Pagat e mësuesve, si ndahen 100 pikët

Apr 4, 2011 | 14:22

Plot 100 pikë do t’u duhen mësuesve për të marrë vlerësimin maksimal dhe shtesën në pagë.Pak ditë më parë, Ministria e Arsimit ka publikuar rregulloren, e cila jep detajet për skemën e vlerësimit. Testi me shkrim do të ketë peshën më të madhe me 70 pikë. Ndërsa dy komponentët e tjerë portofoli dhe bonuset do të vlerësohen me 15 pikë secili. Janë 37 lëndë për të cilat arsimtarët i nënshtrohen provimit me shkrim dhe futen në konkursin e shtesës në pagë. Nga sa bëjnë me dije specialistët e MASH-it, këtë vit ka një ndryshim të lehtë të raportit të vlerësimit në favor të portofolit dhe bonuseve nga 27% me 73 % që ishte vitin e kaluar, në 30%  me 70 % që është parashikuar në vlerësimin e këtij viti. Provimeve të kualifikimit u nënshtrohen vetëm punonjësit e arsimit, të cilët, deri më 31 dhjetor të vitit 2010, plotësojnë vjetërsinë e punës, pesë, dhjetë apo njëzet vjet. Shtesa e pagës për ta varion nga 5-20%, sipas shkallës së kualifikimit
Komponentët e testimit
Vlerësimi i arritjeve të arsimtarëve do të zhvillohet duke u mbështetur në kombinimin e tri elementeve, ku përfshihen: portofoli i mësuesit, bonuset, si dhe pikët e fituara në testim. Dy treguesit e parë  vlerësohen nga Drejtoritë Arsimore rajonale. Ndërsa testimi me shkrim i mësuesve bëhet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit në bashkëpunim me Ministrinë. Portofoli i mësuesit krahasuar me vitet e kaluara, këtë vit ka një element më tepër, që është planifikimi ditor i mësuesit. Portofoli përmban: curriculum vitae, plani mësimor vjetor i një lënde, objektivat e arritjeve të nxënësve në tri nivele, një test kapitulli në lëndën, projekt kurrikular për një lëndë dhe klasë të caktuar, plani mësimor ditor. Secili nga elementet e portofolit do të vlerësohet maksimalisht me 3 pikë, duke rezultuar në total 15 pikë gjithsej. Mësuesit do të marrin pikë dhe nga bonuset. Në këtë kategori përfshihen: master, SHPU, certifikatë e gjuhës së huaj, certifikatë mbi TIK. Duhet theksuar se bonusin master e përfitojnë vetëm ata mësues kandidatë që zotërojnë diploma “Master i nivelit të dytë “ ose që kanë përfunduar studimet në SHPU – shkolla pasuniversitare, ata mësues kandidatë që zotërojnë diplomën “Doktor i shkencave”. Secili prej bonuseve do të vlerësohet me 5 pikë, duke bërë të mundur rritjen në total prej 15 pikësh për ata që supozohet se zotërojnë të tri bonuset nga elementet kryesore të vlerësimit të arritjeve të tyre. Provimi me shkrim është faza përfundimtare, tek i cili mësuesit duhet të marrin 70 pikë.

20 për qind është shtesa maksimale që marrin në pagë mësuesit që konkurrojnë për shkallën e parë të kualifikimit, që është edhe më e larta. Ata duhet të kenë 20 apo më shumë
vite punë në arsim dhe duhet të kalojnë testimin.

23 prill
është data kur mbi 2000 mësues në të gjithë vendin pritet t’i nënshtrohen testimit me shkrim në Tiranë. Nga ky provim që do të zhvillohet me rregulla të forta, ata duhet të grumbullojnë 70 pikë.

Komponentët e vlerësimit:

Testimi me shkrim do të vlerësohet me 70 pikë.

Portofoli profesional  vlerësohet me 15 pikë

Bonuset  vlerësohen me  15 pikë

Portofoli përfshin:
1. Curriculum Vitae
2. Plani mësimor vjetor i një lënde në një klasë
3. Objektivat e arritjeve të nxënësve në tri
nivele për një kapitull të caktuar në
një lëndë dhe një klasë
4. Një test kapitulli në lëndën e tij/saj
5. Një projekt kurrikular për një lëndë dhe
klasë të caktuar
6. Plani mësimor ditor

Në bonuset e parashikuara janë :
• Master/SHPU/Dr
• Certifikatë e Gjuhës së Huaj
• Certifikatë mbi TIK

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura