Pas ngjarjes së rëndë në Korçë, ku 66-vjeçari Irakli Çinoku u gjet i pajetë brenda automjetit të përfshirë nga flakët, ka folur një nga fqinjët e tij.
Ai e ka përshkruar 66-vjeçarin si një njeri të qetë, të rregullt dhe pa konflikte me të tjerët.
“Jemi komshinj. Njeri më të rregullt nuk bënte nëna. Ndonjë konflikt nuk di të ketë ai. Në shtëpi ishte shumë i rregullt. Konflikte nuk kishte. Jetonte me gruan, me Vjollcën. Për brenda familjes nuk di të them. Ishte pensionist, kishte dy djem, një në Angli dhe tjetrin doktor në Greqi”, është shprehur fqinji.
Irakli Çinoku u gjet i pajetë mëngjesin e kësaj të marte në lagjen nr. 10 të Korçës, brenda një automjeti tip “Benz” që ishte përfshirë nga flakët. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke i vënë flakën automjetit.
Më herët, burime nga hetimi bënë me dije se 66-vjeçari kishte lënë një shënim para ngjarjes, ku shkruante: “Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”. Dyshohet se problemet familjare dhe gjendja e rënduar emocionale mund të kenë ndikuar në vendimin e tij.
Mësohet se bashkëshortja e tij ishte larguar drejt Greqisë tek dy fëmijët e çiftit, ndërsa 66-vjeçari jetonte i vetëm kohët e fundit.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
© Panorama.al













