Paditë, Prokuroria thërret Pekën e Prençin

Apr 13, 2011 | 12:20
1.Kryekomisar Shemsi Prençi. 2.Ministri i Brendshëm në detyrë, Avenir Peka

TIRANE – Prokuroria e Tiranës fillon procedim penal për paditë e bëra nga zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, dhe drejtori i Forcave Speciale në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi. Burime nga Prokuroria e Tiranës, thanë dje se pas padisë së bërë nga Shemsi Prençi për fyerje dhe kanosje për shkak të detyrës, zv.ministri i Brendshëm Avenir Peka ka paditur drejtorin e forcave speciale në Policinë e Shtetit për shpifje. Ndër veprimet e para hetimore që do të kryhen, Prokuroria tha se është thirrja e dy zyrtarëve në organin e akuzës për të dhënë deklarimet e tyre mbi ngjarjen. Organi i akuzës tha se dy materialet kallëzuese janë bashkuar në një dosje të vetme, duke qenë se bëjnë fjalë për të njëjtën ngjarje të supozuar. Dosja penale, sipas burimeve të hetimit, ndodhet në zyrën e zv.prokurorit të rrethit Tiranë, Eljo Mazreku. Organi i akuzës mësohet se i ka hapur materialet e dorëzuara nga dy zyrtarët dhe ka verifikuar pretendimet e tyre. Në kallëzimin e tij, drejtori i Forcave Speciale, Shemsi Prençi, pretendon se të dielën më 10 prill, zv.ministri i Brendshëm Avenir Peka i ka kërkuar të dërgonte Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Bathorë në zonën ku po ndodhte një incident mes militantëve të PS-së dhe PD-së. Prençi shpjegon në kallëzim se ka kundërshtuar ta bëjë këtë dhe këtu komunikimi i tij me zv.ministrin është acaruar. Sipas padisë së Prençit, kërcënimet me shkarkim nga detyra, kanosjet personale dhe fyerjet kanë vazhduar edhe më pas me të paktën dy mesazhe telefonike, të cilat zyrtari i policisë i ka dorëzuar në Prokurori. Ndërkohë, zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, në padinë e tij i është referuar jo vetëm ngjarjes dhe komunikimit me Shemsi Prençin, por edhe deklaratës së bërë nga zyrtari i policisë gjatë paraqitjes së kallëzimit në Prokurorinë e Tiranës. Sipas padisë së zv.ministrit, deklaratat e drejtorit të Forcave Speciale, Shemsi Prençi paraqesin fakte të pavërteta. tr.so

© Panorama.al

Te lidhura