SHKODER – Përmbytjet e fundvitit në Shkodër kanë shkaktuar dëme në vlerën e 30 milionë dollarëve. Kreu i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi, bëri dje të ditur këtë fakt. Sipas tij, është mbyllur vlerësimi i dëmeve për pasojat e përmbytjes në shtëpi e biznese, ndërsa drejt fundit është bilanci i dëmeve në bujqësi. “Procesi në terren ka përfunduar, bashkë me hartimin e dokumentacionit përkatës. Nga informacionet që ka Këshilli i Qarkut si institucion, mbikëqyrës i këtij procesi, pra të verifikimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fundvitit, Enti Kombëtar i Banesave ka bërë vlerësimin e ndërtimeve dhe të pajisjeve shtëpiake, ka përpiluar dokumentacionin dhe ne po bëhemi gati që të gjitha dosjet e plota me këto dokumente t’ia përcjellim Ministrisë së Brendshme. Vlera e rrumbullakosur e dëmeve është rreth 30 milionë dollarë”, pohon Kolombi. Kreu i Këshillit të Qarkut bëri të ditur se vlerësimi për çdo njësi vendore, ku Bashkia e Shkodrës ka dëme në vlerën e 412 milionë lekëve, për të vazhduar më pas me 683 milionë lekë të komunës së Dajçit, 357 milionë lekë në Bërdicë, 299 milionë lekë në Bushat, 130 milionë lekë në Velipojë, etj. Tashmë pritet vetëm vendimi i qeverisë, ku nëpërmjet Këshillit të Ministrave do të miratohet sa do jetë shuma përfundimtare që do të përfitojnë familjet e dëmtuara nga përmbytjet e fundvitit që kaloi në qarkun e Shkodrës. r.d











