
Kushedi sa herë u rrëzua baneri i operës “Verter”, që mbulonte hyrjen e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.Punëtorët e vinin ditën dhe ai binte natën… Si historia e Rozafës… Disa thoshin se ishte për të “prishur syrin e keq”. Një vepër që ngjitej për herë të parë në skenën shqiptare, ndoshta më e ndjera e Massenet dhe më e përjetuara e Gëtes, një tenor me famë botërore vinte në Tiranë për të interpretuar, ndërsa shoqërohej nga një soprano që nuk ka të sharë.. Supersticiozët besojnë se gjithçka që nuk shkoi si duhet: një projeksion që nuk doli, një dritë e shuar më herët, një frazë që nuk u tha, një takë e ngecur në fustan, apo përkthimi i çuditshëm i veprës, ndodhën për këtë arsye.. Gjithçka mund të ndodhte, por asgjë nuk do të mund të cenonte interpretimin e tenorit Saimir Pirgu në rolin e Verterit dhe të mexosopranos Vikena Kamenica në rolin e Sharlotës, të cilët u ngjitën në skenën e TKOB-it mbrëmjen e së mërkurës.
Përballë veprave verdiane, puçiniane etj., “Verteri” është tërësisht tjetër gjë. E mbështetur në veprën e Gëtes, “Vuajtjet e djaloshit Verter”, fjalët e libretit janë si në asnjë vepër tjetër (të ngjitur në skenën e TKOB-it) kaq të ndjera e të thella. Po kaq e ndjerë dhe e vështirë muzika e Massenet dhe ishte i kuptueshëm ankthi i këngëtarëve përpara shfaqjes, nëse do të mundeshin vallë t’i thoshin të gjitha… Tronditja që kjo vepër shkaktoi tek të dy protagonistët ishte e atillë, që gjatë procesit të punës ndiheshin si të dehur, të pagjumë… “Është shkatërruese”, thoshte Saimir Pirgu, që nuk ishte dridhur as para publikut të “La Scala-s”. Fatmirësisht ata mundën ta përcillnin këtë emocion tek publiku. Rreziku i një vepre premierë është së pari tek pëlqimi. A do ta pëlqejë publiku një vepër me të cilën nuk i është rrahur veshi? Nuk është e çuditshme që spektatori të lërë sallën. Kjo, jo vetëm që nuk ndodhi, por vepra u duartrokit shumë. Duke lënë mënjanë gjeninë e Massenesë dhe të Gëtes, e gjithë vepra varej nga aftësisë e Pirgut e të Kamenicës.
Këngëtarët
“Verteri” është një vepër që nuk operon me shumë karaktere, nuk ka kor që të mbushë skenën, nuk ka skena masive, nuk ka skenografi të rëndë me llambadarë, divanë e pasqyra. Kjo e fundit, kuruar nga Platon Bardhi, është gati e zbrazur. Vetëm ca mure, ndonjë karrige a stol që më së shumti ishin si mjet utilitare për këngëtarët dhe peizazhe që ndryshonin nga akti në akt përmes projeksionit. Ndërsa veshjet të përkora, por të qepura bukur. Dhe në këto kushte e gjithë pesha e veprës bie tek këngëtarët. Massenet e ka kompozuar atë në mënyrë të atillë që nuk i lë të marrë frymë. Dy këngëtarët hyjnë në aktin e parë e dalin në të katërtin, me ndonjë “ndihmë” që u vinte nga personazhe dytësorë, si Sofia, motra 15-vjeçare e Sharlotës, interpretuar nga sopranoja Ulpjana Aliaj apo Alberti, i fejuari i protagonistes, interpretuar nga baritoni Armando Likaj. Është tërësisht i besueshëm në rolin e Verterit Saimir Pirgu. Ai e vuan dashurinë e pamundur për Sharlotën, vajzën që nuk mund t’ia kthejë dashurinë, sepse i është premtuar tjetër kujt, jo vetëm përmes interpretimit vokal. Ky rol ishte prova e parë për të, nuk e kishte kënduar më parë. E ngjeshur në fraza, vazhdimisht e ndryshueshme në gjendje e në tonalitete… Zëri i tij është i pastër, i bukur. Skenës shqiptare i mungojnë të tillë zëra. Në ndonjë rast u vu re “mospërputhje” me orkestrën, e cila gjithashtu e kishte për herë të parë që luante këtë pjesë. Tenorit i është dashur të bëjë me shenjë që të “përmbahet” ndryshe do të ishte mbuluar prej saj. Por dy herë të tjera iu desh të përmbajë publikun, i cili i ekzaltuar, në momentet me kulminante të aries, thërriste “Bravo!”. Dhe publiku e mirëkuptoi. Por në këtë rol Pirgu ka fatin që shoqërohet nga Sharlota-Vikena Kamencia. Ajo është vajza që dashuron e vuan, por përgjegjësia e detyrës dhe premtimit të dhënë nënës së vdekur, është më fortë se ndjenja, të cilët i duhet ta mbysë. Kur ajo nis të këndojë, asnjëherë nuk ke frikën brenda vetes nëse do ta çojë frazën deri në fund. Ajo është e sigurt në atë që bën. Rolin e bën të vetin në mënyrën më të natyrshme. Por ajo që të linte pa frymë ishte komunikimi mes të dyve.
Aktrimi
Ndryshe nga ç’jemi mësuar në shfaqjet operistike, ku këngëtarët ngulin këmbët në mes të skenës e mezi lëvizin, apo me zor shprehin ndjenjat, ata të dy nuk kanë frikë ta bëjnë një gjë të tillë. Do ta imagjinonit dot dashurinë e Verterit dhe Sharlotës me një fshikje të lehtë në faqe, apo me një mbajtje duarsh?! Si rrallë ndonjëherë në opera, dy këngëtarët shkëmbejnë puthje pasionale mes tyre. Ky komunikim mes dy këngëtarëve, e mbajti gjallë “Verterin” dhe i bëri të papërfillshme mangësitë e natës së parë, ndonjë projeksion të nxituar, apo përkthimin në shqip, ku veç tekstit sqaroheshin edhe lëvizjet e artistëve, çka ishte e nevojshme vetëm për ata që e kishin ndërtuar veprën, por jo publikun që i shihte në veprim. “Verteri” nën regjinë e Patrizia Panton dhe dirigjimin e Martin Zeller mbajti të lidhur publikun në opera për plot 3 orë, deri në momentin kur Sharlota, teksa përqafon trupin e pajetë të Verterit të vetëvrarë, thotë duke dënesur “Gjithçka mbaroi!”.
Opera: “Verter”
Muzika: Jules Massenet
Libreti: Mbështetur mbi “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes
Regjia: Patrizia Panton:
Dirigjimi: Martin Zeller
Interpretojnë:
Saimir Pirgu, Vikena kamenica, Armando Likaj, Ulpiana Alia, Erjona Gjyzeli, Edvin Kastrati, Solen Alla, Ogert islami, Roel Llupa etj.
Shfaqja: Në datat 22, 24 dhe 26 prill, ora 19.00, TKOB
ALMA MILE
© Panorama.al











