Një fazë e re

Jun 1, 2026 | 8:30

LEONARD-DEMILEONARD DEMI

“Politika e jashtme ruse gërsheton pasiguri të vazhdueshme me durimin e një lufte të përgjakshme për shkatërrimin e kundërshtarit”. George F. Kennan

PARAFJALË

Në Moskë, humori i sotëm nuk mund të krahasohet me atë të dhjetorit të kaluar, kur zyrtarët rusë shpresuan se Presidenti Trump do të ushtrojë trysni mbi Ukrainën për një marrëveshje paqeje sipas kushteve të Moskës, duke hequr sanksionet ekonomike dhe duke nxitur një biznes të suksesshëm. Tani, pas më shumë se katër vjet luftë, kur qëllimet nuk janë arritur ende plotësisht dhe kur në horizont nuk shikohet fundi i saj, “konsolidimi fenomenal i shoqërisë ruse rreth Presidentit Putin”, ka filluar të lëkundet.

Parada vjetore e Ditës së Fitores, që shënon triumfin e Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë naziste, ka qenë një shfaqe e fuqisë dhe lavdisë ushtarake ruse: tanke, artileri, raketa balistike dhe këmbësori me hap rreshtor përpara udhëheqësve nga e gjithë bota, kishte për qëllim të frymëzonte dhe të frikësonte. Mungesat e sivjetme tregojnë se kërcënimi nga dronët ukrainas ishte shumë i madh ose magazinat e armatimeve janë bosh për shkak të kërkesave të luftës.

Kjo situatë është dëshmi e dështimit të zotit Putin: lufta, që zgjodhi kundër një fqinji më të dobët është shndërruar në një moçal, në një katastrofë të ngadalshme, ku 1 500 000 rusë kanë humbur jetën apo janë plagosur. Por, Kremlini e propagandon Kievin si fyesin e kujtimit të Luftës të Madhe Patriotike dhe thjeshtimi i paradës synonte të zemëronte rusët me idenë se ukrainasit mund ta sulmonin atë.

KTHESË

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) shkruan se Ukraina është gjithnjë e më shumë në gjendje të godasë me dronë dhe raketa objektiva në Rusi, si: infrastrukturën e prodhimit dhe eksportit të naftës, uzinat ushtarake, poste komandimi, mbrojtjen ajrore, depo armatimesh, logjistikë dhe objekte të tjera ushtarake thellë në prapavijë.

Përparimet e Ukrainës në garën e dronëve me rreze të mesme veprimi: deri 360 km pas vijës së frontit, janë ndoshta ndryshimi më i madh në këtë pranverë. Starlink (internet, që sigurohet nga një rrjet satelitësh), ndonjëherë, në kombinim me inteligjencën artificiale po u jep dronëve ukrainas përparësi. Modelet Hornet, FP-1 dhe FP-2 të kompanisë ukrainase të mbrojtjes Fire Point i kanë krijuar vështirësi Rusisë të mbështesë operacionet e veta në vijën e parë të frontit. Fire Point, që synon të përgatisë rreth 400 dronë të tillë çdo ditë, prodhon edhe raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat goditën qendrën e madhe ruse të energjisë të Permit, më shumë se 1400 km thellë në Rusinë Qendrore, ku dogjën afërsisht 70% të Stacionit të Shpërndarjes së Prodhimit Linear Transneft Perm; një strukturë në qytetin Cheboksar, që prodhon sisteme navigimi për dronë dhe raketa; si dhe disa avionë luftarakë dhe bombardues më shumë se 1600 km përtej kufirit. Për ekspertët, pika e kthesës ishte seria e sulmeve ukrainase, që shkatërruan rafinerinë dhe portin e eksportit të naftës Tuapse në Detin e Zi dhe që ndoti një zonë bregdetare vendpushimi të njohur turistik.

Putini përdor eksportet e energjisë për të financuar luftën e tij, por ukrainasit po e kufizojnë këtë burim të ardhurash. Në mars, Rojters raportoi se pas sulmeve me dronë ukrainas, të paktën, 40% e infrastrukturës ruse të eksportit të naftës u çaktivizua: ndërprerja më e rëndë e furnizimit me naftë në historinë moderne të Rusisë. Dëmi në rafineritë e naftës dhe terminalet e eksportit ka balancuar pjesërisht të ardhurat nga rritja e çmimeve të naftës bruto, por nuk i ka tejkaluar ato. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Rusia përfitoi të ardhura dukshëm më të larta nga eksporti i naftës në mars dhe prill të këtij viti.

