VLORE – Policia e Vlorës nis procedimin penal ndaj dy inspektorëve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik pranë Bashkisë së këtij qyteti. Të dhënat zyrtare nga Policia bëjnë të ditur se në ndjekje penale në gjendje të lirë janë vënë: Krenar Xhemali dhe Altin Liçaj. “Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi pasi dyshohet se më datë 01.02.2011, në lagjen “Isa Boletini”, kanë prishur banesën prej 77 m² dhe garazhin prej 16.5 m² të shtetasit Stefan Miho”, pohoi zyrtarisht policia. Sipas saj, për këto objekte Miho pretendon se disponon certifikatë të rregullt pronësie të lëshuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “shpërdorim i detyrës” dhe “shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 248 e 150 i Kodit Penal. q.b











