PD: Bashkia, me punonjës sa tri ministri

Apr 28, 2011 | 9:33

Partia Demokratike akuzoi bashkinë e Tiranës për shpërdorim të fondeve për paga punonjësish dhe shumë pak për investime. Deputetja demokrate Mesila Doda tha dje gjatë një prononcimi për mediat se “Bashkia e Tiranës ka sot një administratë tejet të fryrë, që jo vetëm rrit në mënyrë galopante shpenzimet administrative dhe ul investimet, por nuk mbulon as shërbimet bazë që u nevojiten qytetarëve”. “Numri i punonjësve në bashkinë e Tiranës sot është 3155, shifër kjo e barabartë me 3 ministri: Ministrinë e Ekonomisë, të Transportit dhe Ministrinë e Turizmit. Shpenzimet administrative të Bashkisë së Tiranës janë rreth 40% më të larta krahasuar me bashkitë e tjera të mëdha të vendit: kjo ka shkaktuar ulje të investimeve, pesha e të cilave ra nga 37% në vitin 2008, në 28% të buxhetit për vitin 2010, duke rënë edhe poshtë mesatares së të gjithë bashkive e komunave të vendit”, u shpreh Doda. Sipas saj, shpenzimet për pagat janë rreth 35% e buxhetit te Bashkisë kundrejt vetëm 18% qe zënë ë këto shpenzime ne buxhetin e qeverise. 85 lloje taksash. Bashkia harxhon 8300 lekë për frymë për pagat dhe vetëm 2500 lekë për shërbimet ndaj qytetarit. Duke folur për investimin më të fundit ët bashkisë, Doda tha se “një tjetër fenomen që tregon qartazi shpërdorimin e parave të taksapaguesve për punime gjysmake në prag fushate është ai i tavaneve elektorale dhe asfaltit elektoral. Së fundi edhe i shtrimit të barit elektoral që kushton 40.000 dollarë”.

© Panorama.al

Te lidhura