Madhësia e Rusisë po kthehet në dobësi. Rusët po kuptojnë se nuk kanë mbrojtje ajrore të mjaftueshme për të siguruar një territor kaq të madh, thotë Fred Kagan i Institutit të Ndërmarrjeve Amerikane. Rreth 70% e popullsisë së Rusisë, përfshirë zonat që ndodhen mbi 1500 km larg nga kufiri, tani janë brenda rrezes së veprimit të Kievit. Në fillim, këto sulme forcuan unitetin, ndërsa tani demonstrojnë dobësinë e Putinit dhe ky është momenti për të rritur mbështetjen për Ukrainën në mënyrë që ajo të mundë të ruajë trysninë mbi Rusinë. Vetëm perspektiva e humbjeve më të mëdha dhe disfatës së mundshme do ta bëj zotin Putin të braktisë ambiciet e tij perandorake në Ukrainë dhe në Evropë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës me kushte të ndershme, që sigurojnë paqe dhe liri për Ukrainën.

INFILTRIMET RUSE

Përparimi i ngadaltë i Rusisë (4 – 7.7 km2 në ditë) sugjeron se marrja e provincës lindore të Donbasit mund të zgjasë me vite dhe të kushtojë qindra mijëra jetë. Kështu, Rusia ka hequr dorë përkohësisht nga përpjekja për të përparuar me automjete të blinduara. Në vend të tyre, po përdor një taktikë të njohur si “infiltrim”, duke dërguar çifte ushtarësh këmbësorë në zona gri ku asnjëra palë nuk ka kontroll efektiv.

Njësitë ukrainase kanë filluar të sulmojnë ushtarët rus me dronë dhe ekipe pastrimi, por mungesa kronike e fuqisë punëtore në uzinat ushtarake e kufizon përparimin e tyre. Sidoqoftë, tani luftohet në mjaft segmente të vijës së frontit prej 960 km, ndryshe nga viti 2025, kur luftëtarët ukrainas ishin, pothuajse, kudo në prapavijë. Fundi i pranverës do ta vështirësoj këtë taktik dhe infiltrimi ka të ngjarë të mbetet një element i rëndësishëm i ofensivës ruse të kësaj vere. Megjithatë, gjeografia rajonale po ndihmon vendin të mbrohet nga një sulm i mundshëm nga Bjellorusia, e cila, sipas President Zelenskit, po ndërton rrugë dhe pozicione artilerie pranë kufirit ukrainas, që mund të synojnë qendrat kryesore të transportit ushtarak në qytetet Lutsk dhe Rivne.

Mbajtja e Ukrainës perëndimore nën kërcënim dhe presion të vazhdueshëm për një kohë të gjatë mund të pakësojë ndihmën perëndimore. Sidoqoftë, veprimet e Bjellorusisë mund të jenë edhe një lëvizje për të tërhequr kapacitetet ushtarake ukrainase nga vijat e frontit.

A PO TËRHIQET PRESIDENTI PUTIN?

Muajt e fundit, Ushtria e Ukrainës ka fituar një përparësi taktike dhe teknologjike. Megjithatë, Putini nuk po jep shenja se po e rishqyrton përpjekjen e tij katastrofike për të nënshtruar Ukrainën dhe për ta rikthyer në sferën e ndikimit të Moskës. Kjo verë do të tregojë nëse Ukraina do të mund ta shndërrojë këtë përparësi në një pikë kthese strategjike.

Shumë strategë vërejnë se është shumë herët për të thënë se lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore ka arritur në një pikë kthese. Lufta e Rusisë po shkon keq, por jo aq keq sa të detyrojë Vladimir Putinin të ndërhyjë. “Lufta” – thonë ata, – “përfshin cikle përshtatjeje” dhe pyetja është nëse Rusia mund të gjejë përgjigje për përparimet e Ukrainës. “Në këtë fazë, mund të shohim përpara me besim vetëm për disa javë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se Ukraina do ta pengojë Rusinë të përparojë përsëri. Moti i ngrohtë po i ndihmon trupat ruse dhe muajt e verës mund të përshpejtojnë përparimin e tyre; kështu ka ndodhur edhe në vitet e kaluara”.

