Për një Tiranë më të shëndetshme

Apr 27, 2011 | 10:40

HALIM KOSOVA

Tirana, me gjithë ndryshimet e bëra deri tani, mbetet ende vendbanimme probleme për t’u zgjidhur… Si metropol, ku të gjithë i “vërsulen” për një jetë më të mirë, bëri që brenda një kohe të shkurtër, në më pak se 20 vjet, popullsia e saj afërsisht të pesëfishohet, duke arritur gati sa 30-35% e të gjithë vendit. Ky ndryshim i numrit të popullatës, krahas kontributit në ndërtimin e qytetit, në të njëjtën kohë krijoi edhe shumë probleme, të cilat kërkojnë si zgjidhje emergjente, ashtu dhe të perspektivës.
Për këtë qëllim, çdo mendim specialisti për sektorin që ai mbulon do të ishte i vlefshëm për të arritur nëpërmjet rrugës më të shkurtër aty ku duam… dhe me kosto sa më të ulët. Kjo, për mendimin tim, kërkon më shumë përgjegjshmëri qytetare për të kontribuuar edhe për të përgjithshmen, motiv i cili më bëri edhe mua të pranoj ftesën për t’iu bashkangjitur edhe shumë intelektualëve të tjerë të kryeqytetit në ballafaqimin e organizuar me të dy kandidatët për kryetar Bashkie në Tiranë, nën siglën “Iniciativa për Tiranën”. Ky ballafaqim m’u duk një mundësi reale dhe konkrete që mendimet tona, të cilat “i sorollatim” në kokë apo i diskutojmë mes kolegësh, t’i themi me zë më të lartë në mjedise ku kanë më shumë vlerë, duke u shndërruar, pse jo, edhe në realitet.
Këndvështrimi im për ndryshime në drejtimin e duhur është si qytetar, mjek, por dhe si drejtues i një institucioni shëndetësor, siç është Spitali Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, ku vetëm gjatë vitit 2010 patëm 6691 lindje. Duke parë të dhënat e punës së përditshme, ku përveç sukseseve ka dhe shumë gjëra që duhen përmirësuar, prej disa muajsh një grup mjekësh po analizojnë shkaqet se përse kemi lindje para kohe, fëmijë të pazhvilluar normalisht, apo dhe nëna me situata të ndryshme klinike, të cilat seriozisht i rrezikojnë ato, duke qenë të ndërgjegjshëm se me disa ekzaminime të thjeshta, por sistematike dhe të domosdoshme më parë, mund të ishin plotësisht të parandalueshme. Analiza e rasteve bëhet duke u kthyer pas dhe duke vëzhguar çfarë nuk është bërë siç duhet gjatë 9 muajve të shtatzënësisë.
Nga analiza e situatës ekzistuese, derisa çdo gjë të shkojë në vendin e duhur në sistemin e sigurimeve shëndetësore, unë kam një propozim konkret për të ndryshuar në vazhdimësi realitetin pas lindjes. Për këtë qellim, pa u zgjatur shumë, mendoj që zgjidhje mund të jetë një paketë ekzaminimesh falas për gratë shtatzëna, të cilat jetojnë me asistencë apo në varfëri dhe që gjatë gjithë periudhës së shtatzënësisë nuk kanë mundësi të kryejnë asnjë ekzaminim, qoftë edhe më të thjeshtin për veten dhe fëmijën e tyre.
Absolutisht që çdo ndihmë apo nismë e Bashkisë për të ndihmuar familjet në nevojë është humane dhe e domosdoshme, për aq kohë sa kësaj pjese të popullatës t’i krijohen kushte për të pasur, duke u punësuar, atë çka i nevojitet në familje. Por, nga ana tjetër, propozimi që unë bëj për t’u ofruar këtyre familjeve me asistencë apo varfëri edhe këtë paketë falas me ekzaminimet elementare për ndjekjen normale të shtatzënësisë, mendoj se do t’u parandalonte atyre që më pas të kishin një problem më shumë mes tyre… dhe që gëzimi i vetëm në jetë të mos i kthehej në më shumë vuajtje apo vështirësi ekonomike.
