Ish-kryepolici krenar Ahmeti kritikoi ish-kolegët e tij për sjelljen e dhunshme dhe joprofesionale në protestën e djeshme para Parlamentit, duke deklaruar se iu përgjigjën vezëve të qytetarëve me gaz lotsjellës, spraj me piper dhe ujë, duke i dëmtuar apo arrestuar.
I ftuar në një lidhje direkte në televizionin News24, ai komentoi planëzimin e forcave të Policisë së Shtetit, veprimet jopropocionale ndaj protestuesve dhe strategjinë e mëtejshme të kësaj lëvizjeje.
“Çorientimi i forcave të policisë solli kaosin në protestë. Detyra e policisë është marrja e masave. Para protestës ato ishin marrë mirë, por gjatë protestës nuk u zbatuan mirë. Nuk pati komunikim funksional të strukturave me njëra-tjetra dhe që bashkërendon forcat sipas përshkallëzimit të situatës. Duhet të ketë përputhje të masave dhe veprimeve me atë të protestës. Gjatë kohës që vepronin ata goditën edhe njëri-tjetrin, goditën edhe vetë forcat e rendit, një pjesë të pambrojtura. Në bazë të përshkallëzimit të protestës vendosen edhe forcat e policisë”, tha ai.
Ahmeti argumentoi se protesta para Parlamentit ishte paqësore, u përdorën vetëm vezë dhe domate, teksa ironizoi forcat e rendit se kishin frikë prej tyre, teksa forca e përdorur tejkalonte kufirin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
“Protestuesit kishin shkuar atje vetëm për të gjuajtur me vezë, nëse tremben nga vezët atëherë kjo është gjë tjetër. Nuk kishte aspak nevojë të përdorej uji dhe gazi. Merreshin masat për mbrojtjen e deputetëve, krijohej masa fluskë dhe nuk depërtonte asgjë, por ata nuk e bënë këtë, por përshkallëzuan forcat dhe situatën”, vijoi ai.
Por ish-kryepolici shpjegoi se pati disa individë me maska tashmë të idenfifikuar prej vetë atyre, që donin të prishnin protestën paqësore, të provokonin dhe që përdorën gurë e mjete të forta, të cilët i përkisnin një partie, tek e cila janë denoncuar tashmë.
“Kemi identifikuar personat që provokuan brenda turmës. Gjashtë shtatë vetë të një partie që s’ia them emrin kanë qenë me gurë dhe mjete të forta. I kemi proklamuar të partia përkatëse dhe ata do marrin masa. Ne kemi bërë thirrje se jemi kundër dhunës dhe brenda kornizave legale, nuk do i tolerojmë. Flas me kompetencën teknike sepse jam përditë në protestë”, tha ai.
Ahmeti shprehu mbështetjen e plotë të protestës që nga dita e parë, duke vënë në dukje se kjo qeveri “duhet të shporret sa më parë”.
“Jam përkrahës me zemër i protestës që kjo qeveri të shporret një orë e më parë, por jam dhe jemi kundër dhunës, për t mos thyer asnjë xham e të mos godasim. Të jemi brenda kornizës ligjore, të mos godasim asnjë forcë të rendit”, tha ai.
Ahmeti kritikoi ish-kolegët edhe për planin e masave apo mungesën e shenjave dalluese gjatë shoqërimeve dhe arrestimeve të protestuesve, sikur të ishin bagëti.
“Policia duhet të ketë shenja dalluese, edhe mënyra se si shoqërohet një person ka norma, ka rregulla, nuk mund ta kapësh tjetrin dhe ta tërheqësh sikur të jetë bagëti. Duhet të jenë profesional, duhet të kenë shenja dalluese, kujt i përkasin. Kjo sjell rritjen e dhunës, mosidentifikimi i personave”, analizoi ai.
Por shtoi se qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga shoqërimet nëse nuk tejkalojnë kufirin ligjor, sepse lirohen përsëri:
“Policia të shoqëron, nuk duhet të kemi frikë se të shoqëron, nuk duhet të kenë frikë, Policia është e jona, të shoqëron dhe më pas të lë të lirë me dy gisht letër. Të merr dhe të lëshon, lirohen përsëri, frikë duhet të kenë ata persona të ushtrojnë dhunë e përdorin mjete të forta. Policia bën punën e vetë, por duhet të jetë profesionale. Policët u treguan aprofesionalë në arrestimin e protestuesve. A e kuptoni sa dëm i sjell shtetit nëse i ndodh gjë një qytetari. Ne nuk e kemi me Policinë, çdo forcë e sigurisë atje është e jona, për të mbrojt shtetin, deputetët, qytetarët dhe ata që mbrojnë të drejtën e tyre”.
Në fund Ahmeti tha se në protestë ka një grup ish-oficerësh që këshillojnë organizatorët dhe qytetarët se si të sillen.
“Ne jemi një grup oficerësh dhe ish-oficerësh që i këshillojmë, i orientojmë, i parandalojmë, të mos bëjnë preh e provokimeve, se ka fëmijë, pleq e shtresa vulnerabël atje, të mos i japim shkas asnjë provokatori të përfitojë”, u shpreh ish-polici.
© Panorama.al