Sipas New Eurasian Strategies Center, në sistemet autoritare presioni nuk prodhon automatikisht kompromis, veçanërisht, kur lufta lidhet ngushtë me legjitimitetin e regjimit. Kështu, Moska nuk do të ndalet së luftuari derisa të ketë pushtuar të gjithë rajonin Donbas. Që armët të heshtin, duhet të ketë bisedime, por Putini, thjesht, ka lënë të kuptohet se do të ishte i gatshëm të takohej me Zelenskin për të nënshkruar një marrëveshje paqeje sipas kushteve ruse. Për më tepër, më 21 maj, Rusia goditi kryeqytetin e Ukrainës me 1428 dronë dhe raketa ku mbetën të vrarë 24 vetë, si dhe po planifikon të mobilizojë 100,000 burra të tjerë për një ofensivë të re kundër Kievit dhe, “padyshim, këto nuk janë veprimet e atyre, që besojnë se lufta po mbaron”, shkruan Zelenski në mediat sociale. Kremlini kërcënoi, gjithashtu, Letoninë se planifikon të lejojë Ukrainën të qëllojë me dronë Rusinë nga territori i vet: “Anëtarësimi në NATO nuk do të ofrojë mbrojtje kundër hakmarrjes së mundshme”, vëren ambasadori rus në KS të OKB. Letonia e mohoi pretendimin, por ministri i jashtëm Kestutis Budrys thotë se duhet t’u tregojmë rusëve që, nëse është e nevojshme, NATO ka aftësinë të shkatërrojë mbrojtjen ajrore dhe bazat raketore ruse në Kaliningrad. Kremlini i përshkroi këto komente si “prag çmendurie”.

NDIHMA E EVROPËS DHE NEGOCIATAT

Vendimi i BE-së për t’i ofruar Kievit një paketë mbështetjeje prej 90 miliardë eurosh ka përforcuar bindjen e Kremlinit se konflikti është shndërruar në një luftë me prokurë me Evropën dhe nëse Presidenti Putin po e ndjen presionin, homologu ukrainas ndihet disi i inkurajuar. Marrëveshja për mbrojtje ajrore, që sapo ka nënshkruar me vendet e Gjirit, e bën Ukrainën të duket më pak si një rast për bamirësi dhe më shumë si një partner strategjik. Këtë e dëshmojnë edhe kumtimet publike të Presidentit Zelenski, të paimagjinuara më parë, si: “Shtetet e Bashkuara nuk kanë kohë për Ukrainën; pezullimi i sanksioneve ndaj naftës ruse i dha Kremlinit një ndjenjë pandëshkueshmërie.”

Kjo tregon se Ukraina tani ka më pak nevojë për SHBA: ka industrinë e vet të mbrojtjes dhe ekspertizë për të ofruar për luftën me dronë. Me kërkesë të SHBA, në mars, Ukraina dërgoi dronë interceptues dhe ekspertë në Jordani për të mbrojtur bazat ushtarake amerikane, kësisoj, presioni mbi Kievin për t’u dorëzuar në negociata është lehtësuar, por këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Ushakov, vëren se negociatat do të ishin të pafrytshme derisa Kievi të bjerë dakord për një tërheqje të plotë nga Donbasi, duke e bërë të qartë se Kremlini nuk e ka ndryshuar kërkesën e tij qendrore, maksimaliste. Së fundmi, Putini emëroi ish-kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder, një mik të ngushtë personal, si ndërmjetësin ideal për bisedimet me Ukrainën. Ditën tjetër, ambasadori ukrainas në Gjermani, Makeyev, i tha revistës Der Spiegel se kushdo që ka përfaqësuar interesat ruse në Gjermani për vite me radhë nuk ka as legjitimitetin moral dhe as politik për të vepruar si ndërmjetës.

Në qarqet evropiane po rritet mbështetja për emërimin e një përfaqësuesi të BE, të aftë për t’u angazhuar drejtpërdrejt me Moskën dhe për të ndihmuar në hartimin e një strategjie diplomatike evropiane të pavarur nga Uashingtoni. Emrat që qarkullojnë janë ai i ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe ish-kryeministrit italian Mario Draghi. Disa qeveri propozojnë Presidentin finlandez Alexander Stubb apo paraardhësin e tij, Sauli Niinistö.

EPILOG

Para disa ditësh, Rusia përfundoi stërvitjet bërthamore treditore, që kishin për qëllim përmirësimin e gatishmërisë luftarake të armëve bërthamore. Këto stërvitje përkuan me vizitën e Presidentit Putin në Kinë. Kina i ofron Kremlinit mbështetje ekonomike dhe diplomatike për luftën e tij në Ukrainë dhe kundërshton kërcënimet strategjike të Putinit. Kina nuk dëshiron që Rusia të mposhtet, por të dobësohet mjaftueshëm sa të jetë e varur, por jo aq e dobësuar sa regjimi të shembet ose Rusia të bjerë në kaos. Kina mund të pengojë përdorimin e armëve bërthamore, nëse Putini ende ka alternativa konvencionale, por, ndoshta, ka pak gjasa që Kina ta frenojë, nëse Putini beson vërtet se humbja në Ukrainë do të çonte në rrëzimin e regjimit, revoltën e elitës ruse ose rrezik personal për të. Sidoqoftë, shërbimet inteligjente, tani për tani, nuk vërejnë ndonjë element për të dyshuar se Rusia përgatitet për ndonjë sulm bërthamor.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura