Privatizimi, ekspertizë çmimit të ish-ekspozitës

Apr 16, 2011 | 12:56

TIRANE – Prokuroria krijon një grup ekspertësh për vlerësimin e çmimeve me të cilat është privatizuar një pjesë e godinës së ish-ekspozitës “Shqipëria Sot” në Tiranë. Njësia Task-Force në Prokurori, prej disa muajsh është duke kryer hetime mbi procedurën e privatizimit të ish-ekspozitës, pas denoncimeve të vazhdueshme të bëra publike nga deputetet e Partisë Socialiste, kryesisht nga Eduard Shalsi. Vendimi për ngritjen e një grupi ekspertësh është marrë pas shqyrtimit të dokumentacionit mbi bazën e të cilit është përcaktuar, me vendim qeverie, çmimi për metër katror i privatizimit të pjesës shtetërore të pronës në fjalë. Sipas prokurorisë, vendimi i qeverisë, që cakton një çmim 460 mijë lekë për metër katror, rezulton të jetë marrë pa një procedurë konkrete realizimi. Në praktikën e Ministrisë së Ekonomisë, e cila në vitin 2008 ka propozuar vendimin e qeverisë, rezulton se ishte krijuar një komision sipas ligjit për caktimin e çmimit, por më pas doli se ky komision nuk kishte kërkuar të dhëna në Entin Kombëtar të Banesave dhe as në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për çmimet e tregut në zonën ku u bë privatizimi. Pak kohë më parë në prokurori dëshmuan pronarët përfitues të pronës. Sipas ligjit, ata kishin blerë rreth 2 mijë metra katrorë të sipërfaqes së ndërtesës së ish-ekspozitës, e cila ishte ndërtuar në tokën e tyre, pas shtetëzimit të saj. Ligji i jep të drejtën pronarit që zotëron 70 për qind të sipërfaqes, të blejë ndërtesën apo tokën që përbën 20-30 për qind të ngastrës. Prona është kthyer në masën 70 për qind dhe është blerë 30 për qind e saj, që përbën ndërtesën, pronë shtetërore të ngritur mbi pronën private.

© Panorama.al

Te lidhura