Premio, “mollë sherri” te Dinamo

Apr 19, 2011 | 10:53

Fundi i stërvitjes së djeshme, e cila është e parafundit në prag të ndeshjes me Flamurtarin nesër në Vlorë, është shndërruar përsëri në arenë debatesh. Ndonëse ato kanë qenë me tone më të ulëta se herët e tjera, sërish skuadra ka qenë e shqetësuar. Kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha, për rreth dhjetë minuta, ndërsa lojtarët bënin shkrydhjen e fundit pas stërvitjes, ka diskutuar me trajnerin Mërgjyshi. Tema e diskutimit ka qenë mungesa e premios për kalimin në finalen e Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që po bëhen rreth dy javë që ka përfunduar gjysmëfinalja e kthimit me Vllazninë, të cilën dinamovitët e fituan 1-0. 20 mijë dollarë ka qenë shuma e premtuar nga presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj, për kalimin në finale, por që deri më tani nuk ka mbërritur asgjë te lojtarët. Madje, edhe pse listat janë bërë gati sipas meritave në atë ndeshje, përsëri dinamovitët nuk kanë marrë gjë. Dhe ajo që e bën më shqetësuese situatën dhe që ia ul moralin akoma më shumë skuadrës në prag të ndeshjes me Flamurtarin, është fakti se ka dy ditë që në ambientet e kompleksit Dinamo nuk po duket administratori Ismet Saliaj. Situata pritet të zgjidhet pas takimit që mund të ketë trajneri i bluve, Artan Mërgjyshi, me zëvendëspresidentin Avni Braçe. Megjithatë, ajo që mbetet të thuhet është se situata nuk është aspak normale, pasi rrezikon shumë gjëra për këtë skuadër, e cila e ka futur veten në “vallen” e mbijetesës në Superiore.

© Panorama.al

Te lidhura