“Pozitat e ish-zv.kryeministres janë rënduar!”- Kalaja shpjegon dy kallëzimet në SPAK! Skandali me 123 milionë eurot e “Bankers” dhe akuzuat ndaj Belinda Ballukut dhe Petrit Malajn

Jul 16, 2026 | 16:45

Ish-kandidatja për deputete e PD-së dhe drejtuese e strukturave Adriana Kalaja, shpjegoi sot në studion e News24 arsyet përse kishte depozituar dy kallëzime penale ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku për çështjen e Bankers dhe të një parku fotovoltaik dhe fazën në të cilën ndodheshin hetimet nga SPAK.

kalaja

Ajo nënvizoi se edhe dje ishte në Prokurori për të marrë informacion, teksa shpjegoi se SPAk duhet të kishte marrë një vendim për kallëzimin e parë sepse kishin kaluar afatet 6-mujore të hetimit dhe dosja ose duhet të ishte pushuar ose të kalonte për gjykim apo të zgjateshin afatet.

“Përpara se të më ndodhnin disa probleme shëndetësore, dje ka qenë edhe dita e parë e punës, unë kisha referuar dy kallëzime penale për Belinda Ballukun. Kallëzimi i parë kishte lidhje me çështjen e Bankers dhe kallëzimi tjetër kishte lidhje me një park fotovoltaik, për të cilin në dijeninë time edhe kjo është regjistruar por po pres të shkoj të jap shpjegimet e duhura. Prokurori i çështjes kishte gjykuar, përveçse më ka surprizuar për mirë dhe duhet thënë kjo, sepse e kishte regjistruar në kohë rekord kallëzimin, por edhe thirrja ime për deklaratën përkatëse ishte bërë në kohë po rekord kështu që unë dje isha thirrur në ambientet e SPAK për t’u pyetur rreth këtij kallëzimi dhe më rezultonte se për Bankers po bëhej hetim i thelluar për gjithë problematikën”, tha ajo mes të tjerash.

Kalaja tregoi edhe për katër veprat penale për të cilat e kishte referuar zyrtaren e lartë socialiste, e cila është e pandehur nga SPAK dhe GJKKO edhe për dosje të tjera tashmë, sikurse me masë sigurie.

“Një nga problematikat është ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, korrupsioni pasiv, përfitimi i interesave të paligjshme, pastrimi i produktit të veprës penale, por edhe organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, që në këndvështrimin tim në referim të dokumenteve që kam paraqitur, i adresohen zv/kryeministres Belinda Balluku dhe ministres së Financave të kohës Anila Denaj, jo vetëm për shpërdorim detyre por edhe jo vetëm këtu dy ish ministre, por edhe ministri aktual i Financave, pasi pyetja që i kemi bërë SPAK është që shkresa e zotit Malaj (Petrit Malaj) megjithëse është korrekt në formulim, a është bërë në kohën e duhur për t’u vjelë kjo shumë, pra se bëhet fjalë për shumën 123 mln euro për t’u vjelë. Pra jemi para një dekreti numër dy dhe me veprime të paligjshme korruptive, të paligjshme dhe arbitrare, Belinda Balluku dhe Anila Denaj një periudhë të gjatë kohe e kanë pezulluar dhe pastaj kanë tentuar që ky detyrim të falej dhe ndërkohë që as njëra dhe as tjetra, as ministria e linjës, Infrastruktura dhe as Financat, nuk ka asnjë tagër të falë këto detyrime e gjoba, pasi këtë e ka vetëm Drejtoria e Përgjithshme”, tha ajo.

Kalaja shpjegoi se pozitat e Ballukut tashmë janë të rënduara dhe rrezikon deri në 35 vite burgim, por SPAK nuk kishte marrë asnjë vendim deri tani për dy nga kallëzimet e saj dhe se po e ndiqte nga afër çështjen.

“Pavarësisht se unë kërkoja që masat e sigurimit personal ndaj Belinda Ballukut të ishin më të rënda, sepse thashë, janë arrestuar drejtues të opozitës pa u mbyllur dosja e komunikuar akuza, kurse më 30 tetor 2025 kemi komunikim të akuzës, pra është regjistruar emri i Belinda Ballukut, pra SPAK, pra prokurori Dritan Prenci, sepse është dosje më vete nga Bankersi, duhej që brenda prillit 2026 të dorëzonte dosjen në Gjykatë, ose me pushim ose me kalim për gjykim, ndryshe të bënte zgjatje të afatit. Ne nuk kemi informacion për zgjatje të afatit në këtë rast, sa që mua si qytetare dhe si kallëzuese dhe pjesë e PD më ngre dyshime të arsyeshme që kjo dosje të amnistohet për të shkuar drejt amnistimit të saj. këtë dyshim e kam që nisur nga marsi i 2026 nuk kemi parë asnjë veprim konkret për të rishkruar kërkesën për masë dhe heqje të imunitetit, e po ashtu siç e theksuan vetë do ketë një rikualifikim të veprave penale dhe rëndesë të madhe në dhënien e vendimit, deri në 35 vite burg”, tha ajo.

Në fund Kalaja shprehu mendimin që SPAK të ishte në rrugën e duhur dhe mendimet e saj të ishin vetëm dyshime.

“Unë uroj që këto të jenë dyshimet e mua dhe SPAK të jetë në rrugën e duhur, por unë prapë kam dyshime se ligji nuk ia lë në kompetencë SPAK, se ligji thotë se brenda 6 muajsh duhet mbyllur dosja, nëse ke arsye për zgjatje afatesh ti duhet ta kërkosh, siç u bë në rastin  Ilir Metës, që u zgjat afati. Unë do ta ndjek patjetër, sepse ky është suksesi i asaj që kam arritur deri këtu, se kam qejf t’i qëndroj këtu, sepse çdo kërkesë që çoj në SPAK për informacion, e di se SPAK nuk jep informacion për ruajtje të sekretit, por janë për t’i thënë SPAK se unë po ju vëzhgoj”, përfundoi Kalaja.

© Panorama.al

Te lidhura