Presidenti amerikan, Barak Obama, ka dënuar djegien e Kuranit nga pastori i Floridës, Terri Xhons, duke e konsideruar këtë akt mungesë tolerance dhe fanatizëm. Obama ka dënuar si mizore edhe vrasjen e 14 personave, për shkak të protestave të dhunshme në Afganistan, si kundërpërgjigje ndaj këtij akti. Të premten pas lutjeve në xhami, qindra afganë në qytetin Mazar-e-Sharif kanë sulmuar zyrat e OKB-së, duke vrarë 10 persona, shtatë prej të cilëve punonjës të OKB-së, duke reaguar ashpër për djegien e librit të shenjtë të islamit. Një ditë më pas, katër persona të tjerë u vranë në Kandahar. Protesta të dhunshme në këtë qytet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së diel. Qindra protestues marshuan dje në rrugët e Kandaharit, por edhe Jalalabadit. Protestuesit kërkuan largimin e trupave amerikane nga Afganistani. Sipas “Associated Press”, turma dogji edhe një kukull me shëmbëlltyrën e Presidentit Obama.











