Pacolli krijon Task-Forcë për politikën e jashtme

Apr 29, 2011 | 10:23

Behgjet Pacolli do të jetë kryediplomati i Kosovës, falë marrëveshjes së re të koalicionit, madje do të drejtojë edhe një task-forcë, për të cilën ka insistuar vetë ai, e cila korpus veprimi do të ketë politikën e jashtme.“Kompromisi ka qenë Task-Forca. Hoxhaj do të jetë ministër i Jashtëm dhe Pacolli do të jetë në krye të Task-Forcës, anëtar i së cilës do të jetë Hoxhaj”, citohet burimi i KD. Ibrahim Gashi, këshilltar kryesor i Pacollit dhe ish-nënkryetar i AKR-së, tha se përveç Hoxhajt, në Task-Forcë do të jenë edhe ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku dhe ministri në ardhje i Diasporës, Ibrahim Makolli. “Në njëfarë mënyre Task-Forca do të përkufizohet edhe prej lidhjeve që kanë me ministritë, për krijimin e lehtësirave, qoftë për njohje apo për investime”, ka shtuar ai. Kjo Task-Forcë do të bëjë harmonizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së dikastereve qeveritare në funksion të strategjisë së njohjeve dhe do të punojë për zbatimin, rishikimin apo përshtatjen e kësaj strategjie në mënyrë progresive, në varësi të angazhimit të aktorëve të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Pacolli dje mori pjesë në Kuvendin e Kosovës, në ulëset qeveritare. Ai ka pranuar zyrtarisht se është zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës, duke konfirmuar me këtë rast edhe marrëveshjen që ka arritur me kryeministrin Hashim Thaçi. Pacolli përforcoi raportimet se Koalicioni për Kosovë të Re do të ketë 5 ministri dhe 8 zëvendësministra. Gjatë debatit në Kuvend, opozita ka kritikuar Qeverinë për mbingarkesë, pasi ka shpallur edhe vullnetin për të krijuar Ministrinë e Diasporës. Opozita e konsideroi këtë një mënyrë për të kënaqur oreksin e partnerëve të koalicionit. Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se edhe partitë e tjera që e kritikuan krijimin e kësaj ministrie, e kanë pasur ide vetë atë më parë, madje kanë bërë fushatë me këtë çështje. Por Kuçi pranoi se ka mbingarkesë të dikastereve dhe tha se duhet të ketë zvogëlim të ministrive në një mandat të ardhshëm. “Me miratimin e ligjit për Qeverinë, sigurisht do të ketë nevojë për një ridizajnim të tërësishëm qeveritar. Gjatë mandatit qeverisës njerëzit e kanë të vështirë ndoshta të bëjnë zvogëlime apo ndryshime të dikastereve, por një mandat i ri, sigurisht që do të kërkonte zvogëlim të ministrive”, ka thënë Kuçi.

Rexhepi nuk heq dorë

Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, tha dje se nuk tërhiqet nga ajo që ka deklaruar për EULEX-in. Ai tha se ka pasur një bisedë sqaruese me zëvendësshefin e EULEX-it, Andy Sparkes, por nuk është pishman pse ka deklaruar se “nuk ka hair prej EULEX-it. Zot ruana prej tyre!”.

Akuzat e Mustafës
Kryebashkiaku i Prishtinës, Isa Mustafa, akuzoi Policinë e Kosovës se “përmes SHIK-ut po bën shantazhe politike, duke dërguar në vazhdimësi forca policore, gjoja për hetime”. Mustafa ka shprehur shqetësim mbi hetimet ndaj zyrtarëve të komunës nga Policia për Krime Ekonomike, metodat e së cilës ai i krahasoi me metodat e UDB-së. Ai shtoi se njerëzit e SHIK-ut janë transferuar brenda institucioneve të Kosovës dhe po ngulfatin shtetin përmes krijimit të një shteti policor.

Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se ishte befasuar kur emri i saj doli si e nominuara e treshes për Presidente të Kosovës, pasi e kishte ditur këtë disa ditë më herët. Në intervistën e parë të gjatë televizive si Presidente, dhënë për  KTV-në, Jahjaga ka rrëfyer për jetën e saj dhe historinë e zgjedhjes së saj në krye të shtetit. Ajo tregoi se disa ditë para nominimit e kishin kontaktuar për të marrë pëlqimin e saj për këtë post.

© Panorama.al

Te lidhura