
Përcillet për në banesën e fundit 22-vjeçari Bardhosh Myrtaj, djali i një prej viktimave të demonstratës së 21 janarit, Faik Myrtaj.Një ditë pas ngjarjes tragjike, të afërm e familjarë kanë vijuar ta mbysin zinë me heshtje totale, ndërsa pranë banesës së viktimës kanë mbërritur bashkëfshatarë, të afërm, përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të pushtetit vendor dhe deputetë të qarkut Fier.
Të ndarë në grupe, të gjithë kanë dhënë ngushëllimet pranë familjes, ndërsa kanë pritur në varrezat e fshatit, pak metra larg shtëpisë, derisa trupi i pajetë të mbërrinte. Ceremonia e varrimit ishte planifikuar të zhvillohej në orën 15.30, ndërsa është shtyrë disa minuta për shkak se u prit sa të mbërrinin xhaxhallarët e djalit të vetëvrarë, të cilët jetojnë në Itali prej vitesh. I vetmi që ka pranuar të japë deklaratë në këtë mort ka qenë anëtari i Asamblesë së PS-së për qarkun Fier, njëherësh edhe kandidat i pavarur për komunën Cakran, Kujtim Sherifi. “Dy janë faktorët përgjegjës për vdekjen e djalit të Faik Myrtajt. I pari është moszbardhja e autorëve të 21 janarit dhe i dyti është braktisja nga shteti dhe politika e familjeve të viktimave të 21 janarit”. Kështu ka deklaruar Sherifi, ndërsa shtoi se vetmia dhe braktisja e familjes edhe nga të afërmit që janë në emigrim në këtë periudhë, la dhe krijoi terren që 22-vjeçari Myrtaj të vriste veten paraditen e së hënës. “Ishte pasoja kjo, se shkaku duhet kërkuar te pasiguria që ka sot individi për të jetuar. Nuk u gjet autori i vrasjes së 21 janarit dhe shteti duhet të ishte më i përgjegjshëm. Djali është shoqëruar këto kohë, sipas meje, nga probleme të forta, të cilat erdhën si pasojë e gjithë asaj që ndodhi përpara pak muajsh. Ishte një djalë i ri dhe kërkonte të kishte afër më shumë njerëz që t’i flisnin e ta mbështesnin, por tani, siç po ndodh gjithandej, të gjithë të afërmit e tij janë në emigrim dhe të gjithë shohin hallet e tyre. Megjithatë, unë mendoj që këtë rast duhet ta shohim më gjerë, te politika që duhet t’i qëndronte më pranë dhe te shteti që duhet të gjente autorët”, ka vijuar Sherifi. Trupi i pajetë i Bardhosh Myrtajt u gjet të hënën, pasi i riu kishte qëlluar veten me një plumb pistoletë në kokë.
FIER/ MAJLINDA RAMA











