Diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë u kanë tërhequr vëmendjen deputetëve të Kosovës, që të marrin pjesë në seancën e ardhshme të votimit të Presidentit, edhe pse pas zyrtarizimit të kandidaturës së Behgjet Pacollit, opozita paralajmëroi bojkot. Por koalicioni qeverisës po nxjerr në garë edhe një kandidat të dytë. Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Kosovë, Piter Feith, ka kërkuar nga të gjitha palët politike në Kosovë që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të kryejnë detyrën e deputetit, duke marrë pjesë në votimin e Presidentit. Nëpërmjet një komunikate, Feith ka theksuar se edhe deputetët që e çuan çështjen në Kushtetuese, tani e kanë detyrim moral e politik që të jenë pjesëmarrës në procesin e zgjedhjes së presidentit. Sipas Feith, ky qëndrim është i përbashkët mes përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të BE-së në Prishtinë.
SHBA: Mos bojkotoni
Ambasada e SHBA-së ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës, institucionet e partitë politike në këtë vend, që ta respektojnë dhe ta përmbushin vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese. “Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë mendimit të Gjykatës, se të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit janë të obliguar që të kryejnë detyrat e tyre për të cilat janë zgjedhur nga populli i Kosovës, përfshirë edhe obligimin për të marrë pjesë në procedurat për formimin e institucioneve kushtetuese të Kosovës. Ne besojmë se ata deputetë, të cilët kërkuan mendimin e Gjykatës lidhur me seancën e 22 shkurtit, kanë obligim të posaçëm politik dhe moral që të respektojnë të gjitha aspektet e mendimit të shumicës së gjykatës në formë dhe përmbajtje dhe ne i ftojmë ata që të përmbushin obligimet e tyre kushtetuese dhe të kryejnë detyrën e tyre para popullit që i ka zgjedhur, duke marrë pjesë në Kuvend për të lejuar formimin e institucioneve të Republikës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së. Ambasada amerikane ka kujtuar pozicionin e brishtë të Kosovës në histori, duke kërkuar të mos krijohet paralizë institucionale dhe politike.
Pacolli, kandidat
Koalicioni qeverisës i ka mbledhur nënshkrimet për kandidaturën e re të Behgjet Pacollit për President të Kosovës. Priten edhe nënshkrimet për një kandidat të dytë, i cili nuk është zyrtarizuar se kush është. Votimi vetëm për një kandidat u cilësua shkelje kushtetuese nga gjykata më e lartë në Kosovë. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të lejohet vakum institucional.
Opozita: Bojkot
Opozita ka paralajmëruar sërish bojkot të seancës, nëse Pacolli do të jetë prapë kandidat për President. Ismet Beqiri, shef i Grupit parlamentar të LDK-së, tha se Kosova nuk është Kubë, dhe nuk është shtet me diktaturë, prandaj askush nuk mund t’i obligojë deputetët që të qëndrojnë në sallë për t’i bërë qejfin Hashim Thaçit. Edhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se nëse Pacolli do të jetë sërish kandidat, atëherë deputetët e AAK-së, nuk do të qëndrojnë në atë sallë. Visar Ymeri, kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, e cilësoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, për sa i përket daljes së deputetëve nga salla, si një interpretim moralizues. “Duhet t’i kemi informatat se si do të rrjedhë ajo seancë, në mënyrë që ta dimë se si do të veprojmë ne. Ende nuk po dihet se a do të jetë Pacolli kandidat apo do të ketë edhe tjetër”, tha Ymeri. Ai ka theksuar se megjithatë, qëndrimi kundërshtues i kësaj lëvizjeje për Pacollin ka qenë i qartë.
Një femër në garë
Deputetja e AKR-së, Myzejene Selmani, tha se janë gati edhe nënshkrimet për kandidatin e dytë. “Afër janë nënshkrimet edhe për kandidatin e dytë. Është i gjinisë femërore. Po ju them shumë sinqerisht se kësaj radhe Pacolli do të jetë president legjitim dhe shpresoj që opozita do të jetë racionale”, tha Selmani.
Protesta në Prishtinë, gazlotsjellës para Kuvendit, lëndohen dy gazetarë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje buxhetin për vitin 2011, pa votat e opozitës, e cila kishte kundërshtuar shitjen e PTK-së, që ishte futur në nenin katër të Ligjit për buxhetin. Ndërkohë që në sallën e Kuvendit votohej, punëtorët e PTK-së protestuan ashpër jashtë kangjellave të Kuvendit dhe tentuan të hyjnë në oborrin e ndërtesës, ku u penguan nga policia. Oficerët e rendit kanë përdorur edhe gaz lotsjellës për t’i larguar ata nga ndërtesa.
Protestuesit kanë qëndruar tri orë përpara Kuvendit, me ta janë bashkuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë përplasjes fizike mes protestuesve dhe policisë, janë lënduar edhe dy gazetarë, të cilët kërkuan ndihmë në emergjencë, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës. “Posta është jona, jo e qeverisë… Posta është jona, jo e qeverisë…”, ishin thirrjet e punëtorëve. Kryetari i sindikalistëve të PTK-së, Milazim Alshiqi, zhvilloi një takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Vendimi nuk mund të ndryshohej dhe me rekomandimet e Alshiqit, protestuesit u shpërndanë të qetë, por duke paralajmëruar se fillimisht do t’i drejtohen Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese që të vërtetohet jo-kushtetutshmëria e shitjes së PTK-së. Ata paralajmëruan se nëse ana ligjore nuk sjell rezultate, do të bllokojnë komunikimin përmes PTK-së dhe do të nisin protestat para qeverisë. “Nuk garantojmë se do të jenë më protesta paqësore”, tha Alshiqi. Miratimi në pako i buxhetit me shitjen e PTK-së nga opozita u cilësua si joligjore dhe jo-kushtetuese. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se qeveria ka borxhe dhe nuk ka mjete të ndërtojë autostradën Vërmicë-Merdar, prandaj e ka futur shitjen e PTK-së në kuadër të buxhetit, që ta shndërrojë në asfalt. “PTK-ja po shitet në mënyrë që të paguhet kompania ‘Bechtel&Enka’, kontrata me të cilën po mbahet sekrete, si për qytetarët, po ashtu edhe për institucionet e Kosovës”, tha Kurti. Miratimi i buxhetit u përshëndet nga kryeministri Hashim Thaçi.
Kosova bën kompromisin e parë me Serbinë
Qeveria e Kosovës do ta vazhdojë dialogun me Serbinë, edhe pse Kosova nuk ka ende president. Javën e ardhshme, përfaqësues të Agjencisë së Kadastrave në Kosovë, ekspertë të EULEX-it dhe përfaqësues të autoritetit të regjistrave civilë në Serbi do të takohen në Bruksel për t‘u marrë vesh rreth regjistrave civilë. Aty nuk do të shkojnë as Edita Tahiri e as Borko Stefanoviç. Takimi do të jetë i nivelit teknik. Grupi i ekspertëve do të quhet Komiteti për verifikimin e regjistrave civilë. Pritet që ekspertët serbë të sjellin në takim edhe regjistrat civilë që Serbia i ka rrëmbyer nga Kosova në vitin ‘99, kur ushtria dhe policia serbe po tërhiqeshin nga vendi.
© Panorama.al











