Arsenali e ka hedhur në erë këtë shans të madh, pasi barazoi me Liverpulin në një ndeshje që, për nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, nuk duhet ta kishte diskutuar, edhe pse iu mohua një 11-metërsh. Një barazim që nuk i shërben asnjërës prej skuadrave për objektivat që kanë. Penalltia dramatike e Dirk Kajtit, e shndërruar në gol në minutën e 102-të shtesë, u dha një goditje të rëndë shpresave të “topçinjve” për t’i bërë surprizën e hidhur Mançesterit në fund të kampionatit, por dhe të kuqtë humbasin shansin për t’iu afruar Totenhemit. Atëherë kur dukej se skuadrat do të ndaheshin 0-0, 11-metërshi i shndërruar në gol nga Robin Van Persi në minutën e 98-të ngriti peshë 60 mijë të pranishmit në “Emirates Stadium”. Por fati kishte rezervuar një tjetër përfundim. Në aksionin e fundit të lojës, një gjuajtje e lirë e Suarezit u përplas në mur, ndërsa Ebue pengoi Lukasin dhe që për kryesorin, Andre Marriner, ishte 11-metërshi i dytë. Dirk Kajt nuk gabon duke sjellë reagimet e Arsen Vengerit dhe Keni Dalglishit, që protestonin tek katërshja e gjyqtarëve, ndërsa ata linin fushën.