Në vazhdim, sipas gjykimit tim, por edhe realitetit, një fëmije që e fillon jetën në kushte të papjekurisë shpeshherë të theksuar, por dhe duke shkuar pas daljes nga spitali në një familje me probleme ekonomike, mungesë të kushteve higjieno-sanitare, si dhe me edukatë shëndetësore të mangët, mendoj se do t’i mbeteshin pasoja, duke e shndërruar atë në pacient të përhershëm si për vetë familjen, ashtu dhe për sistemin tonë shëndetësor të “lodhur”. Kujtoj këtu se vetëm gjatë qëndrimit në shërbimin e kujdesit intensiv, në spitalin tonë kostoja për një fëmijë me probleme të tilla është rreth 42 000 – 50 000 lekë në ditë. Vlen të theksohet fakti që jo gjithmonë arrijmë t’i shpëtojmë ata, edhe pse duke luftuar me vdekjen për disa ditë rresht.
Qëllimi im për këtë propozim është i dyfishtë; së pari, të gjithë qytetarët të jenë të barabartë për kujdes shëndetësor, aq më tepër gratë shtatzëna, nga të cilat varet e ardhmja shëndetshme e gjithë shoqërisë. Së dyti, kostoja-efektiviteti në maternitetet tona, sidomos në repartet e terapisë intensive, kurrë nuk mund të rishikohet pa ulur rastet me ndërlikime që vijnë çdo ditë.
Kujdesi neonatal ndaj të porsalindurit me probleme, i cili paraqet rrezikshmëri të lartë, është shumë i kushtueshëm.
Kohë-qëndrimi mesatar në këtë repart gjithmonë është më i gjatë se në shërbimet e tjera spitalore. Investimet janë më të mëdha (p.sh., raporti personel mjekësor – pacient) dhe përdorimi i shërbimeve shtesë është i shpeshtë. Si rezultat, kostoja e shërbimit në terapinë intensive të të porsalindurit është dy deri në tri herë më e lartë se ajo e reparteve të tjera të terapisë intensive.
Ka shumë mënyra për të reflektuar në drejtimin e duhur për ndryshimet në ambientin e kujdesit shëndetësor. Duhet të ekzistojë një vetëdije më e lartë mes nesh në lidhje me koston dhe efektivitetin, një aftësi më e madhe për të bërë më shumë dhe me më pak burime, dhe aftësinë për të monitoruar cilësinë e shërbimit karshi pacientit nëpërmjet një sistemi informatizimi të sofistikuar.
Sektori publik duhet të marrë një rol aktiv që t’u sigurojë të gjithë fëmijëve ofrimin e gjithë ekzaminimeve dhe shërbimeve përreth lindjes.
Duhet të vëmë theksin të ndërtojmë një sistem shëndetësor, i cili të kujdeset jo vetëm për lindje të shëndetshme, por çka është më e rëndësishme, për lindje me fëmijë të shëndetshëm.
Për ta përfunduar mendimin tim, them se është më mirë të harxhojmë për profilaksinë e patologjive të ndryshme në lindje, sesa të kemi të porsalindur apo nëna me probleme, që shpeshherë, me gjithë koston e lartë të harxhimeve të bëra, mbeten “shqetësime” si për familjen, ashtu dhe për gjithë sistemin tonë shëndetësor.
Përmirësimi në përgjithësi i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë përreth lindjes do të arrihet duke vlerësuar në maksimum çdo rast në veçanti, si nënë apo fëmijë të porsalindur, ashtu dhe duke ndjekur të njëjtin udhërrëfyes për çdo paciente, me apo pa ndihmë ekonomike.

*Drejtor i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, shef i Shërbimit të Obstetrikës

© Panorama.al

Te lidhura