“Kryeministri duhet të largohet, ai është hajdut!”- US News jehonë protestave në Shqipëri: Qytetarët kundër qeverisë Rama! Balluku u shkarkua pas akuzave për korrupsion

Jul 24, 2026 | 17:45

Protestat e zhvilluara në Shqipëri kanë marrë jehonë edhe në median amerikane “US News”, e cila raporton për përplasjet e protestuesve me policinë para Kuvendit një ditë më parë, ku zhvillohej seanca e fundit plenare.

protesta tirane

Sipas artikullit, efektivët përdorën topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa këta të fundit hodhën vezë dhe shishe në drejtim të tyre.

Media amerikane thekson se protestat zhvillohen prej gati dy muajsh dhe se organizatorët akuzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe favorizim të projekteve të mëdha në dëm të interesit publik dhe mjedisit.

“Jam këtu për ta larguar këtë qeveri. Rama duhet të largohet, ai është hajdut”, “Do të vazhdojmë protestat për t’u bërë presion. Nëse nuk ushtrojmë presion, ata do të vazhdojnë ta shesin Shqipërinë”, janë shprehur qytetarët shqiptarë në artikull.

Në fund të artikullit, media amerikane kujton se më herët gjatë këtij viti protesta të tjera u zhvilluan me kërkesën për largimin e Belinda Ballukut për shkak të akuzave për korrupsion, duke shtuar se ajo u shkarkua më pas nga detyra.

ARTIKULLI I US NEWS/ Policia shqiptare përdori ujë dhe gaz lotsjellës të enjten për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën vezë dhe shishe në drejtim të efektivëve, në përshkallëzimin më të fundit të protestave të shkaktuara nga planet e Jared Kushner për ndërtimin e një resorti me vlerë disa miliarda dollarë.

Përplasjet jashtë godinës së Kuvendit përbëjnë një episod të rrallë dhune në protestat, përgjithësisht paqësore, që zhvillohen prej gati dy muajsh në Tiranë. Aktivistët kundërshtojnë projektet e zhvillimit në bregdetin e Adriatikut, të cilat, sipas tyre, përbëjnë rrezik për mjedisin dhe janë produkt i korrupsionit.

Protestuesit e kanë quajtur lëvizjen e tyre “Revolucioni i Flamingove”, në referencë të flamingove që grumbullohen në zonën e mbrojtur ligatinore ku dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, synon të ndërtojë hotele luksoze.

Policia, e pajisur me mjete për kontrollin e turmave, mburoja dhe uniforma antiprotestë, përdori topa uji ndaj qindra protestuesve, të cilët tundnin dhe godisnin barrierat metalike të vendosura përreth godinës së Parlamentit.

“Faleminderit Trump që na bashkove”, brohorisnin protestuesit gjatë tubimit.

Projekti i resortit të Kushner, si edhe investime të tjera zhvillimore në bregdet, mbështeten fuqimisht nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit i ka cilësuar protestat si të sajuara dhe të nxitura nga kundërshtarët e tij politikë.

“Jam këtu për ta larguar këtë qeveri. Rama duhet të largohet, ai është hajdut”, tha një protestues që u prezantua me emrin Pirro.

“Do të vazhdojmë protestat për t’u bërë presion. Nëse nuk ushtrojmë presion, ata do të vazhdojnë ta shesin Shqipërinë”, u shpreh 27-vjeçari Noel Leshja.

Reuters raportoi më herët gjatë këtij muaji se prokurorët shqiptarë dyshojnë se një biznesmen me bazë në Miami, i cili u shiti tokë zhvilluesve që bashkëpunojnë me Kushner, ka falsifikuar dokumentet e pronësisë. Biznesmeni, i akuzuar gjithashtu për pastrim të parave që dyshohet se vinin nga trafikantë kokaine, i ka mohuar akuzat, ndërsa zhvilluesit kanë deklaruar se besojnë se transaksionet për tokën janë të vlefshme.

Kushner e ka promovuar planin për ndërtimin e resortit në bregdetin e paprekur shqiptar, duke deklaruar se ai dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, e zbuluan zonën gjatë një udhëtimi me jaht. Megjithatë, ai nuk ka bërë komente publike që prej nisjes së protestave. Zhvilluesit kanë konfirmuar se Kushner është investitor në projekt, por nuk kanë bërë të ditur rolin e tij konkret apo shumën që ka investuar.

Më herët gjatë këtij viti, protesta të shoqëruara me përplasje të dhunshme shpërthyen me kërkesën për dorëheqjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për shkak të akuzave për korrupsion. Më pas, Balluku u shkarkua nga detyra.

© Panorama.al

Te lidhura