Patozi letër Ruçit: Partitë, në tryezë për 8 majin

Mar 25, 2011 | 15:39

TIRANË-Kreu i Grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi i është drejtuar me një letër homolgut të tij, Gramoz Ruci, ne te cilen  propozon mbledhjen e tryezës së partive politike per situaten parazgjedhore. Patozi fton Rucin me 29 mars në orën 11:00, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, së bashku me partitë e tjera parlamentare, duke ftuar njëkohësisht edhe prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Sipas tij, mbledhja behet ne prag të zgjedhjeve të 8 majit për pushtetin vendor.

Patozi shkruan në letrën e tij, se zgjedhjet e 8 majit po afrojnë dhe ato janë shumë të rëndësishme për vendin, ndërkohë që partitë politike kanë një rol shumë thelbësor në organizimin dhe zhvillimin e tyre.

 

Me poshte mund te lexoni te plote letren e Patozit, drejtuar Ruçit

I nderuar zoti Ruçi,

 

Zgjedhjet për pushtetin vendor të datës 8 maj po afrojnë dhe përgatitjet për to kanë hyrë në fazë intensive. Procesi zgjedhor përfshin një numër aktorësh, si administrata zgjedhore e të gjitha niveleve, pushteti qendror dhe ai vendor, subjektet zgjedhore, vëzhguesit dhe shoqëria civile, por pa dyshim, një rol kyç luajnë partitë politike në përputhje me detyrimet që u përcakton ligji. Sinergjia e kontributit të përbashkët e të gjithë aktorëve krijon kornizën dhe truallin e nevojshëm që zgjedhjet të jenë një celebrim i plotë i demokracisë. Gjithësecili prej tyre ka rol të përcaktuar qartë dhe e kryen atë pa ndërhyrë në detyrat e aktorëve të tjerë.

Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2009 përcakton për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri se ato përmbushën shumicën e angazhimeve të OSBE-së për zgjedhje demokratike. Ky raport vlerëson lart cilësinë teknike të Kodit Zgjedhor dhe infrastrukturës zgjedhore, por konstaton se “këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të proçesit”. OSBE/ODIHR-i shprehet se “zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet gjithashtu, në një masë të madhe, nga angazhimi i të gjitha partive politike shqiptare për të respektuar ligjin dhe qëllimin e tij në detajin më të vogël, sidhe për t’i përmbushur detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjëshme me synim ruajtjen e integritetit të procesit”.

Për të përmirësuar proçesin zgjedhor dhe arritjen e të gjitha standarteve ndërkombëtare, raporti i OSBE/ODIHR-it sugjeron 31 rekomandime, ku disa prej tyre i drejtohen drejtpërdrejtë ose tërthorazi partive politike. Tashmë, administrata zgjedhore, me në krye KQZ-në, që është organi suprem për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, por edhe administrata shtetërore në nivel qendror dhe vendor, janë në një fazë të avancuar dhe intensive të zbatimit të kuadrit ligjor për përgatitjen e zgjedhjeve, duke adresuar të gjitha ato rekomandime të raportit të OSBE/ ODIHR-it ,që kërkojnë veprim administrativ, pa ndryshuar ligjin. Theksojmë se stabiliteti i procesit përgatitor, i bazuar në zbatimin e rregullave, që kemi miratuar me konsensus të plotë, ka një rëndësi themelore për standartin e zgjedhjeve.

Në këtë kontekst, dhe duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e procesit përgatitor zgjedhor, ne mendojmë se i një rëndësie themelore mbetet rekomandimi i parë i këtij raporti, i cili kërkon që “Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në përputhje me privilegjet e mëdha që gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjëshme në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë. Kjo vlen edhe për performancën e komisionerëve zgjedhorë dhe nëpunësve të zgjedhur e të emëruar të të gjitha niveleve, të cilët nuk duhet t’i mbeshtesin veprimet dhe vendimet e tyre në lidhje me zgjedhjet në çështje apo bindje politike”.

Gjithashtu, rekomandimi 9 i raportit kërkon që, “Me qëllim pavarësinë dhe profesionalizmin e administratës zgjedhore, partitë politike nuk duhet të lejohen që të zëvendësojnë në mënyrë arbitrare anëtarët e komisioneve të nivelit më të ulët. Zëvendësimi duhet të lejohet vetëm për arsye specifike të shprehura qartë në ligj” ndërsa në rekomandimin 16 kërkon që “Autoritetet, ashtu si edhe partitë politike, duhet të marrin hapa vendimtare për të siguruar që mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë apo qytetarët e tjerë, të mos ushtrohet presion, qoftë për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës, qoftë për të mos u marrë me veprimtari politike apo për të votuar në një mënyrë të caktuar. Çdo rast i një presioni të tillë duhet të hetohet me hollësi dhe fajtorët të sillen përpara drejtësisë, në përputhje me ligjin”.

Ndërkohë që OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias përcaktojnë se kuadri ligjor shqiptar për zgjedhjet “përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike”, ne jemi të bindur se angazhimi me vullnet të plotë politik, jo vetëm i partive të mazhorancës së qeverisë, por edhe atyre të opozitës parlamentare, qoftë në zbatim të detyrimeve të tyre në administrimin zgjedhor, apo si subjekte zgjedhore, në përputhje me kuadrin ekzistues kushtetues dhe ligjor, do të rriste maksimalisht standartet e procesit zgjedhor.

Kuadri ynë kushtetues dhe ligjor për zgjedhjet përfshin të gjitha parimet, standartet dhe garancitë e nevojshme të përcaktuara nga OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës, për rrjedhojë zbatimi dhe respektimi i plotë dhe vullnetmirë i kuadrit kushtetues dhe ligjor dhe institucioneve të mandatuara prej tyre është garancia më e mirë, jo vetëm për përmbushjen e interesave legjitime të subjekteve zgjedhore, por mbi të gjitha, të interesit të zgjedhësve shqiptarë.

Për këto arsye, Ju ftoj që të ulemi në një tryezë të përbashkët më datë 29 mars 2001, në orën 11:00, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, së bashku me partitë e tjera parlamentare, duke ftuar njëkohësisht edhe prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Në këtë takim, me angazhimin e gjithësecilit, të shqyrtojmë përgjegjësitë që duhet të marrin partitë tona për adresimin e mundshëm të rekomandimeve për forcat politike, në respekt të plotë të kuadrit kushtetues e ligjor ekzistues. Kam bindjen se një angazhim i tillë garanton përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe se ai do të japë kontribut dhe garanci shtesë, përkrah këtij kuadri normativ, për zgjedhje demokratike, në përputhje me të gjitha standartet ndërkombëtare.

 

 

KRYETARI

Astrit PATOZI

© Panorama.al

Te lidhura