Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë rënë dakord për “pezullimin” e punimeve të Kuvendit për 30 ditë, që përkon me përfundimin e fushatës elektorale.Vendimi është marrë pa debate në Konferencën e Kryetarëve, ndërsa sot do të paraqitet për miratim në seancë plenare. Ky vendim u argumentua nga kryetarët e grupeve parlamentare me faktin se deputetët do të jenë të angazhuar në fushatën zgjedhore, çka e bën të vështirë ose të pamundur prezencën e tyre në komisionet e Kuvendit, ose në seancat e tij. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, krerët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi (PD), Gramoz Ruçi (PS), Lefter Koka (LSI) dhe përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave në Konferencë, Genc Pollo, kanë firmosur marrëveshjen politike, ndërsa kanë detajuar afatin kohor dhe hapësirat ligjore që e lejojnë këtë. Sipas marrëveshjes, deputetët do të kenë leje një muaj të plotë kalendarik për të shkuar në zonat ku janë zgjedhur, në mbështetje të kandidatëve të krahut politik që përfaqësojnë. Por deputetët janë të detyruar të paraqiten pranë Kuvendit nëse do të ketë çështje kushtetuese, ose ndonjë rast tjetër urgjent. Një mbledhje e tipit të tillë pritet që të jetë ajo për miratimin e ministrave të rinj, nëse do të ketë dekret nga Presidenti i Republikës brenda këtij muaji. Në këtë linjë, kryetarët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi, Gramoz Ruçi dhe Lefter Koka, theksojnë se shpërndarja njëmujore e Kuvendit është thjesht “ngrirje” e punimeve parlamentare me marrëveshje politike, dhe jo pezullim zyrtar i tij.
Propozimi i tyre duke e cilësuar ndërprerjen e seancave parlamentare “ngrirje e përkohshme”, gjen hapësira ligjore edhe në Rregulloren e Kuvendit, ku thuhet se: “Konferenca e Kryetarëve diskuton dhe vendos për programin e punës, kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe të komisioneve të tij, si dhe për çështje të zhvillimit të punimeve të Kuvendit në seancë plenare”. Në të kundërt, në rast se do të cilësohej “pezullim”, atëherë do të binte ndesh me nenin 74 të Kushtetutës, ku shkruhet që: “Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit”, pra nuk parashikon ndërprerje të seancave, qoftë edhe disaditore. Nga ana tjetër, krerët e grupeve parlamentare kanë edhe një tjetër bazë ku mund ta mbështesin vendimin e tyre. Një precedent i tillë mbahet mend edhe në vitin 2007, po për të njëjtën arsye, kur Kuvendi ngriu përkohësisht mbledhjen e komisioneve parlamentare dhe zhvillimin e seancave për një muaj të plotë kalendarik.
Kushtetuta
Neni 74
1. Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. 2. Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve.3. Sesionet e jashtëzakonshme thirren nga kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi dite të përcaktuar.
Rregullorja e Parlamentit
Neni 42
Sesionet e punimeve të Kuvendit
1. Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga Kryetari i Kuvendit.
2. Kuvendi thirret në sesion të jashtëzakonshëm me kërkesë të motivuar me shkrim të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të paktën një të pestës së të gjithë deputetëve. Kryetari thërret mbledhjen e Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës, mbi bazën e një rendi dite të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare të përcaktuar prej tij.
Vangjel Dule: Duhen zgjedhje të parakohshme
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, përsëriti dje tezën e zgjedhjeve të parakohshme. Gjatë një takimi në Gjirokastër, kreu i PBDNJ-së u shpreh se në nëntë komuna kandidatët e kësaj partie do të mbështeten nga Partia Socialiste. “Dhe kandidaturat e PBDNJ-së vijnë me programe të veçanta, të detajuara, që prekin çdo aspekt të jetës së komunitetit lokal. Ky është çelësi i fitores”, ka deklaruar Dule. Ai ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë e vetmja rrugë për vijimin e proceseve integruese të vendit në Bashkimin Europian. “Vendi ka nevojë për institucione, për shtetin e së drejtës, dhe këto garantohen përmes një procesi të ri zgjedhjesh të përgjithshme të afërt”, ka shtuar Dule.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











