“Nuk jemi as sorra, as trushkulur dhe as terroristë!”- Ish-kryepolici: Ramës i kemi bërë shah-sheh, së shpejti do ia marrim edhe mbretëreshën!

Jul 24, 2026 | 18:32

Protestuesit nuk janë as sorra, as trushkulur dhe as terroristë.

krenar ahmeti

Kështu u shpreh sot në një lidhje direkte me studion e televizionit News24, ish-kryepolici Krenar Ahmeti, i cili dënoi ashpër deklaratat e kryeministrit Edi Rama për fyerjet ndaj qytetarëve që dalin në shesh, përfshi edhe atë vetë.

Më tej ish-kryepolici shpjegoi se kjo sjellje e kreut të qeverise vjen për shkak se po humbet lojën e shahut që aq shumë i pëlqen të bëjë analogji në fjalimet e tij apo në politikë.

Ahmeti deklaroi se protestuesit i kanë bërë shah-sheh-torrë kryeministrit dhe së shpejti do i marrin edhe mbretëreshën.

“Kjo është lojë shahu, meqë Ramës i pëlqen shahu. Ne i kemi bërë shash-sheh-torr, ia kemi marrë torrat dhe së shpejti do i marrim mbretëreshën. Por ne nuk jemi trushkulur dhe as sorra, unë e di se për cilën sorrë e ka ai, se e ka për atë sorrën e flamurit atje, unë më mirë do isha sorrë se sa të zbatoja urdhra të paligjshëm”, tha Ahmeti.

Më tej ai shpjegoi se nuk mund të sillet si një nënshtrues ndaj urdhrave të pushtetit për të dëmtuar interesat e qytetarëve, duke theksuar se sakrifikoi edhe detyrën e tij për të mos i shkelur të drejtat e njeriut.

“Jam futur vetë poshtë kamionit dhe shkatërrova karrierën, por asnjë qime floku nuk iu prek qytetarëve dhe jam krenar që nuk është dëmtuar asnjë qytetar”, tha ai.

Amheti u shpreh i bindur se qytetarët do e fitonin lojën psikologjike me kryeministrin. Gjithashtu i kërkoi Ramës dhe Ballës të distancoheshin nga akuza e cilësimit si terroristë të protestuesve.

“Ne do ia marrim edhe mbretëreshën, prite, është luftë psikologjike. Ai na ka bërë agjentë, iranianë dhe madje na quan terroristë bashkë me zotin balla. Ta marrë mbrapsht atë fjalë, zoti Balla nëse do të bëjë politikë ta bëjë me të tjerët, unë nuk jam terrorist ndaj ta marrë mbrapsht”, tha Ahmeti.

© Panorama.al

Te lidhura