Profesionalet, rritet me 20% kërkesa e nxënësve

Apr 27, 2011 | 11:11

Rritet me 20% kërkesa e nxënësve për të ndjekur arsimin profesional. Degët më të preferuara mbeten ato të teknologjisë së informacionit dhe ekonomikut, ndërsa në fund të listës renditen degët që lidhen me bujqësinë, apo ndërtimin. Të dhënat bëhen me dije nga Ministria e Arsimit. Një grup pune është ngritur tashmë me specialistë të këtij cikli dhe shumë shpejt pritet të bëhet një studim lidhur me mënyrën si nxënësit do t’i përshtaten strukturës së re. Aktualisht ka filluar të zbatohet sistemi katërvjeçar në shkollat profesionale. Ndryshimet e maturës prekën dhe nxënësit e këtyre shkollave, të cilët e kanë ngarkesën edhe më të madhe, pasi krahas katër provimeve, duhet të japin edhe testin e profilit ku po studiojnë. Sipas ligjit të ri që ka hyrë në fuqi në janar, arsimi profesional do të ofrohet në 6 nivele. Është përcaktuar me detaje sesa do të jetë kohëzgjatja e secilit nivel, ndërkohë që studimet do të variojnë nga 2-4 vjet. Për shkak të ndryshimit të sistemit nga 8-vjeçar në 9-vjeçar, ka ndryshuar mosha, për sa i përket hyrjes në AFP-në e të gjithë atyre që kanë përfunduar arsimin bazë. Tani të gjithë ata që janë në kërkim të një pune mund të ndjekin arsimin profesional deri 16 vjeç. Më pas mund të sigurojnë një vend pune. Më parë kufiri i moshës për përfundimin e këtyre studimeve ishte 18 vjeç. Me ligjin e ri hapet mundësia e ofrimit të programeve të hapura për të gjithë personat që përmbushin kriteret për pranimin dhe regjistrimin, të përcaktuara nga MASH-i apo Ministria e Punës.

© Panorama.al

Te lidhura