Për një fillim të ri në shëndetësi

Apr 11, 2011 | 10:19

GAZMEND KODUZI

Ndërsa hapësira shoqërore dhe mediatike shqiptare është e mbarsur me kontradiktat e shumta që përcjellin këtë situatë paraelektorale, nga shumë- kush kaloi pa u vënë re një nga ngjarjet më të rëndësishme për shëndetësinë dhe shëndetin e shqiptarëve- miratimi i Ligjit për “Sigurimin e detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”.
Shumëkush sjell në mendje debatin e madh që u bë në Amerikë ne vitin 2010 mbi reformën shëndetësore dhe impaktin që do të kishte ajo mbi popullatën dhe shëndetin e saj ne Amerikë dhe rëndësia e saj qëndronte në mekanizmat e financimit që Presidenti Obama propozonte për sistemin shëndetësor amerikan. Një rëndësi të tillë ka edhe kjo reformë financimi për sistemin shëndetësor në Shqipëri.
Por, pse është kaq shumë i rëndësishëm ky ligj për shëndetësinë shqiptare?
Rëndësia e këtij ligji qëndron në faktin se për herë të parë krijohet tregu i shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, duke i dhënë fund ekonomisë së planifikuar dhe të centralizuar në shëndetësi. Ky ligj i shikon të dy sektorët e shëndetësisë, publik dhe atë privat, si pjesë komplementarë të njëri-tjetrit, pra i shikon si pjesë të sistemit shëndetësor që i ofron shërbim shqiptarëve.
Por kush përfiton prej kësaj reforme?
I fituari i madh në këtë rast është qytetari.
Qytetari do të shkojë të marrë shërbimin për të cilin ka nevojë, aty ku ai mendon se është më e mira e tij dhe e shëndetit të tij, pra do të rrisë aksesin e qytetarit ndaj shërbimeve për të cilat ka nevojë. Ndërkohë, duke krijuar këtë sjellje përzgjedhëse të pacientëve, do të rritet cilësia e shërbimit të ofruar nga sektori publik apo ai privat, çfarë do të sjellë një rritje të cilësisë së jetës së qytetarit. Transparenca e shërbimeve që përfiton pacienti dhe kostoja e shërbimeve të marra, do të jetë një nga përfitimet e tyre. Pacientët do të kenë informacion për të gjitha shërbimet që janë në paketën e përfitimeve nga sigurimet shëndetësore si edhe koston përkatëse të çdo shërbimi, të cilat do të përgatiten nga grupe specialistësh pranë ISKSH-së.
Gjithashtu, një nga produktet e kësaj reforme do të jetë edhe ulja e një fenomeni të papranueshëm që ndodh në shëndetësinë tonë, pagesat informale që i kërkohen pacientëve për marrjen e shërbimeve që i takojnë. Në momentin që pacienti do të përzgjedhë institucionin ku do të marrë shërbimin, mjekun që do t’i ofrojë shërbimin, atëherë ai bëhet konsumator dhe do të blejë shërbimin aty ku personeli shëndetësor e respekton dhe përkujdeset për atë dhe nuk i kërkojnë pagesë shtesë mbi zyrtaren.
Nga kjo reformë do të përfitojnë aktorët kryesorë, ofruesit e shërbimeve shëndetësore.
Përzgjedhja e institucionit të kujdesit shëndetësor nga pacienti do të thotë që paraja do të shkojë aty ky shkon pacienti. Modeli konsumatorë, ofrues i shërbimeve shëndetësore, do të krijojë konkurrencën në tregun shëndetësor, gjë e cila si në çdo fushë të ekonomisë do të udhëheqë drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj pacientit. Një shembull i mirë që na jep shpresë për këtë rezultat të reformës është tregu i shërbimeve stomatologjike në vend, i cili ishte në kolaps të plotë përpara se të privatizohej. Po të hedhësh një vështrim sot në klinikat stomatologjike, do të gjesh ambiente dhe kabinete moderne, po aq sa në vendet e tjera europiane. Funksionimi i sistemit shëndetësor mbi bazën e kërkesë-ofertës do të detyrojë institucionet shëndetësore publike apo private që të bëjnë organizimin e tyre institucional dhe të burimeve njerëzore sipas nevojave të popullatës dhe volumit të punës që do të kenë, duke iu larguar modelit aktual të planifikimit apo punësimit pa kriter. Gjithashtu, kjo marrëdhënie pacient – ofrues do të bëjë të mundur rritjen e aksesit të shërbimeve sa më pranë popullatës që ka nevojë jo vetëm në shumëllojshmëri dhe cilësi, por edhe në aksesin fizik ndaj shërbimeve.
Përfituesi i tretë është Fondi.
Me krijimin e Fondit pacientët fitojnë një avokat të interesave të tyre, ndërsa aktorët, një financues të shërbimeve të ofruara.
Fondi do të jetë institucioni i cili do të kontraktojë dhe do të paguajë faturat për shërbimet e kryera nga ofrues të ndryshëm ndaj pacientëve të siguruar. Nëpërmjet mekanizmit të kontraktimit, Fondi do të bëjë të mundur mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, duke vënë si kushte që ofruesit e shërbimeve (publik apo privatë) duhet të bëjnë transparent shërbimet që ato ofrojnë si edhe çmimet përkatëse, me qëllim që konsumatori të jetë i informuar se ku mund ta marrë shërbimin për të cilin ka nevojë. Gjithashtu, në kontrata do të sigurohet cilësia e shërbimeve të ofruara ndaj konsumatorëve nëpërmjet zbatimit të standardeve të kërkuara dhe kalimit të institucioneve përmes procesit të akreditimit të tyre, çfarë do të thotë që shërbimi i ofruar do të jete cilësor dhe i sigurt. Gjithashtu, Fondi do të luajë rolin e supervizuesit të zbatimit të kontratave, me qëllim që konsumatorëve të mos u kërkohet të paguajnë më shumë se çfarë është rënë dakord ndërmjet Fondit dhe ofruesve.
Në ndryshim nga eksperienca e deritanishme, Fondi do të luaj rolin kryesor në përgatitjen e paketave të shërbimeve që do të mbulohen nga sigurimet shëndetësore, nëpërmjet komisioneve të specialistëve të fushave përkatëse. Këto paketa shërbimesh me kostot përkatëse do të jenë baza e kontratave të financimit që do të lidhen midis Fondit dhe ofruesve të ndryshëm. Fondi do të ketë të drejtën e përzgjedhjes së ofruesve privatë, të cilët do të kontraktojnë me Fondin, bazuar në kritere transparente, dhe midis ofruesve të licensuar dhe të akredituar. Nëpërmjet këtij procesi përzgjedhës, Fondi sigurohet që pacientët do të shkojnë në ato institucione që ofrojnë shërbime cilësore dhe brenda standardeve të kërkuara.
Pra, siç shihet, nga ligji i ri i sigurimeve shëndetësore reformohet gjithë sistemi shëndetësor, krijohet tregu i shërbimeve shëndetësore dhe mbi të gjitha do të kemi një shërbim sa me afër dhe më cilësor për pacientin.
*Kandidat i Shkencave Mjekësore

© Panorama.al

Te lidhura