Avokati Franc Nuri, njëkohësisht përfaqësues ligjor juridik i Partisë Demokratike, u shpreh sot në studion e “Kjo Javë” në “News 24” se nuk e priste atë vendim me dy standarde nga Gjykata Kushtetuese, e cila bllokoi përkohësisht pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, masë e vendosur nga GJKKO dhe SPAK.
Ai shpjegoi se juridikisht nuk ka asnjë rast të ngjashëm ku Kushtetuesja në kohë rekord e bllokon dhe kalon për shqyrtim pezullimin. Ai për analogji mori edhe rastin e kreut të PD, Sali Berisha, që u rrëzua nga Kushtetuesja, duke argumentuar se ai duhet të kalonte të gjitha shkallët para se të vinte në shkallën më të lartë për ankimim.
“Nuk e prisja një vendim të tillë. Është një kazus mjaft i lehtë, sepse Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar asnjë rast më parë që të rrëzojnë pezullimin. Marr rastin psh., të Portit të Durrësit që nuk është pranuar dhe këtu nuk ka pasur asnjë arsyetim. Madje nuk mund të justifikohet me një fjali arsyetimi i vendimit. Ndërkohë që ka edhe Apel”, tha Nuri.
Më tej ai shpjegoi se kjo çështje nuk duhet të ishte kaluar farë në votim në mbledhje gjyqtarësh dhe të ishte mbyllur nga treshja e parë e trupës gjykuese, ndërsa nuk kishin kompetencë për ta kryer këtë procedurë.
“Normalisht kjo çështje duhet të ishte mbyllur që në fillim nga 3 gjyqtarët e Kushtetueses dhe nuk duhet ta çonin më tej dhe të shkonin në favor të Këshillit të Ministrave, që në fillim ta mbyllnin, nuk kanë kompetenca”, vijoi avokati.
Për Nurin, Kushtetuesja nuk kishte pse të ndiqte dy standarde, ndryshe për zotin Berisha dhe ndryshe për Ballukun.
“Me Ballukun duhet të kishte ndjekur praktikën e asaj që u ndoq me zotin Sali Berisha. Kam qenë edhe përfaqësues ligjor i kësaj kërkese. Edhe në atë rast kërkesa u bë në kohë rekord, por Gjykata Kushtetuese e arsyetoi ndryshe, e hodhi poshtë duke thënë se duhet të ndiqte që të gjitha hallkat, Apel, Gjykatë të Lartë dhe më tej. Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese ka ndjekur dy standarde. Ky është rasti më tipik i kësaj gjykate. E përsëris edhe një herë, është për të ardhur keq që u mor ky vendim”, përfundoi juristi.
© Panorama.al













