TIRANE- Presidenti, Bamir Topi ka vizituar të plagosurit e ngjarjes tragjike të një dite më parë, të ndodhur në Poligonin e Asgjësimit të Municioneve në Bigaz të Skraparit, të riun Jetmir Dedaj, i cili po kurohet aktualisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Pasi vizitoi dhe u interesua për gjendjen e të plagosurit, Topi vizitoi njëkohësisht zonjën Majlinda Dehari, e lënduar dy ditë më parë gjatë punës, në Uzinën e Demontimit në Poliçan.
NJe proces qe ka riskun e vet brenda e ka quajtur Topi punen e bere nga demontuesit. “Eshte një proces që ne po tentojmë ta bëjmë sipas të gjitha standardeve të NATO-s. Por padyshim, sikurse ndodh me çdo profesion tjetër, edhe këtu, sidomos në këtë lloj profesioni, gjërat janë me shumë risk.
Unë ju falenderoj për interesimin dhe besoj që është pjesë e sensibilitetit publik që gjërat t’i trajtojmë me vlerën reale të asaj çka afron edhe momenti. Unë dëshiroj të inkurajoj të gjithë njerëzit që merren me këtë pozicion, që, duke i bërë gjërat sipas proceseve teknologjike të miratuara, të kenë edhe kujdesin e duhur, por aksidenti mbetet aksident”- tha Topi.
Sipas tij, ideja është që bëhet fjalë për municione të vjetra në një Poligon ku gjithçka është e miratuar me ligj dhe me rregulloret përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes.











