dhe kanë humbur po 4, duke grumbulluar 22 pikë, me një golavarazh prej 14 golash të shënuar dhe 7 të pësuar. Gjë që tregon se ekipi shkodran në këtë sezon ka qenë më efikas në transfertë, sesa në shtëpi. Djemtë e Josës në këtë drejtim mund të ishin të renditur të parët, por shkodranët kanë penalizuar veten në “Loro Boriçi”.











